• |
ide | kryesore

Sadiq Khan, nënshtrimi i islamit ndaj demokracisë

Arkiva, Ide
Bernard-Henri-Levy-Bernar-006.jpg



Burri i momentit në Mbretërinë e Bashkuar, në mos në Europë, është qartazi Sadiq Khan – me origjinë nga Pakistani, mysliman me besim dhe kryebashkiaku i sapozgjedhur i Londrës.

Ka disa mënyra për ta komentuar fitoren e Khan.

Një mund të jetë të përsërisim vargun e ankesave që kundërshtari i tij konservator shprehu për të, me të drejtë, gjatë fushatës. Ishte takimi i shtatorit 2004 i Khan me radikalët islamikë nën rrethana të favorshme të organizatës pro-palestineze Miqtë e Al-Aqsa. Po ashtu edhe intervista e tij në vitin 2009 me televizionin iranian, në të cilin ai i krahasoi myslimanët e moderuar të Britanisë me “Xhaxha Tomin”.

Ka pasur edhe dyshime për kontakte me karaktere të pakëndshëm. Një prej tyre, Yasser al-Sirri, është egjiptiani autor i një deklarate mbi “vdekjen e nderuar” të Osama bin Laden, mes perlave të tjera. Një tjetër, Sajeel Abu Ibrahim, është një militant xhihadist që me gjasa trajnonte të tjerë në një kamp në Pakistan. Dhe Yusuf al-Qaradaëi është një teolog me bazë në Katar dhe predikuesi i Al Xhazirës që është i lidhur me krahun më radikal të Vëllazërisë Myslimane.

Një tjetër mënyrë për ta parë zgjedhjen e Khan është të dëgjosh atë që ai ka thënë vazhdimisht në përgjigje të akuzave për ekstremizëm të fshehtë. Ai ka shpjeguar se dikush mund të mos e dijë gjithnjë paraprakisht se me kë ka të bëjë. Intervista me televizionin iranian ishte një gabim. Myslimanët e lënduar nga deklarata e tij në intervistë për skllavin me ngjyrë në romanin e Harriet Beecher Stoëe të luftës civile në SHBA duhet të pranojnë ndjesën e tij më të thellë. Sa për Al-Qaradaëi, të gjithë, edhe nëse janë negativë, kanë të drejtën e një mbrojtjeje ligjore dhe marrëdhënia e tyre ka qenë gjithnjë ajo e një avokati me klientin.

E vërtetë? False? A na shërben zgjedhja e të parit kryebashkiak mysliman në një kryeqytet europian, në mos si një meshë (ashtu sikurse tha Henri IV për Parisin dhe konvertimin në katolik), të paktën për të na mësuar se në jetë ndodhin edhe gjëra të tilla? Vështirë ta kuptojmë, por Khan këmbëngul që po. Fakti që ai e distancon veten kaq prerazi nga e njëjta lëvizje islamike me të cilën ka pasur të bëjë, është në rastin më të keq mosmirënjohje. Në rastin më të mirë, është një mohim i atij që është bërë, krahasuar me atë që ishte, një njeri që nuk shfaq më asnjë shenjë vetëkënaqësie rreth të shkuarës ambicioze.

Çka dihet – dhe ky është këndvështrimi i tretë i kësaj çështjeje – është se Khan, ndërsa mbajti kontaktet me gjasa të rrezikshme, njëkohësisht i qëndroi parimit se islami është i përputhshëm me qeverinë laike. Për Europën, ky është një parim i nevojshëm. Për më tepër, ai kurrë nuk është lëkundur në çështjet kritike të barazisë ligjore, barazisë së grave apo shprehjes së habisë të grave të mbuluara që shihen në ditët e sotme në rrugët e Londrës – që nuk i lejojnë njerëzit, sipas tij, të shihen në sy kur flasin.

Po ashtu, qëndrimi i Khan në favor të martesave homoseksuale i ka fituar atij pikë përballë imamit të frikshëm të një xhamie në Bradford. Dikush mund të thotë se nuk mund të pritet më pak nga një lider laburist me një të ardhme të ndritur në vendin e Çërçillit. Por duhet pranuar se Khan nuk është dorëzuar në këto çështje as kur hasej me komunitarizmin e anës tjetër të Kanalit.

Khan është gjithashtu mes laburistëve që kanë marrë qëndrimin më fisnik përballë valzës së anti-semitizmit që po përhapet në partinë e tyre. Një ish-deputet laburist i stigmatizuar si “nuhatësi” i hebrenjve britanikë në rrjetet sociale. Një deputet aktual propozoi të zhvendosej Izraeli në SHBA. Karizmatiku Ken Livingstone, kryebashkiaku i parë i Londrës dhe një nga paraardhësit e Khan, e krahasoi sionizmin me nazizmin. Dhe Jeremy Corbyn, lideri i partisë, refuzoi në një debat me kryeministrin Cameron të mohojë “miqtë e tij” në Hezbollah dhe Hamas.

Këto javët e fundit janë dukur si një garë për të zbuluar se cili nga laburistët do të shkonte më tej në rrugën e islamo-majtizmit, që është e njohur si një tendencë e fortë brenda të majtës europiane dhe mes Laburistëve të Britanisë në veçanti.

Përballë këtij socializmi britanik të budallenjve, që disa e portretizojnë si një mbështetje të padëmshme për të mjerët e Palestinës, Khan nuk e ka pasur problem të shprehë kritika të forta. Qëndrimi i tij ishte i dukshëm në këmbënguljen se puna e tij e parë si kryebashkiak, të dielën, më 8 maj, të ishte të nderonte, krah kryerabinit të Londrës dhe ambasadorit të Izraelit në Britani, gjashtë milionë hebrenjtë e vrarë nga nazistët.

E gjitha kjo vlen për të thënë, se ndërsa ne duhet të vazhdojmë të ndjekim ngjarjet, zgjedhja e Khan mund dhe duhet të shihet si një fitore e pastër e islamit të moderuar kundrejt atij intolerant dhe reaksionar. Parashikimi i Michel Houellebecq në romanin e tij të fundit, Nënshtrimi, se Franca do të zgjedhë një president nga një parti Islamike në vitin 2022 është përmbysur. Çka po dështojmë tani me zgjedhjen e Khan nuk është nënshtrimi i demokracisë para islamit, por i islamit përpara demokracisë. Kjo demokraci, – demokracia britanike – duhet të jetë krenare, jo vetëm që ka mirëpritur islamin, por edhe që e ka ndihmuar atë të reformohet.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Përkthimi: reporter.al