• |
ide | kryesore

Sukseset e Tahirit dhe krimi i suksesshëm

Arkiva, Ide
mandi edit.jpg



Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, nuk ka dalë më kohëve të fundit për të bërë krahasimet në përqindje të të vrarëve në “kohën e rilindjes” me ata në “kohën e Saliut”. Atij tani i duhet të përballet me një situatë të rëndë të sigurisë në vend, ndoshta më e rënda në 15 vitet e fundit. Një situatë, ku ministri dhe qeveria ndihen të paralizuar për shkak të pamundësisë që i krijuan vetes për të vepruar.
Duke e trajtuar edhe sigurinë e qytetarëve me filozofinë e fasadës, për muaj të tërë, të gjitha energjitë e qeverisë u përqëndruan tek reklama dhe propaganda dhe aspak tek lufta serioze ndaj krimit që u fuqizua frikshëm në tri vitet e fundit. Ministri Tahiri, në harkun kohor të një viti, bëri xhiron e të gjitha studiove televizive, organizoi spektakle me ekrane e prozhektorë në Pallatin e Kongreseve, renditi vetëm suksese virtuale e vijoi si në fushatë elektorale duke u krahasuar me Saliun, ndërkohë që vrasje mafioze, atentate me tritol, pengmarrje e grabitje, skandale dhe korrupsion tek uniformat blu, po trondisin çdo ditë besimin e qytetarëve tek policia.
Vetë themeluesi i filozofisë së fasadës, kryeministri Edi Rama, në vend të alarmit për gjendjen katastrofike, fliste për rënien në peshë të policëve, për gjobat e qarkullimit, për makinat e reja dhe uniformat nga Turqia, për respektimin e semaforëve dhe femrat simpatike që drejtojnë trafikun, ndërkohë që sinjalet dhe informacionet për fuqizimin e krimit i shkonin çdo ditë në zyrë.
Mospërballja me një realitet të vështirë që kërkon veprim urgjent dhe tentativa për ta mbuluar atë me efekte propagandistike dhe manipulime mediatike, është një pjesë e kurthit ku është kapur sot qeveria, e cila si hap të parë për të dalë nga kjo gjendje do të duhej të paktën ta pranonte atë. 
Por ministri Tahiri dhe kryeministri Rama nuk mund ta pranojnë gjendjen e rëndë të sigurisë sot, edhe për shkak se ata janë përgjegjësit direktë të saj. Policia që është sot, nuk është produkt i profesionalizmit, por i politizimit të skajshëm dhe ndërhyrjeve direkte të klaneve kriminale në emërimet kyçe të drejtuesve të saj. 
Si shpjegohet që krime të kryera në mes të ditës nga elementë të dyshuar për aktivitet kriminal, nuk zbulohen dhe parandalohen? Si ka mundësi që pas çdo krimi rezulton të paktën një punonjës policie i implikuar? Pse dekonspirohen aksionet e policisë dhe deformohen provat në vendngjarjet e krimeve? Gati dy vjet më parë u vra në mes të Tiranës bankieri Artan Santo dhe ende nuk dihet asgjë për autorët. Një vit e ca më parë u rrëmbye dhe u zhduk Enver Stafuka nga persona të veshur me uniformë policie, i dyshuar si i përfshirë në atentatin ndaj komisar Dritan Lamajt, dhe policia ende nuk mund të thotë se çfarë ka ndodhur me të. Një vit ka kaluar edhe nga atentati në mbikalimin e Kasharit ndaj Emiljano Shullazit dhe përsëri nuk ka autorë. E deri tek dy atentatet e fundit në zonën e bllokut, atij ndaj Ajet Zeqajt dhe më pas Elton Cicës, ku në rrjetën e krimit të organizuar gjenden edhe peshq të mëdhenj e të vegjël nga uniformat blu.
Propaganda e qeverisë nuk synon të mbulojë vetëm dështimin, por edhe të mjegullojë përgjegjësinë e saj direkte në këtë krizë të sigurisë. Ata që punojnë në polici e dinë se aty mungon cilësia e policisë gjyqësore, pasi në këto detyra janë emëruar individë me kurse 6 mujore, pa formim juridik, penal apo kriminalistik. Janë këta që grumbullojnë provat në terren mbi të cilat vepron më pas prokuroria dhe gjykata. Prova, që herë nga implikimi e herë nga paaftësia, bëjnë të dështojnë proceset gjyqësore. Ministri i Brendshëm ndërhyn thuajse në të gjitha emërimet e drejtorëve të qarkut apo dhe komisariateve, kur me ligj kjo kompetencë i takon drejtorit të përgjithshëm të policisë. Këto ndërhyrje, që shpesh janë me sfond politik e herë pas here ndikohen edhe nga interesa kriminale, kanë ndikuar direkt në uljen e forcës zbuluese dhe parandaluese të policisë.
Dhe po të rendisësh këtu edhe skandalet që kanë prekur nivelet më të larta të rendit, që nga afera Frroku me Interpolin dhe deri tek përfshirja e disa drejtuesve të policisë në trafikun e drogës, policët e thjeshtë në terren nuk kanë ndonjë motiv të fortë për t’u përballur çdo ditë me krimin. Për ta bërë këtë ata nuk mund t’i motivojë entuziasmi i sukseseve që recitojnë Rama dhe Tahiri. Ata realitetin e frikshëm e ndeshin në rrugë.
Ministri mund të dalë përsëri të bëjë bilancin e shifrave nëpër ekrane, por njerëzit kanë frikë çdo ditë e më shumë të dalin qoftë edhe për të pirë një kafe në lokalin e lagjes së tyre.