• |
ide | kryesore

Meta, roli i pamundur i ndërmjetësit

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET.jpg



Ilir Meta po përpiqet që ta paraqesë veten jo si një subjekt i mundshëm i reformës së Drejtësisë pas miratimit , por si protagonist i realizimit të saj.

Por, roli i ndërmjetësit që ai po mundohet të luajë duket tani për tani një mision i pamundur.

Takimin e tij me liderin e opozitës, Basha, tregoi hallin e madh ku gjendet kryeparlamentari.

Nga njëra anë ai është ende pjesë e mazhorancës dhe as nuk guxon ti dalë hapur “shokëve të koalicionit” me të cilët ndan interesa shumë më të mëdha sesa fati i ndryshimit të Kushtetutës.

Nga ana tjetër, ai e di se po të mbështesë hapur qëndrimet e opozitës, duhet të përballet me atë të cilës i druhet më tepër, fshikullimin e ndërkombëtarëve, që tani nuk kursejnë më asnjë që guxon të dalë kundër draftit të tyre.

Pikërisht për këtë arsye Ilir Meta mbeti shumë keq, kur u pyet nga gazetarët nëse do të qe pro apo kundër miratimit të reformës me votat “e blera nga opozita”.

Duke ditur se Rama e ka lënë hapur një mundësi të tillë, por duke ditur gjithëashtu se demokratët kanë kërcënuar se do braktisin parlamentin nëse kjo ndodh, ai mbeti pa tekst për këtë dilemë.

Ashtu siç nuk kishte mendim as nëse i duhet pranuar apo jo opozitës kërkesa e vendeve të rezervuara.

Po atëhere përse po negocion Ilir Meta?

Deri më tani roli i tij ka qenë ai i njeriut që i shkel syrin opozitës, duke u kthyer me kuriz nga e majta dhe që bërtet së bashku me Ramën “Jam gati të votoj”, duke i treguar shpinën së djathtës.

Nga njëra anë ai i betohet partnerëve të koalicionit dhe diplomatëve të huaj se ai do ta miratojë këtë draft në parlament, por nga ana tjetër ai garanton PD-në se kushtetuta nuk mund të ndryshohet pa konsensus.

Por, problemi është se në këtë lojë flirtimi me të gjitha palët, ai po rezulton shumë teatral.

Nëse PS është e qartë në qëndrimin e saj: “E votoj projektin ashtu sikurse është sot” dhe PD akoma më e kthjellët me “JO”-në e saj të prerë, formula e Metës “Jam pro, por me konsensus” duket qesharake.

Ajo në thelb nuk do të thotë asgjë.

Sepse askush nuk e kupton se çfarë do të bënte realisht LSI, nëse votimi do të bëhej sot në parlament.

Ky qëndrim, as mish as peshk, do të kishte kuptim vetëm në një rast.

Në atë kur LSI dhe vetë Meta do të hiqnin dorë nga pasja e opsioneve të veta në emër të bërit të ndërmjetësit, për afrimin e palëve.

Por, fatkeqësisht edhe këtë rol e ka të pamundur.

Sepse atë po mundohen ta luajnë fuqishëm ndërkombëtarët, madje edhe në rangje shumë më të larta se diplomatët që gjenden në Tiranë.

Nëse PD apo PS do të bënin lëshime nga instikamet e tyre, ata do ta shisnin këtë si një “dhuratë” për miqtë perendimorë dhe jo si një dekoratë për Ilir Metën.

Prandaj ky i fundit nuk e bën dot lehtësuesin e dialogut mes palëve.

Po atëherë pse ai e ka veshur me zell këtë kostum?

Sipas të gjitha gjasave, loja e tij më shumë sesa për të arritur qëllimin po bëhet për të treguar se ai nuk është kundër ndërkombëtarëve.

Prandaj kjo lëvizje nuk është një përpjekje serioze për të arritur qëllimin.

Ajo ka të bëjë më tepër me një mani të kotë protagonizmi, që në rastin më të keq, mund të merret si një shantazh i vogël ndaj Ramës, ndërsa në rastin më të mirë, si një përpjekje për të fashitur zërat, se Ilir Meta nuk e do realisht këtë reformë, pasi mund të jetë një nga viktimat e saj. (Lapsi.al)