• |
ide | kryesore

Vazhdimisht Franca, po pse?

Arkiva, Planet
franca.jpg



Franca ka pësuar deri tani shtatë atentate terroriste me më shumë se 140 të vrarë. Pse bëhet Franca kaq shpesh objektiv i sulmeve terroriste? Këtë e shpjegon për DW politologia dhe njohësja e Francës Ronja Kempin. Ronja Kempin: Ka disa shkaqe që ndërthurren me njëra-tjetrën dhe që e bëjnë kaq të plagosshme Francën. Nga njëra anë Franca bën pjesë në vendet që merr pjesë shumë fort në të ashtuquajturën luftë ndërkombëtare kundër terrorizmit. Franca ka aktivitet ushtarak në Siri dhe në Irak dhe bombardon atje pozicionet e "Shtetit Islamik".

Së dyti, ne nuk duhet të harrojmë që për shkak të së kaluarës së saj koloniale, Franca ka një komunitet të madh mysliman, që ka nënshtetësi të dyfishtë, pra nënshtetësinë franceze dhe zakonisht edhe nënshtetësinë e vendit të origjinës. Që t'i kontrollojë këta qytetarë në momentin kur ata radikalizohen është shumë e vështirë për autoritetet franceze, sepse me pasaportën e tyre franceze ata mund të hynë dhe dalin shumë lehtë nga vendi. Atyre nuk u duhet vizë, për të qendruar si sirianë, tunizianë ose algjerianë në Francë.

Pastaj ka edhe shkaqe, të cilat natyrisht duhen kërkuar brenda vendit. Franca është një shtet laik. Pra në vend ekziston një ndarje e rreptë midis kishës dhe shtetit. Shteti nuk ndihet përgjegjës për interesat fetare. Radikalizimet që kanë ndodhur në komunitetet myslimane në të kaluarën e kanë anashkaluar shtetin, sepse shteti thjesht nuk ndihej përgjegjës.

Veç kësaj vendi ka një papunësi shumë të madhe për momentin. Gati dhjetë përqind e popullit është e papunë. Papunësia tek të rinjtë me origjinë migranti është 46 përqind. Këta të rinj nuk kanë perspektivë. Këtu ne kemi potencial për radikalizim brenda vendit.

Së fundi, bashkëpunimi i shërbimeve të fshehta franceze mbetet problematik. Shërbimet e fshehta franceze bashkëpunojnë në mënyrë jo të mjaftueshme me njëra-tjetrën. Krijohen herë pas here boshllëqe informacioni, njëkohësisht politika nuk gjen mjete që ta përmirësojë bashkëpunimin mes shërbimeve. Boshllëqet që krijohen aty, siç e shohim në atentate, kanë shpesh pasoja fatale për vendin dhe popullin.

Janë disa vende që bëjnë pjesë në këtë front kundër terrorit islamik. Edhe atje ka probleme sociale. Pse ajo që goditet është gjithmonë Franca?

Po ta krahasoni gjendjen për shembull me Britaninë e Madhe ose SHBA, dy vendet më të shquara që janë po të angazhuara ushtarakisht në luftë kundër Shtetit Islamik, atëherë të bie në sy se nga ana gjeografike Franca arrihet shumë më thjesht, se për shembull Britania e Madhe që është ishull. SHBA janë gjithashtu shumë më vështirë të arrihen, se territori francez.


Ronja Kempin

Ronja Kempin

Sa e prisni një reagim të fortë të Francës pas atentatit?

Për momentin besoj që mund të them se një angazhim shtesë ushtarak në rajon është shumë i vështirë të përballohet nga qeveria franceze.

Nuk duhet të harrojmë se që prej atentateve nëntorin e kaluar brenda vendit janë angazhuar mbi dhjetë mijë ushtare dhe ushtarë. Kjo natyrisht e dobëson Francën në aftësinë e saj për të vepruar në politikën e jashtme.

Ronja Kempin analizon gjendjen në Francë për Fondacionin Shkenca dhe Politika në Berlin. Ajo ka studiuar politologji në Paris.