• |
ide | kryesore

Pse “Dosja Shullazi” fajëson qeverinë

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET.jpg



Ditë pas dite, që pas ndalim- arrestit okult të Emiliano Shullazit, në lajmet e kronikës dallohen disa tituj që të lënë një shije të keqe.

Njëherë flitet për një biznesmen që nxiton të mohojë se i është vënë gjobë. Një herë tjetër për një profesor që thotë se nuk i ka njohur kërcënuesit. Pastaj për një dëshmitar që tërhiqet nga ajo që ka thënë.

Veç e veç këto lajme humbasin në cepat e faqeve të kronikës. Por, të bërë sëbashku, ato marrin një kuptim më të madh. Që e shndërrojnë këtë ngjarje nga një aferë policore në një çështje politike.

Ditët e fundit "Dosja Shullazi" është kthyer në epiqendrën e debatit në vend. Opozita sulmon lidhjet e tij me ministrin e Brendshëm dhe me kryeministrin. Jep raste se si ai i ka shpëtuar drejtësisë dhe paralajmëron lirimin e tij të shpejtë për shkak të mbrojtjes që ka në sferat më të larta të shtetit. Qeveritarët mbrohen me siklet (po të qe për ta do të bënin ç’ish e mundur për ta shmangur këtë temë) dhe në fund thonë se ata s’kishin ç’bënin më shumë sesa të vinin prangat mbi duart e të fortit.

Por në këtë debat, ku gjithësecili mundohet ta hedhë topin e fajit tek kundërshtari, ato lajmet episodike të kronikës luajnë rolin e rëndësishëm të gurëve në peshoren e së drejtës.

Ato na tregojnë më shumë sesa debati në parlament dhe akuzat e ndërsjellëta.

Të mara të gjitha së bashku, ato dëshmojnë se njerëzit që refuzojnë të dëshmojnë përpara hetuesve, policisë dhe prokurorëve, kanë frikë.

Ata nuk kanë as besimin më minimal tek shteti i tyre.

Ata nuk kanë as dyshimin më të vogël se një i fortë me mbrojtje nga lart mund të dënohet.

Eshtë pikërisht kjo psikologji frike, treguesi i parë dhe kryesor që dëshmon se nga cila anë peshon e drejta.

Eshtë pikërisht ajo që tregon se kjo qeveri edhe nëse nuk është e lidhur me banditët, nuk i ka bindur qytetarët e saj, se ka vullnet për t'i luftuar ata.

Prandaj njerëzit kanë frikë. Një frikë legjitime që dëshmon shumë më tepër sesa broçkullat që dëgjojmë të enjten në parlament. /Lapsi.al/