• |
ide | kryesore

A i mbyll dot Rama dyert për refugjatët?

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET.jpg



Edi Rama i është përmbajtur deri më tani thënies se Shqipëria do ti mbajë portat mbyllur për refugjatët e grumbulluar në Greqi, të cilët ëndërrojnë të shkojnë drejt Europës perendimore.

Këtë qëndrim të qeverisë shqiptare e ka përforcuar edhe më shumë samiti i 7 marsit në Bruksel, mes BE-së dhe Turqisë. Sipas tekstit të nënshkruar, Turqia do të marrë mbrapsht të gjithë refugjatët që kanë kaluar përmes rrejteve të trafikantëve nga toka e saj në ishujt grekë. Dhe megjithëse për këtë kryeministri Davutoglu ka kërkuar një çmim të lartë, 6 miliardë dollarë, ai i ka dhënë Europës një frymëmarje.

Tashmë koridori i Ballkanit teorikisht duhet të mbyllet dhe si rezultat i kësaj, refugjatët e mbledhur në Greqi nuk do të shikojnë më drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë, por drejt Turqisë, nëse ata shpresojnë që një ditë të hyjnë si azilantë të rregullt në BE.

Por, pavarësisht këtyre masave, alarmi i dyndjes së sirianëve, irakenëve, afganëve madje dhe të mbërriturve nga vendet e Afrikës së Veriut, nuk është shuar. Autoritetet më të larta të qeverisë italiane i tremben një furie nga Adriatiku. Vizita e Sajmir Tahirit në Romë tek homologu i tij Alfano, deklaratat e sekretarit Italian të shtetit Sandro Gozi, se në rast emergjence Italia mund të sjellë ushtrinë në kufirin greko- shqiptar, thëniet alarmante të kancelares Merkel, se tani duhet mbrojtur ky kufi, të lënë të mendosh se problemi nuk është mbyllur.

Përpos deklaratave të politikanëve, faktin se rreziku i emegjencës nuk ka kaluar, po e mbajnë ngritur edhe mediat fqinje italiane dhe greke, por mbi të gjitha, ato ndërkombëtare.

Jo më larg se dje, gazeta francize e referencës “Le monde” i kushtonte një shkrim frikës italiane se mos vendimi për të mbyllur rrugën e Ballkanit i nxit trafikantët të hapin rrugën e Adriatikut. Me të njëjtat tone shqetësuese ishte edhe artikulli i biblës së ekonomisë botërore “The Economist”, që sinjalizonte për grupe trafikantësh që ishin vënë në lëvizje për të hapur shtigje klandestine trafiku.

Atëherë pyetja është: A është e rrezikuar Shqipëria nga një dyndje refugjatësh, kur në njërën anë kryeministri i saj ka shpallur politikën e dyerve të mbyllura, dhe kur vendet e BE-së e mbështesin këtë politikë, por kur në anën tjetër, ata friksohen se mos fluksi është i pamundur të ndalet?

Në gjithë këtë situatë qeveria Rama është vënë përballë dy dilemave. Së pari një tentativë për të hapur një koridor të ri, atë të Otrantos (vetëm 80 km nga Italia) do të nxirrte në dritën e diellit shtetin tonë prej letre.

Duke qenë se kufiri me Greqinë është i pa menaxhueshëm dhe i pa kontrollueshëm, beteja e policisë shqiptare me rrjetet e trafikantëve do të qe e humbur. Po aq e kotë do të rrezultonte edhe tentativa për të mbyllur trafikimin me anë të skafeve. Tani, me ardhjen e pranverës, kur koha zbutet, Adriatiku mund të shndërrohet në një oaz klandestinësh dhe as vendime arbitrare si ai i qeverisë Berisha “për moratoriumin e lundrimit” nuk do të qenë në gjendje ta regullonin situatën.

Pra një fluks i tillë jo vetëm që do të vinte në pikpyetje sigurinë e kufijve shqiptarë, por ai do ngrinte dilema serioze dhe për të ardhmen, duke qenë se këta kufij ishin atuja kryesore që na garantuan  të drejtën e lëvizjes së lirë.

Por, përpos këtij problemi praktik qeveria shqiptare (aq sa mund ta ndieje ajo këtë) është vendosur edhe përpara një dileme morale. Pikërisht në këto ditë të gjitha mediat botërore, po rikujtojnë eksodin biblik të shqiptarëve që një çerek shekulli më pare rëmbyen anijet për tu dyndur drejt përëndimit. Keq ose mirë, bota e qytetëruar hapi dyert për ta. I priti, i strehoi dhe dalë dalngadalë i integroi.

Pikërisht nëse shqetësohet për këtë imazh, qeveria shqiptare nuk ka luksin ti dhurojë botës skena barbare të rrahjes me shkopa gome dhe të goditjes me gaz lotsjellës të refugjatëve që dynden në teritorin e saj, ashstu siç ka ndodhur me policinë maqedone apo hungareze.

Pra, si për arsye praktike edhe për arsye morale, ajo e ka të humbur betejën nëse fluksi grek drejtohet drejt Shqipërisë. Tirana është në dorë të zotit, që era e re që po fryn, ti kthejë ata drejt lindjes. (Lapsi.al)