• |
ide | kryesore

Noam Chomsky: Socializmi i vërtetë u çlirua me rënien e bolshevizmit

Arkiva, Planet
noam.jpg



 

Në një kohë kur kapitalizmi global, me neoliberalizmin si shoqërues të domosdoshëm, ka gjetur shtrirje në mbarë rruzullin, ka rëndësi të veçantë të rishikohen disa prej traditave kryesore radikale të shekullit të XIX dhe të XX – pikërisht anarkizmi dhe komunizmi. Cilat janë parimet e tyre? Cilat dallimet kryesore? A përfaqësonte komunizmi sovjetik një formë autentike të socializmit apo ishte një “shtet punëtorësh i deformuar” – apo më keq akoma një formë tiranike e kapitalizmit shtetëror?

C.J. Polychroniou: Noam, që nga fundi i shek. XIX deri në mesin e madje fundin e shek. XX anarkizmi dhe komunizmi përfaqësonin lëvizje të gjalla dhe plot jetë në mbarë botën e Perëndimit, si edhe në Amerikën Latine dhe në disa zona të Azisë dhe Afrikës. Megjithatë, terreni politik dhe ideologjik duket se u zhvendos rrënjësisht nga fillimi deri në fundin e viteve 1980 deri në atë pikë sa, megjithëse rezistenca ndaj kapitalizmit ngelet  e pranishme, është përgjithësisht e kufizuar dhe e zbrazur nga vizioni i një strategjie për themelimin e një rendi të ri socio-ekonomik. Përse anarkizmi dhe komunizmi lulëzuan në atë periudhë dhe cilët janë faktorët kyç në transformimin e tyre nga ideologji botëkuptimore në ide të margjinalizuara?

Noam Chomsky: Nëse e hedhim shikimin më nga afër, besoj se mund të gjejmë lëvizje të gjalla dhe plot jetë të demokracisë radikale, shpesh të mbrujtura me elementë të ideve dhe formave të veprimit anarkist dhe komunist, përgjatë periudhave të trazirave dhe rrëmujës, kur – po parafrazoj Gramsci-n – e vjetra po shembet dhe e reja ende nuk ka lindur, por parashtron perspektiva ngazëlluese.  Kështu, në Amerikën e fundit të shek. XIX, kur kapitalizmi industrial po i shtynte fermerët e pavarur dhe artizanët drejt tjetërsimit në proletariat industrial, çka shkaktoi një rezistencë të fortë, një lëvizje e fuqishme dhe militante punëtore u ngrit duke u bazuar në parimin se “ata që punojnë nëpër mullinj duhet edhe të jenë zotëruesit e tyre”, e cila u ndoq nga një lëvizje fermerësh që synonte t’i çlironte këta të fundit nga kthetrat e bankave dhe tregtarëve. Epoka dramatike e shkolonizimit gjithashtu u dha jetë lëvizjeve radikale të ndryshme. Dhe nuk bëhet fjalë për të vetmet raste, edhe në vitet 1960. Periudha neoliberale, që prej viteve ’80, ka shënuar hapa prapa dhe margjinalizim për pjesën më të madhe të popullsisë së botës, por urithi i vjetër i [Karl] Marksit nuk është kurrë larg sipërfaqes dhe shfaqet atëherë kur s’e presim. Përhapja e ndërmarrjeve dhe kooperativave që zotërohen nga punëtorët në SHBA, megjithëse jo tërësisht anarkiste apo komuniste në karakter, mbart me vete farën e një transformimi të gjerë radikal, dhe këto nuk janë të vetmet raste.

 Anarkizmi dhe komunizmi kanë shumë ngjashmëri, por kanë qenë gjithashtu armiq të betuar që prej kohës së Marksit dhe [anarkistit rus Mikhail] Bakuninit. A janë dallimet mes tyre tërësisht strategjike sa i përket tranzicionit nga kapitalizmi në socializëm, apo paraqesin perspektiva të ndryshme lidhur me natyrën njerëzore dhe marrëdhëniet ekonomike e shoqërore?

Mendimi im është se tabloja ka më shumë nuanca. Kështu, marksizmi antibolshevik është mjaft afër anarko-sindikalizmit. Figura kryesore marksiste si Karl Korsch-i ishin mbështetëse të revolucionit anarkist në Spanjë. Libri i Daniel Guerin-it ‘Anarkizmi’ i afrohet mjaft marksizmit të majtë. Gjatë periudhës së tij prej ‘të majti’ në mesin e viteve 1917, shkrimet e Leninit, veçanërisht ‘Shteti dhe revolucioni’, kishin një qasje anarkiste. Padyshim që kishte edhe konflikte mbi taktikat dhe çështje të tjera madhore. Kritika e anarkizmit nga Engelsi është një shembull i njohur. Marksi kishte shumë pak për të thënë mbi shoqërinë paskapitaliste, por shtysa kryesore e mendimit të tij për qëllimet afatgjata duket mjaft e ngjashme me prirjet e ideve dhe praktikës anarkiste.

Disa tradita anarkiste, të influencuara nga Bakunini, predikojnë dhunën si një mënyrë për të arritur ndryshime shoqërore, ndërsa të tjera të ndikuara nga [anarkisti rus Pyotr] Kropotkini duket se e konsiderojnë dhunën jo vetëm politikisht të papërshtatshme për arritjen e një rendi social të drejtë, por edhe moralisht të pambrojtshme. Tradita komuniste gjithashtu është ndarë mbi përdorimin e dhunës edhe në kushte në të cilat dukeshin të përshtatshme për revolucion. A mundet që revolucionet sociale të arrihen pa dhunë?

Nuk mendoj se mund të ketë një përgjigje të përgjithshme. Përpjekjet për të tejkaluar pushtetin dhe privilegjin klasor sigurisht që do të hasin në rezistencë, në disa raste të dhunshme. Ndoshta vjen një pikë ku dhuna si mekanizëm mbrojtjeje ndaj përpjekjes për të ruajtur pushtetin me forcë është e legjitimuar. Sigurisht në instancë të fundit.

Në shkrimet tuaja keni shprehur qëndrimin se Bashkimi Sovjetik nuk ka qenë kurrë shtet socialist. A e pranoni qasjen se ka qenë një “shtet punëtorësh i deformuar” apo mendoni se ishte një formë e kapitalizmit shtetëror?

Termat e diskursit politik nuk janë modele të sakta. Që kur u eliminuan sovjetët dhe këshillat e fabrikave – tepër herët – nuk kishte ngelur më as shenja e një “shteti punëtorësh”. [Këshillat e fabrikave ishin forma të organizimit politik dhe ekonomik në të cilin vendi i punës kontrollohej në mënyrë kolektive nga punëtorët.] Sistemi sovjetik kishte punën me mëditje dhe tipare të tjera të kapitalizmit, prandaj mendoj se nga ky aspekt mund të quhet një lloj kapitalizmi shtetëror tiranik.

Në disa qarqe komuniste është bërë dallimi mes leninizmit dhe stalinizmit, ndërsa komunistët më ortodoksë kanë argumentuar se Bashkimi Sovjetik nisi ta braktisë gradualisht socializmin me ardhjen në pushtet të Nikita Hrushovit. A mund të komentoni lidhur me këto dy qasje, duke i mëshuar më shumë dallimit mes leninizmit dhe stalinizmit?

Unë do ta vendosja braktisjen e socializmit shumë më herët, nën Leninin dhe Trockin, për aq kohë sa socializmi kuptohet si kontrolli i punëtorëve mbi mjetet e prodhimit. Fara e stalinizmit gjendej në vitet e para të bolshevizmit, pjesërisht si pasojë e gjendjes së jashtëzakonshme të luftës civile dhe pushtimit të huaj, dhe pjesërisht në ideologjinë leniniste. Me Stalinin u kthye në një makth të vërtetë.

Të përballur me sfidat dhe kërcënimet (si të jashtme, edhe të brendshme) pas marrjes së pushtetit, a kishin bolshevikët ndonjë rrugë tjetër përveç centralizimit të pushtetit, krijimit të një ushtrie dhe mbrojtjes së Revolucionit të Tetorit me çdo kusht?

Është më e përshtatshme, mendoj unë, të pyesim nëse bolshevikët kishin apo jo ndonjë mundësi tjetër për të mbrojtur pushtetin e tyre. Duke përdorur mjetet që zgjodhën, ata shkatërruan arritjet e revolucionit popullor. A kishin alternativë tjetër? Mendoj se po, por kjo pyetje na çon në një terren të vështirë dhe tepër të kontestuar. Është e mundur, për shembull, që në vend se të injoronin mendimet e Marksit të viteve të fundit mbi potencialin revolucionar të fshatarësisë ruse, mund t’i kishin ndjekur ato ide dhe të kishin ofruar mbështetje për organizimin dhe aktivizmin e fshatarësisë në vend se t’i margjinalizonin (apo më keq). Mund t’i kishin shtyrë përpara në vend se t’i minonin sovjetët dhe këshillat e fabrikave. Por të gjitha këto ngrenë pyetje të tjera sa i përket fakteve dhe spekulimeve lidhur me mundësitë reale – për shembull për të ngritur një Ushtri të Kuqe të disiplinuar dhe efektive, zgjedhjen mes taktikave guerile dhe atyre ushtarake konvencionale, luftës politike kundrejt asaj ushtarake dhe sa e sa të tjera.

A e pranoni qasjen se kampet e punës dhe krime të tjera çnjerëzore që ndodhën nën regjimin e Stalinit nuk do kishin ndodhur nëse Lenini apo Trocki do qenë në pushtet?

Dyshoj fort se Lenini apo Trocki do të kishin kryer krime si këto.

Dhe si e shikoni revolucionin maoist? A ishte Kina në ndonjë periudhë shtet socialist?

“Revolucioni maoist” ishte një çështje komplekse. Ekzistonte një element i fuqishëm popullor në marksizmin kinez që trajtohet në mënyrë të shkëlqyer nga Maurice Meisner. Studimi mbresëlënës nga William Hinton,Fanshen, kap në mënyrë të qartë një moment ndryshimi të thellë revolucionar jo vetëm në praktikën shoqërore, por edhe në mentalitetin dhe ndërgjegjen e fshatarësisë, me kuadrot e partive që shpesh i nënshtroheshin kontrollit popullor. Më vonë, sistemi totalitar ishte përgjegjës për krime të tmerrshme, sidomos “Hapi i Madh Përpara” me numrin e madh të të vdekurve prej dhjetëra milionësh. Përtej këtyre krimeve, siç tregohet nga ekonomistët Amartya Sen dhe Jean Dreze, që prej pavarësisë deri në vitin 1979, kur filluan reformat e Tenit, programet kineze të shëndetit dhe zhvillimit rural shpëtuan jetët e rreth 100 milion personave në krahasim me Indinë e të njëjtës periudhë. Se sa kjo ka të bëjë me socializmin varet nga interpretimi i këtij termi të shumëpërfolur.

Kuba nën Kastron?

Në një analizë që mund t’i bëhet Kubës që prej shpalljes së pavarësisë me Kastron në vitin 1959, nuk mund të anashkalohet fakti se thuajse që nga momenti i parë Kuba ishte shënjestër e sulmeve të forta nga ana e superfuqisë botërore. Nga fundi i 1959-s, aeroplanë të pozicionuar në Florida bombardonin Kubën. Në mars u mor një vendim i fshehtë për të përmbysur qeverinë. Administrata e Kennedy-t ndërmori mësymjen e Gjirit të Derrave. Dështimi i saj shkaktoi thuajse histeri në Uashington, dhe Kennedy nisi një luftë për të “bërë qametin” në Kubë, sipas fjalëve të bashkëpunëtorit të tij historianit Arthur Schlesinger, në gjysmëbiografinë e Robert Kennedy-t, që u vu në krye të operacionit. Nuk ishte një ngjarje e parëndësishme dhe përbënte një ndër faktorët që solli krizën e raketave, çka Schlesinger-i me të drejtë e quajti momentin më të rrezikshëm në histori. Lufta terroriste vazhdoi edhe pas krizës. Sakaq, një embargo shtypëse u vendos duke shkaktuar një krizë të rëndë në Kubë. Vazhdon edhe sot e kësaj dite, e kundërshtuar nga e gjithë bota.

Kur ndihma e Rusisë mbaroi, Clinton-i e bëri embargon më të egër, e disa vite më pas Akti Helms-Burton e vështirësoi edhe më. Pasojat sigurisht kanë qenë të rënda. Ato janë trajtuar në mënyrë të përshtatshme ngaSalim Lamrani. Veçanërisht të rënda kanë qenë pasojat mbi sistemin shëndetësor të privuar nga ilaçe bazë. Me gjithë sulmin, Kuba ka zhvilluar një sistem mjekësor mbresëlënës dhe ka një kontribut të pamat në internacionalizmin mjekësor – ashtu si edhe një rol të rëndësishëm në çlirimin e Afrikës dhe fundin e regjimit të aparteidit [në Afrikën e Jugut]. Kanë ndodhur edhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, megjithatë të pakrahasueshme me standardin e vendeve të rajonit të dominuara nga SHBA-ja apo vendet e mbështetura prej saj në Amerikën Latine. Për të mos harruar se shkeljet më flagrante të të drejtave të njeriut në Kubë në vitet e fundit janë kryer në Guantnamo, të cilën SHBA ia mori Kubës me armë në fillimin e shek. XX dhe që refuzon t’ia kthejë. Në tërësi, një histori e ngatërruar dhe e vështirë për t’u vlerësuar duke parë kushtet komplekse.

Në qasje të fundit, a e konsideron kolapsin e të ashtuquajturit “real-socializëm” një ngjarje pozitive, dhe nëse po, pse? Në ç’mënyrë kjo ngjarje ka sjellë përfitime për vizionin socialist?

Kur Bashkimi Sovjetik ra, shkrova një artikull ku përshkruaja ngjarjet si një fitore e vogël për socializmin jo vetëm sepse kishte rënë një prej vendeve më antisocialiste në botë, ku punëtorët kishin më pak të drejta se në Perëndim, por edhe sepse e çliroi termin “socializëm” nga barra e të qenit i lidhur në propagandën e sistemeve të Lindjes dhe Perëndimit me tiraninë sovjetike – për Lindjen me qëllim përfitimin nga aura e socializmit autentik, për Perëndimin me qëllim demonizimin e konceptit.

Argumenti im mbi atë që u quajt “real-socializëm” ka qenë se shteti sovjetik u përpoq që në nisje që të mblidhte energjitë e popullit të vet dhe të popujve të shtypur gjetiu dhe t’i vinte në shërbim të njerëzve që përfituan nga ngjarjet e Rusisë së 1917-s për të marrë frenat e shtetit.

Që prej origjinës së tij, socializmi ka nënkuptuar çlirimin e punëtorëve nga shfrytëzimi. Siç ka vërejtur teoricieni marksist Anton Pannekoek, “ky qëllim nuk u arrit dhe nuk mund të arrihet nga një klasë e re drejtuese dhe qeverisëse që zëvendëson borgjezinë,” por mund të arrihet “nga vetë punëtorët që bëhen zotër të procesit të prodhimit.” Marrja në dorë e mjeteve të prodhimit nga prodhuesit është esenca e socializmit dhe mënyrat për arritjen e këtij qëllimi janë krijuar vazhdimisht gjatë periudhave të përplasjeve revolucionare, kundër opozitës së egër të klasave tradicionale sunduese dhe kundër “intelektualëve revolucionarë” të drejtuar nga parimi bazë i leninizmit dhe menaxherializmit perëndimor, që u përshtatet kushteve të caktuara. Por parimi bazë i idealit socialist ngelet: të kthejë mjetet e prodhimit në zotërimin e prodhuesve të shoqërizuar, e bashkë me të pronën e përbashkët të popullit që e ka çliruar vetveten nga shfrytëzimi i pronarëve, si një hap themelor drejt një realiteti të lirisë së njeriut.

 Inteligjencia leniniste kishte një agjendë të ndryshme nga kjo. Ata i përshtaten përshkrimit marksist të “konspiratorëve” që e “pengojnë zhvillimin e procesit revolucionar” dhe e deformojnë sipas qëllimeve të tyre. “Këndej lind përçmimi i thellë i tyre për emancipimin teorik të punëtorëve lidhur me interesin e tyre klasor,” që përfshinte përmbysjen e burokracisë së kuqe për të cilën paralajmëroi Bakunini dhe krijimin e mekanizmit të kontrollit demokratik mbi prodhimin dhe jetën sociale. Për leninistët, masat duhet të disiplinohen, ndërsa socialisti do të përpiqet të arrijë një rend social në të cilin disiplina “do të jetë e panevojshme” pasi prodhuesit e shoqërizuar vullnetarisht do të “punojnë për hesap të tyre” (Marks). Socializmi libertarian, për më tepër, nuk i kufizon qëllimet e veta te kontrolli demokratik i prodhuesve mbi prodhimin, por mëton të zhdukë të gjitha format e sundimit dhe hierarkisë në çdo aspekt të jetës sociale dhe personale – një përpjekje e pafund, pasi progresi për arritjen e një shoqërie më të drejtë do të sjellë një këndvështrim të ri të formave të shtypjes që rrinë fshehur në praktikat dhe ndërgjegjen tradicionale.

Antagonizmi leninist ndaj aspekteve më esenciale të socializmit ishte i dukshëm që në nisje. Në Rusinë revolucionare, sovjetët dhe komitetet e fabrikave u zhvilluan si instrumente të luftës dhe çlirimit, me shumë të meta, por me një potencial të pasur. Lenini dhe Trocki, pasi morën pushtetin, menjëherë u përkushtuan në shkatërrimin e potencialit çlirues të këtyre instrumenteve, duke vendosur pushtetin e Partisë [Komuniste]. Praktikisht Komitetin Qendror dhe udhëheqësit sipërorë – pikërisht ashtu siç e kishte parashikuar Trocki para shumë vitesh, apo paralajmëruar Roza Luksemburg e marksistë të tjerë të majtë në atë kohë dhe siç ishte kuptuar gjithmonë nga anarkistët. Jo vetëm masat, por edhe Partia duhet t’i nënshtrohet “kontrollit vigjilent nga lart”, kjo ishte qasja e Trockit ndërsa bënte kalimin nga intelektual revolucionar në klerik të shtetit. Para se të kapte pushtetin, udhëheqja bolshevike adoptoi shumë prej retorikës së atyre që ishin përfshirë në përpjekjen revolucionare nga poshtë, por qëllimet e tyre ishin të tjera. Kjo ishte e dukshme që më përpara dhe u bë më se e qartë pasi morën pushtetin në tetor të 1917-s.

Një historian simpatizant i bolshevikëve, E.H. Carr, shkruan se “prirja spontane e punëtorëve për t’u organizuar në komitete fabrikash dhe për të ndërhyrë në menaxhimin e fabrikave mori padyshim hov nga një revolucion i cili i bëri punëtorët të besonin se makineria prodhuese e vendit u përkiste atyre dhe mund të vihej në punë prej tyre sipas kërkesave të tyre dhe në favor të tyre”. Për punëtorët, siç u shpreh një delegat anarkist, “komitetet e fabrikave ishin qelizat e së ardhmes… Ato, dhe jo shteti, duhet të merrnin në dorë administrimin.”

Por klerikët shtetërorë kishin të tjera plane dhe vepruan menjëherë për shkatërrimin e komiteteve të fabrikave dhe kthimin e sovjetëve në organe të kontrolluara prej tyre. Në 3 nëntor Lenini deklaroi përmes “draft-dekretit mbi Kontrollin nga Punëtorët” se delegatët e zgjedhur për ta aplikuar këtë kontroll do t’i “përgjigjeshin shtetit për ruajtjen e rregullit dhe disiplinës më të rreptë dhe për ruajtjen e pronës.” Në fund të vitit, Lenini vuri në dukje se “kaluam nga kontrolli i punëtorëve në krijimin e Këshillit Suprem të Ekonomisë Kombëtare,” që kish për qëllim “të zëvendësonte, përthithte dhe tejkalonte instrumentin e kontrollit nga punëtorët” (Carr). “Vetë ideja e socializmit trupëzohet në konceptin e kontrollit nga punëtorët.” – u ankua një sindikalist menshevik. Udhëheqja bolshevike e shprehu të njëjtën ankesë në aksion e sipër, duke shkatërruar vetë idenë e socializmit.

Intervistë e marrë nga C.J. Polychroniou për revistën Trouthout, 17/07/16. përktheu Redi Muçi Organizata Politike