• |
ide | kryesore

“Gjak mbi Brexit”/ Si lexohet vrasja para referendumit?

Arkiva, Planet
brexit-800x500.jpg



E ndjek prej 30 vitesh politikën ndërkombëtare, dhe ka një rregull pothuaj të hekurt: sa herë që zgjedhësit thirren të votojnë gjatë valës së një emocioni të fortë kolektiv, mbi të gjitha kur derdhet gjak i pafajshëm, rezultati bëhet lehtësisht i parashikueshëm dhe ka një ndikim të tillë, sa ta përmbysë kuadrin politik.

Një shembull i kohëve të fundit ishte Turqia: në zgjedhjet e fundit politike, partia e Erdoganit rrezikonte të humbiste shumicën e domosdoshme për të realizuar reformat e domosdoshme kushtetuese, por bomba që shpërtheu gjatë marshimit të pacifistëve në Ankara ka ndryshuar vlerat dhe perceptimet e votuesve, duke i nxitur të bashkohen përreth institucioneve. Rezultati: Erdogani fitoi sërish.

Një lexues më kujton një episod shumë të ngjashëm me atë që ndodhi në Britaninë e Madhe dy ditë më parë. Në Suedi, në vitin 2003, zgjedhësit u thirrën të votojnë në një referendum pro apo kundër futjes së Euros. Sondazhet flisnin për një avantazh të kundërshtarëve, por 4 ditë para votimit, zëdhënësja e frontit pro futjes së Euros, Anna Lindh, u sulmua dhe u vra. Analogjitë janë të jashtëzakonshme, madje tronditëse: e njëjta moshë me Cox (42 vjeç), vrasje e kryer nga një i marrë.

I njëjti skenar ndodh tani në Britaninë e Madhe, i amplifikuar në një vend i cili është shumë më i ndjeshëm se sa Suedia, ndaj spin-it (thurjes) së lajmit. Edhe sepse vrasja, që në krye të herës, u shenjua politikisht: vrasësi mendohet se ka thirrur “Britain first”. Them që mendohet, për shkak se këtë frazë e ka dëgjuar vetëm një dëshmitar, ndërkohë që të tjerë të pranishëm në skenë nuk kanë dëgjuar asgjë. Por në këto momente, rindërtimi i saktë i asaj që është dëgjuar, pak vlen. Vlen vetëm përshtypja e parë, vlejnë titujt e parë të agjencive që i japim tonin ngjarjes. Dhe në fakt të gjithë kanë vendosur titullin: “Gjak mbi Brexit”, duke lënë të kuptohet një lidhje të vrasjes së Jo Cox, me frontin kundër BE. Një operacion i turpshëm, por tipik i spin-it (thurjes, ose vërtitjes së lajmit sipas interesit).

Përzierja është “vdekjeprurëse”

– Një deputete e re në moshë vritet ndërsa bën fushatë. Ka fytyrën e pastër, kishte një bashkëshort ekzemplar, lë pas dy jetimë.

– Vritet nga një i marrë, që e masakron duke bërë thirrje nacionaliste.

Toni i fushatës ndryshon: argumentat i lënë vendin ngushëllimeve, tonet zbuten dhe mbi të gjitha ndryshon psikologjia e zgjedhësve të pavendosur: zemërimi ia lë vendin frikës, tmerrit. Dhe kur ka pasiguri, nuk braktiset rruga e ndjekur deri më tani.

Do të kish qenë korrekte – dhe deri në një farë mase, e detyrueshme – që votimi të shtyhej me disa muaj. Por kjo nuk do të ndodhë, me siguri establishmenti politik nuk do ta propozojë.

Ai establishment ishte shumë i trazuar deri disa ditë më parë, ndërsa tani bën gjumë të qetë, gjë që e vërtetojnë edhe bookmakers-at anglezë si dhe Bursa, e cila krejt papritur është bërë optimiste.

Brexit ka humbur tashmë. Në mënyrën më të keqe për një demokraci. /Marcello Foa/Il Giornale – Në shqip nga bota.al