• |
ide | kryesore

Pse “Je suis Ankara”, nuk është “Je suis Paris”

Arkiva, Blog
tmp_24968-11-16_PARIS_NO_CTA_BANNER_1600x800-391841177.jpg

Nga: TANER SELIM*


Këtë artikull nisa ta shkruaj mbrëmjen e 21 marsit dhe ngaqë isha shumë i lodhur për ta përfunduar, e lashë për ta vazhduar të nesërmen. Pasi u zgjova, pashë lajmin e tmerrshëm të shpërthimeve në aeroportin e Brukselit, i cili më zemëroi shumë përtej fjalëve dhe e përforcoi vendosmërinë time për të dhënë një këndvështrim timin, lidhur me një fjali të bezdisshme që po qarkullon kohët e fundit në rrjetet sociale. Ka të bëjë me faktin që, menjëherë pas bombave të terrorit në Ankara dhe Stamboll, pati një numër të madh postimesh në rrjetet sociale, apo kishte nga ata që më pyetën direkt nga njerëzit e mi të afërt. Pyetjet dhe postimet përmblidhen pak a shumë në këtë: Ti ishe “Je suis Paris”, a do të jesh edhe “Je suis Ankara”?
Me fjalë të tjera, a do të shohim të njëjtën keqardhje dhe mbulim mediatik për Ankaranë, njësoj siç pamë për viktimat e terrorit në BE? Unë e kuptoj se arsyeja për këtë lumë postimesh dhe pyetjesh, është fakti që ndjeshmëria në rrjetet sociale dhe portale për bombat në Turqi, ishte më e pakët se ajo e sulmeve në Paris. Ky është fakt! Ajo që nuk kuptoj, (por që në fakt e kuptoj dhe do ta ndaj me ju), është se përse pjesa më e madhe e njerëzve të informuar vazhdojnë të përdorin injorancën e të painformuarve si mesazh (përmes shpërndarjes së postimeve në rrjetet sociale) duke ekspozuar një deklaratë politike, që nuk ka të bëjë fare me shkaqet reale të minimizimit të tragjedive në Turqi.
Më lejoni ta nis duke thënë se mediat tradicionale europiane, televizionet dhe gazetat, raportuan plotësisht për ngjarjet në Turqi. Në fakt, edhe sot, Stambolli ishte mes titujve kryesore. Atëherë, çfarë ndodhi me portalet dhe blogjet, ato që zotërohen nga njerëz të zakonshëm? Do ta nis duke ju treguar një histori të shkurtër, që me ka ndodhur në fëmijërinë time.
DJALI ME SHASHKA
Isha 15 apo 16 vjeç, në vitin e dytë të shkollës së mesme. Gjyshi im sapo kishte ndërruar jete dhe shtëpia ime ishte e zymtë. Dola për të marrë pak ajër. Jashtë ishin 4 fëmijë, të moshës sime, 15 vjeç. Njëri prej tyre kishte një grumbull shashkash në duar, nga ato me fitila. Shashkat kishin formën e fishekëve të vegjël, të mbushur me barut, dhe përdoreshin për plasje të vogla, për të trembur njerëzit. Ky djalë po u binte në qafë disa fëmijëve të tjerë (disa vjet më të rinj se ai), që ishin ndalur aty pranë me biçikleta. E ndizte shashkën dhe ia hidhte që të plaste. Fëmijët me biçikleta trembeshin. Hodhi në këmbët e tyre 4 copë. Fëmijët me biçikleta nuk reagonin, sepse kishin frikë të bënin sherr. Dukej qartë që ai dhe shokët e tij ishin më të mëdhenj. Një moment, ndezi shashkën e pestë. Kësaj radhe i doli për keq. Shashka kishte një defekt në fitil dhe i plasi në duar. Plaga ishte e tillë, sa i çau gishtin tregues dhe atë të mesit, në dorën e djathtë. Vuajti për një minutë, derisa nga dyqani aty afër, doli një burrë. Ia lidhi gishtat me një letër të bardhë dhe tre shokët e morën me vete, me dorën që i dhimbte.
Më erdhi keq për fëmijët me biçikleta, por për djalin e shashkave; më shumë u tremba, sesa më erdhi keq. Pata frikë se do të bëhej keq, por nuk ndjeva keqardhje. Fundi.
Mesazhi i fabulës është ky: Nëse luan me zjarrin, do digjesh. Çka dua të them është se Turqia, duke u qeverisur nga një autokrat ekstremist, po luan me zjarrin. Erdogan po luan me zjarrin në emër të Turqisë, me ndihmën e tërthortë që i jep ISIS-it. Kjo ndihmë e tërthortë vjen me sulmin e pandalur ndaj kurdëve, një nga armiqtë kryesorë të ISIS, ashtu si antipatia e qartë, që ka për Izraelin; arsye këto që të bëjnë të mendosh se ai e mbështet idenë e transformimit të Turqisë në një shtet islamik – të prirur drejt radikalizmit.
Fatmirësisht, qytetarët me pikëpamje liberale në Turqi janë të qartë për këtë, ashtu siç janë edhe turqit që jetojnë jashtë, në veçanti ato në Bashkimin Europian. Prandaj kur ndonjë lëshon fjalët “Je suis X”, identifikohesh jo vetëm me viktimat dhe njerëzit e X, por edhe me parimet dhe idealet që përfaqëson X. Në rastin e Parisit, këto ideale janë të famshme; liri, barazi, vëllazëri. Janë ideale që rrezatojnë pozitivitet në mendjen njerëzore. Ndërsa në rastin e Ankarasë, po të kemi parasysh axhendën radikale në kufij dhe trazirat e fundit atje, është e qartë se mbështetja për këtë axhendë përkthehet në mbështetje për shkeljen e të drejtave bazë të njeriut, më e pakta.
Ndaj dhe mediat sociale nuk e përqafuan “Je suis Ankara” me të njëjtën dëshirë dhe emocion, siç bënë me Parisin, Brukselin apo Bashkimin Europian në përgjithësi, për të njëjtën çështje.


* Marrë nga blogu i autorit

1 Comment

  1. Europa

    Ne radhe te pare, dua te them se jam nje njeri paqesor, prandaj jam kunder cdo akti terrorsi apo jete njeriu te humbur. E lexova me shume kureshtje atrikullin tend, dhe dua te them se na i bere europianet engjej. Europianet e lufterave mijevjecare, Gjermani, Rusi, Angli, Turqi, Spanj, Itali, Fance, e.t.j Kane vrare e kane prere sa dhe ata jane ngopur, Te me falin ata qe nuk pane SH.B.A-ne, por ata, jane strunmbullari i te gjithave. Prandaj, kjo lufte esht a padfrejte, dhe si ne cdo lufte, pasojat po i vuan populli, ne kete rats eshte populli Sirian!

Kthehu