Në mjediset e parlamentit turk ka pasur një debat të ndezur që ka përfunduar në përleshje mes opozitës dhe mazhorancës. Përfaqësuesit e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim AKP, në të cilën bëjnë pjesë Presidenti Erdogan dhe Kryeministri Davutoglu, janë konfrontuar me ligjvënësit e Partisë Demokratike të Popullit, forcë politike që kryesohet nga Selahatin Demirtas. Gjithçka nisi kur deputeti i Partisë Demokratike të Popullit, Ferhat Encu, e hapi fjalimin e tij duke deklaruar se qeveria kishte vrarë dhe masakruar qytetarë dhe fëmijë të pafajshëm të etnisë kurde në rajonin juglindor të vendit.