• |
ide | kryesore

Nuk është mburrje të jesh shqiptar

Arkiva, Blog
dimal-basha-shshqip-express_1465895029-593858.jpg



Nga Dimal Basha/ Para pak ditësh argumentova idenë se fëmijët e lindur, të rritur dhe të formuar në diasporë nuk i kanë borxh Kosovës e Shqipërisë përfaqësimin në sporte dhe se lojaliteti i tyre duhet të jetë vendlindja e tyre që ju ka ofruar atyre mundësitë dhe kushtet për suksesin e tyre. Sigurisht nuk shkoi gjatë para se patriotët me bateri filluan të thërrasin për linçimin tim si tradhtar, sepse sipas tyre, fëmijët e lindur jashtë Shqipërisë e Kosovës i kanë me borxh suksesin vendlindjes se prindërve të tyre e jo vendit ku janë lindur, rritur e formuar. Linçimi im prej tradhtari kërkohej për dy arsye.

E para, sepse argumenti im thyente kodin e një patrioti. Tani më duhet të ndalem këtu që t’i japim një definim patriotizmit që të kemi mundësi të bëjmë dallimin e patriotëve dhe pseudopatriotëve. Për mendimin tim patriotët të vërtetë janë ata që kontribuojnë me vepra të mira për vendin e tyre, kurse pseudopatriotë janë ata që unë i njoh gjithashtu si patriotët e karnavaleve, të cilët janë të bindur se britmat dhe ofendimet e tyre i kontribuojnë mirëqenies dhe i shtojnë vlera atij vendi. Pra patriotët kryejnë punë e jo fjalë, sepse vetëm veprat dhe puna e mirë i shtojnë vlerë atij vendi, derisa britmat dhe ofendimet e një grupi të madh patriot karnavalesh vetëm çka shtojnë zhurmë dhe kontribuojnë në ndotjen e mëtutjeshme të ambientit.

Arsyeja e dytë që kërkonin linçimin tim prej një tradhtari ishte se unë po mohoja identitetin tim dhe nuk mburresha se jam shqiptarë. Fillimisht më duhet të qartësoj se unë nuk mohoj dhe se është e pamundur të mohosh identitetin. Kurse te pyetja se a duhet të mburremi dhe të rrahim gjoks se jemi shqiptarë, kjo besoj meriton një rishikim të sinqertë të shohim se çka në të vërtetë na bënë të mburremi se jemi shqiptarë. Për të analizuar këtë duhet të theksohet se veprat, arritjet dhe sukseset janë matësi i mburrjes dhe krenarisë së secilit komb, përndryshe, të qenit shqiptarë në vete nuk është krenari dhe s’ka ndonjë vlerë. Ja një shembull që sqaron këtë dallim. Mendoni sikur fëmija juaj përfundon të jetë një vrasës dhe kriminel. Por mendojeni sikur ai të jetë një shkencëtar i famshëm. Në rastin e pare sigurisht se ndiheni krenarë si prind për suksesin e fëmijës tuaj, derisa në të dytin turpëroheni. Që të dyja këto raste ilustrojnë se janë veprat që përcaktojnë krenarinë apo mburrjen tuaj.

Ose ja një eksperiment mendor që ndoshta ju ofron një qasje ndryshe nëse vërtet besoni se nuk ka krenari më të madhe se të jesh shqiptar. Mendoni se cila do ishte zgjidhja juaj nëse do të kishit mundësi të zgjidhni se cilit komb t’i takoni. Sa prej jush do të kishit zgjedhur zgjidhni Kosovën ose Shqipërinë si vendlindje? Sa prej jush me dëshirë do kishit kërkuar të jeni qytetar i këtyre vendeve të korruptuara, të varfra dhe pa asnjë perspektivë? Poenta e këtij eksperimenti mendor është se kur e bëni një zgjidhje të tillë asnjë nga ju nuk do kishit shtruar pyetjen se cili komb është më krenar për të zgjedhur si vendlindjen tuaj, por informatat e vetme që kishit kërkuar për të bërë një zgjedhje racionale do të ishte se cili vend ofron më shumë mirëqenie dhe mundësi për suksses. Me këtë dua të konstatoj pra se të qenit shqiptar nuk përmban vlerë në vete që dikush të mburret me të, dhe se krenaria dhe mburrja matet me suksesin dhe punën dhe jo me britma e ofendime.

Të ndalemi tash tek arritjet dhe sukseset për të shikuar nëse kemi me çka të mburremi. Pasqyra e deritanishme tregon se të dy vendet sikur Kosova gjithashtu edhe Shqipëria, kryesojnë si vendet më të korruptuara në Evropë, qytetarët e të cilave vende vdesin nga gjërat elementare shëndetësore. Të dyja shtetet shquhen për papunësinë më të madhe në kontinent dhe vazhdojnë të kenë popullsitë më të varfra, derisa pushtetarët janë milionerë. Të dy shtetet ende kanë problem serioze me zakone primitive që krijojnë patriot primitivë që ende sot vrasin njëri tjetrin në emër të hakmarrjes, ku mbi 2000 familjeve që edhe sot jetojnë të ngujuara. Të dy anët e kufirit vazhdojnë të cilësohen si disa nga shoqëritë më homofobikë në Evropë.  Derisa gjendemi në fund të të gjitha ranglistave në të gjitha fushat me vlerë, vendi e vetëm ku kryesojmë është me numrin më të madh të xhihadistëve për kokë banori. Gjithashtu trojet tona shquhen për impulset patriarkale ku gratë sot përbëjnë 10% të pronarëve të kompanive private dhe gëzojnë vetëm 8% të pronave private. Të dy vendet vazhdojnë të mbesin si shtetet më të izoluara në kontinent ku njerëzit ende kërcënohen për shkak të mendimeve që shprehin. Asnjëri nga këto vende nuk njihen që i japin botës mendje të ndritura apo për prodhim të ndonjë teknologjie që do kishim arsye të mburremi. Shumica çka prodhohet në këto vende është analfabetizmi, dhe një patriotizëm karnavalesh me shumë zhurmë që kontribuon vetëm në ndotjen e ambientit. Edhe unë do dëshiroja të ishte ndryshe. Të kishim një vend që do kishte pushtetarë të sinqertë ku do të punonin drejtë dhe do të ofronin mirëqenie dhe zhvillim. Një vend ku njerëzit do zgjoheshin me mendje tek puna e jo si të ikin prej aty. Ku ka krenari tek një vend ku qytetarët mendojnë si të ikin prej aty? Çka ka të mburremi aty? Të gjithë do dëshironim të ishim sikur gjermanët, francezët, anglezët, amerikanët, e shumë kombe tjera që mbajnë primatin për zhvillimet në arsim, ekonomi dhe shkencë. Por ato mbesin vetëm dëshira të secilit por ja që faktet për ne flasin ndryshe. Sado që nuk na pëlqen, apo sado që mundohemi ta zbukurojmë, ne prapë mbesim ajo që flasin faktet më lartë.

Ka plot shqiptarë që janë të suksesshëm individualisht, mirëpo kur flasim si kolektivitet, pra kur flitet për funksionimin e shqiptarëve në formë orkestrale ne kemi qenë dhe ende besoj rezultojmë të dështuar në krahasim me civilizimet e tjera. Nuk kërkohet të jesh fizikant i shkencave nukleare që të kuptosh realitetin. Nëse hedh sy tek e kaluara e kupton se gjithmonë kemi qenë të shtypur e të pushtuar. Nëse kërkon të kuptosh të ardhmen, e merr si pasqyrë të tashmen dhe kupton rrugëtimin që pritet për të ardhmen. Gjendja e mjerueshme e dy vendeve flet mjaftueshëm për të arriturat dhe suksesin e shqiptarëve si kolektivitet. Pra kjo nuk do të thotë që të mohoni identitetin tuaj, por edhe nuk është se duhet patjetër të mburremi sepse s’kemi krijuar vepra e suksese që kanë lënë nam për t’u mburrur.

Për fund, unë e kuptoj se këto tema janë shumë emocionale, mirëpo për të qenë racional kërkohet që të përdorni trurin e jo emocionet. Të qenit shqiptarë është vetëm punë fati  – apo shpeshherë fatkeqësie kisha për të shtuar unë –  dhe të qenit i tillë në vete nuk ka asnjë vlerë që meriton të mburremi, sepse krenaria apo mburrja duhet të matet me punën, të arritur, dhe sukseset që kanë kontribuar në mirëqenien e njerëzimit dhe rrethit ku jetoni, diçka që shqiptarët nuk shquhen as për njërën e as për tjetrën. Kurse kur vjen fjala te patriotët e karnavaleve, unë them se britmat dhe ofendimet tuaja vetëm çka kontribuojnë në zhurmë shtesë që ndot ambientin më tej, mirëpo asnjëherë nuk i shtojnë ndonjë vlerë apo sukses atij vendi. Kjo nuk do të thotë të mohojmë çka jemi, por duhet reflektuar sinqerisht në atë se kush jemi, sepse sa më parë që të kuptojmë se jemi askushi, aq më shpejtë do të arrijmë të bëhemi dikushi. /Express/



5 Comments

  1. po ti or palle po i ben qefin vetes

    idiot shkrues ne idiot portal. As i rruhet kurkujt se kush debili qenke. Sapo fillon te lexosh s'te behet te shkosh me poshte. Shkrimi i nje merhumi qe do te behet patjeter i rendesishem qofte duke sakrifikuar te shahet nga gruaja, motra e cfare te kete pragu i shtepise.Cte thuash ?! Qe kur fillon e na tregon se para disa diteve paske shkruajtur nje shkrim e pastaj te paskan akuzuar si "tradhetar" e pasatj fillon te argumetosh me copy paste perkufizimet e patriotizmit, duket se nje i mjere ne kerkim te te qenit sado pak i rendesishem. Nuk munda te vazhdoja te lexoja me tej dhe meqe s'e kam lexuar s'kam cfare te shkruaj me shume, pervec faktit qe ta ben mu se kemi nje mjeran ne kerkim te deshperuar per t'u konsideruar i rendesisshem. Njesoj si pornaret e portalit 😛

  2. une jam dakort me shkrimin,

    une jam dakort me shkrimin, madje kisha gjera per te shtuar.

  3. E lexova shkrimin; qe ne

    E lexova shkrimin; qe ne titull eshte gabim se tjeter gje eshte krekosja dhe tjeter gje eshte krenaria. Shqiptari nuk eshte krekosur asnjehere/mburrur, po per krenar nuk ka pse te mos jete.

    Nuk e di saktesisht nje proverb orjental qe thotepak a shume: provove dicka ne pazar, ke te drejten o ta blesh o ta beshtysh. Une e lexova/provova shkrimin tat dhe kam te drejte ta beshtyje.

  4. “O sa mire me kene shqiptar”,

    "O sa mire me kene shqiptar", eshte sllogani qe unifikon kombin e ndare ne pjese. Shqiptare te Shqiperise, te kosoves, Camerise, malit te Zi, Maqedonise, Amerikes, emigracionit, etj,etj. Nje komb i shperndare neper bote per shkak te historise se trazuar, por qe futbolli i bashkon dhe arrin te tregoje forcen e vertete te tij. Nuk ka lidhje fare me ato qe shkruan ti, o trangull.  

  5. Faleminderit Dimal Basha qe

    Faleminderit Dimal Basha qe ke kontribuar per rehabilitimin e vetedijes se shoqerise shqipetare.Duhet te jemi kritik ndaj vetes tone dhe shoqerise tone,ne menyre qe ta permiresojme ate.Te gjithe e dijne dhe e dime qe jemi shume larg integrimit per ne shoqerine humane moderne te shekullit te XXI.Ti leme menjane disa tradita te lashta dhe kanune pa logjike.