• |
ide | kryesore

“Beteja” Veliaj-Tahiri edhe për situatën e motit dhe ironia e Patozit

I pakategorizuar
treshe.JPG



“Moti përkeqësohet nga reshjet nesër paradite. Bashkia e Tiranës ka kaluar në gatishmëri”. Ky alarm i vënë nga bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj Erion Veliaj duket se ka nxjerrë edhe një herë në sipërfaqe “betejën” për protagonizëm në kampin qeverisës. Në një farë mënyre, Bashkia e Tiranës ka treguar se i paraprin punës që duhet ta bëjnë Emergjencat Civile, në varësi të Ministrisë së Brendshme të drejtuar nga Saimir Tahiri. Këta të fundit, mesa duket të ngacmuar nga parapërgatitja e Bashkisë kanë nxjerrë disa orë më vonë një njoftim për përkeqësimin e motit.  

“Sipas buletinit të Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) moti, në të gjithë territorin e vendit pritet të ketë reshje shiu, ndërsa në zonat mbi 600 metra mbi nivelin e detit, parashikohen edhe reshje bore. Në qarqet Shkodër, Vlorë dhe Korçë parashikohet të ketë reshje më intensive se qarqet e tjera” – shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme, por çuditërisht nuk përmendet Tirana, bashkia e të cilës “ka kaluar në gadishmëri”.

Gjithsesi edhe strukturat në varësi të ministrit të Brendshëm e kanë marrë tashmë mesazhin: “Për t’u paraprirë situatave të vështira e problematike, MPB ka udhëzuar prefektët dhe përfaqësuesit e pushtetit lokal që kanë përgjegjësi për parandalimin dhe përballimin e situatave emergjente, të marrin masat e duhura në mbrojtje të jetës dhe pronës së  qytetarëve” – thuhet në njoftim.

Betejën për “protagonizëm” mes kryebashkiakut Veliaj dhe ministrit të Brendshëm Tahiri deri në çështjet atmosferike e ka pikasur edhe deputeti i Partisë Demokratike Astrit Patozi. Me ironi ai shkruan në faqen e tij në Facebook se “Bashkia e Tiranës na paralajmëroi sot se nesër do të ketë shi me shtrëngata dhe se duhet të bëjmë kujdes se mos e pësojmë nga kapriciot e motit. Pyetja e parë që të vjen në kokë është nëse kjo prognozë vlen vetëm për kryeqytetin apo do të shtrihet edhe me gjerë se kaq në Shqipëri. Fjala vjen, a duhet të ruhen njësoj prej motit të keq nesër edhe banorët e Durrësit, Elbasanit, Krujës apo Kavajës, për të mos shkuar më larg, në Vlorë, Lushnje, Lezhë apo gjetkë? Dhe, kur me rregull treshi, por dhe me një kërkim të thjeshtë në faqet e shumta ëeather në internet, rezulton që po aq të ekspozuar nga moti i keq do të jenë shumë zona të vendit, pyetja tjetër është se përse e bën Bashkia e Tiranës paralajmërimin? Nëse ka vërtetë kaq rreziqe nga shirat e rrëmbyera apo përmbytjet, pse nuk del dikush nga qeveria e madhe, që ka përgjegjësi edhe përtej kufinjve administrativë të Tiranës, për të na "ndricuar"?

Patosi thotë se përgjigjen e gjithë këtyre pyetjeve e dha Kongresi i fundit i Partisë Socialiste.

“Ai në mënyrë "surprizë" u hap nga kryetari i bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj, me argumentin se kongresi zhvillohej në Tiranë dhe se atij i takonte t'i uronte mirëseardhjen mysafirëve. Sipas kësaj logjike, nëse kongresi i PS nuk do të shtyhej, por do të mbahej sipas statutit, në vitin 2013, atë do ta hapte Lulzim Basha, aso kohe kryebashkiak i Tiranës” – shkruan me ironi Patozi.

Edhe pak ditë më parë në media u fol për një përballje në “prapaskenën” e Kongresit të socialistëve mes Tahirit dhe Veliajt. Kjo për shkak të emrave që do të zgjidheshin në Asamblenë Kombëtare ku mbetën jashtë disa prej përkrahësve në vite të kryebashkiakut.