• |
ide | kryesore

Ditari i Sarandës/Si shihet nga jashtë

Arkiva, Blog
sfdgdf.JPG



Nga Enver Robelli
 
Çfarë mëson njeriu në Sarandë në korrik të vitit 2016? Rr. thotë: «Ta thotë vëllai ty: na shpëtoi Kosova! Grekët s’kanë lekë».
 
Në fakt Rr. nuk mendon grekët që besojnë se janë pasardhës të helenëve, jo, jo, Rr. e ka fjalën për shqiptarët që qe një çerekshekull bëjnë punët më të rënda në Greqi dhe kriza financiare i ka sjellë para falimentimit. Por shqiptarët s’dorëzohen. Shpesh i kanë punët më mirë se grekët e shtresës së mesme. Disa prej tyre janë kthyer në Sarandë dhe kanë sjellë përvojën e punës. Etikën e punës.
 
Çfarë mëson njeriu në Sarandë në korrik të vitit 2016? Mëson se Shqipëria paskësh një ishull me emrin e bukur dhe ekzotik: Tongo! Tingëllon si ndonjë ishull në Afrikë apo në Maledive. Është në Shqipëri, në fund të Shqipërisë, në vijën kufitare me Greqinë.
 
Çfarë mëson njeriu në Sarandë në korrik të vitit 2016? Mëson se në Ksamil e Butrint ka shumë veriorë, tashmë vendas, që dikur «shoku Enver» i sillte për të punuar në sektorin e bujqësisë. Veriorët dhe verioret nuk vilnin vetëm portokaj e limonë, por edhe ndonjë grua a burrë. Deti bën mrekulli – sidomos kur e sheh për herë të parë.
 
Çfarë mëson njeriu në Sarandë në korrik të vitit 2016? Mëson se në vitet ’80 afër Butrintit ushtarët shqiptarë nuk vranë diversantë francezë, por turistë kureshtarë që nga Korfuzi i dhanë skafit drejt Shqipërisë – për të parë se çfarë ka andej. Dhe gjetën vdekjen.
 
Çfarë mëson njeriu në Sarandë në korrik të vitit 2016? Mëson se këtu kanë qenë të gjithë – shoku Mehmet, shoku Enver, shoku Hrushçov, shokë e shoqe nga Kina e Kuba, por për shqiptarët e rëndomtë Saranda ishte një lloj zone e ndaluar, së paku përtej hotel Butrintit – pak më tutje çdo udhëtar ballafaqohej me barrierën në rrugë. Lejen për të ecur më tutje e lëshonte partia e krimit dhe djallëzisë.
Komunizmi i versionit shqiptar ishte i tmerrshëm, më i tmerrshmi pas Gulagut të Stalinit. Sot ne qeshim e tallemi me Korenë e Veriut – jo më larg se para një çerekshekulli Shqipëria ishte një lloj Koreje e Veriut në Mesdhe. Por komunizmi shqiptar kishte një të mirë: s’kishte beton.
Kur «erdhi demokracia» – ajo erdhi me miliona tonelata beton. Dhe betoni u hodh mbi udhë, në udhë dhe nën udhë. U hodh në male e parqe, në breg të detit dhe përtej bregut të detit, në male dhe në fusha, në ara dhe në vreshta. Parulla ishte kjo: ndërto, pastaj mendo! Dashuria më fatale e shqiptarit është dashuria ndaj betonit. Për fat të keq shumë koka betoni u futën në biznesin e betonit, kupto: ndërtimtarisë.
Por s’duhet stigmatizuar shumë Sarandën. Edhe në vende të tjera – nga Spanja në Turqi – mëkatet arkitektonike, krimet e betonit, shkatërrimet e natyrës janë të pafundme, ndonëse jo aq drastike si në Sarandë. Megjithatë, Spanja e ka dëshmuar: me arkitektë të mirë mund të bësh mrekulli. Pa shikoni sa miliona turistë shkojnë për vizitë në Barcelonë, Bilbao, Velencia…
 
Por për Sarandën duhet pasur një vizion, një përfytyrim se çfarë duhet bërë me këtë margaritar të bregdetit shqiptar. Për këtë do të ishte mirë të angazhoheshin arkitektë e arkitekte – shqiptarë dhe të huaj. Sepse Saranda mund të shpëtohet… Madje mund të bëhet Marbeilla apo Nica shqiptare.
2
Në pamjet e vjetra televizive Ksamili është një fshat i vogël, i rrethuar me agrume – domethënë: me portokaj, limonë, mandarina, nerënxa. Atëherë më të rëndësishme ishin plantacionet me fruta se tre ishujt e famshëm, që prej vitesh, gjatë korrikut dhe gushtit, popullohen brutalisht nga turistët dhe – në fakt – nuk duhet preferuar atyre turistëve që duan të pushojnë pa zhurmë dhe me pak stil.
 
Kur ra komunizmi plantacionet u shkatërruan, njerëzit kërkuan perspektivë ekonomike në Greqi. Ksamili dhe fshatrat përreth mbetën djerrinë. Por gjërat kanë ndryshuar. Në treg dhe në restorante ka gjithnjë e më shumë pemë e perime vendore, me shije të mirë, shpesh të jashtëzakonshme. Njerëzit, aty-këtu, i janë kthyer edhe blegtorisë, por jo sa duhet. Ende importohet tepër (sidomos nga Greqia dhe Italia), ndonëse së paku me pemë, perime, peshk dhe me mish jugu i Shqipërisë do të mund të furnizonte zonat bregdetare të frekuentuara nga turistët. Ku të hamë në Sarandë? Është një pyetje që shpesh ma bëjnë turistë nga Kosova dhe diaspora në Zvicër e Gjermani.
 
Në vijim disa propozime krejt subjektive, por ndoshta të dobishme.
 
Adresa e parë mbetet ende «Gërthela»: një restorant në qendër të Sarandës, i cili ofron specialitete të peshkut, verë të mirë (kryesisht të importuar), sallata të freskëta. Personeli është i përkushtuar në punë dhe i gatshëm për sugjerime. «Gërthela» punon gjatë tërë vitit, andaj verës nuk bie në sy ndonjë improvizim, siç shihet në shumë lokale në Sarandë. Por për këtë nuk duhet fajësuar shumë pronarët e restoranteve. Ku të gjejnë ata të shkretë kamerierë të mirë, kur sezoni zgjat dy muaj?)
 
Befasi pozitive sivjet është restoranti i Bougainville Bay Resort. I menaxhuar nga një grup italianësh lokali ofron gatime – kuptohet – italiane. Personeli shërbyes është shumë i përzemërt, kryesisht profesionist dhe i gatshëm për të plotësuar shumë dëshira kulinarike. Dallimi me vitin e kaluar s’ka si të jetë më i madh: më 2015 restorantin e menaxhonin disa djem të pakujdesshëm, të cilët lëre që s’ofronin ndonjë gjë të hairit për të ngrënë, por e patën shndërruar resortin në një arenë për muzikë tekno, e cila përzinte edhe mysafirët shurdhmemecë. Vera e bardhë që ofrohej vitin e kaluar ishte një kombinim mes naftës dhe uthullës.
 
Sivjet gjërat kanë ndryshuar. Vera është cilësore. Italiane. Pastaj: të hash këtu një tepsi me midhje – është një festë për jetën. Makarona me karkaleca dhe mendër – pak më shumë se festë për jetën. Çmimet për klientelën perëndimore janë më shumë se të arsyeshme. Kafja (80 centë) është pothuajse falas, sidomos kur kujton çmimet e kafesë në Zürich: mes 4 dhe 6 euro.
 
Ndër restorantet që duhet vizituar patjetër në Sarandë është «Atlantis Lounge». Natyrisht edhe këtu në meny dominon peshku, për shembull peshku i egër i pjekur në kripë. Një specialitet tjetër: tavë me karkaleca.
 
Vitin e kaluar për kuzhinën e mirë shquhej restoranti «Harmony». Sivjet s’kishte më karkaleca në uzo dhe në përgjithësi cilësia e gatimeve kishte rënë, ndonëse kamerieri thoshte se «kemi bërë ca përparime». Ndoshta rezultati i këtyre përparimeve do të shihet tek në vitin 2017.
 
Në fund një propozim më i veçantë: për të mos kaluar kohën vetëm në Sarandë apo te Syri i Kaltër ia vlen të merrni rrugën për në Delvinë dhe të ndaleni sapo të shihni një xhami të re, mjaft futuriste për nga arkitektura. Para faltores myslimane gjendet një restorant i famshëm për mish. Dhe për të gjitha ato pijet me të cilët shtyhet mishi. Impozant është edhe një ashensor me të cilin kamerierët bartin mishin – nga bodrumi në restorant.
 
Saranda është njëfarë parajse kulinarike që kërkon pak talent për zbulim.
 
3
Në Greqi është më mirë. Gjithçka funksionon. Kamerierët janë të përzemërt. Ushqimi i mirë. Plazhet e pastra. Çdokush mund të ketë këtë mendim, madje edhe çdo shqiptar. A është në Greqi më mirë, sepse kafesë turke i thonë kafe greke? Aq mirë është në Greqi, saqë kur zbrisni nga porti në Igumenicë, asnjë tabelë nuk do të tregojë rrugën që të çon drejt Shqipërisë. Ndonëse Igumenica është port edhe kufitar, autoritetet greke duket se janë kujdesuar që të zhduket fakti se Shqipëria ekziston.
 
Mirë është edhe në Turqi. Kjo është oferta: i paguani një agjencie turistike 500 euro dhe një javë apo dhjetë ditë mund të mbylleni në kazermat për pushues, në kyç të dorës duhet të bartni një byzylyk për t’u dalluar si klient. Ushqimi në këto kazerma turke buzë detit vjen me kamion – ashtu siç vjen vera me cisternë. Askush nuk duhet të përqeshet për këtë zgjedhje që mund të bëjë për të pushuar.
 
Megjithatë, pak e habitshme është një gatishmëri pothuaj e përditshme e jo pak shqiptarëve (sidomos nga Shqipëria) për ta përshkruar Sarandën dhe jugun e Shqipërisë si destinacionin e fundit ku mund të shkojë njeriu për të pushuar. Të kesh aversion ndaj detit në Durrës është e kuptueshme – uji i ndotur, kaosi i ndërtimeve, rrëmuja, të gjitha këto janë argumente që flasin kundër kalimit të ditëve më të mira të vitit në Durrës. Por nuk është tërë vija bregdetare shqiptare si Durrësi, andaj përbuzja dhe gjykimet paushalle kundër pikave turistike në jug tingëllojnë si urrejtje e vetvetes. Kjo është një lëngatë fatale shqiptare.
 
Po, ka arsye të zemërohesh si turist në Sarandë. Kamerieri që s’e njeh punën ose të thotë: s’ka ullinj, hoteli pa rrymë apo pa ujë (ndonëse fenomene të rralla), shkëmbinjtë e betonit… Dhe prapë: në Sarandë mund të pushoni mirë, madje shumë mirë dhe dallimet me destinacionet e tjera turistike në rajon nuk janë pafund të mëdha. Ka një dallim: në Dubrovnik, për shembull, mund të paguani deri në 15 euro për një sallatë minimale, në Sarandë dy deri tre euro.
 
Saranda është larg. Sidomos nga Prishtina, ndonëse shoferët shqiptarë, këta kampionë të gënjeshtrës, lavdërohen se si nga kryeqyteti i Kosovës në Sarandë mbërrijnë për 5 apo 6 orë. Jo, po udhëtuat me mend, në Sarandë s’arrini dot para 7 apo 8 orëve. Por ka rrugë të tjera, sidomos për shqiptarët e diasporës. Kompania Swiss fluturon nga Zürichu dhe Gjeneva në Korfuz. Për tri-katër orë mund të mbërrini nga alpet e Zvicrës në plazhet e Sarandës. Sa për çmim të biletës duhet thënë këtë: gjatë verës një biletë avioni nga Zürichu në Prishtinë kushton deri në 800 euro, ndërsa nga Zürichu në Korfuz – prej 300 deri 500 euro. Nëse merrni biletën me kohë madje mund të fluturoni me çmim nën 300 euro. Dy darka në restorant mesatar në Zvicër. Edhe më mirë do të ishte nëse Saranda do të kishte një aeroport të vetin, nëse qeveria shqiptare do ta shpallte zhvillimin e turizmit si prioritet kombëtar, nëse ambasada e Shqipërisë në Bernë do të funksiononte si zyrë turistike. Nuk është se Shqipëria nuk ka para për të lansuar në mediat zvicerane një reklamë. Jo, s’ka ide, vizion për këtë qëllim. Një llogari e thjeshtë: nëse prej 200 mijë shqiptarëve që jetojnë në Zvicër vetëm 20 mijë do të pushonin në Sarandë gjatë vitit dhe do të harxhonin së paku nga një mijë euro, qyteti do të merrte nja 20 milionë euro.
 
Infrastruktura në Sarandë po zhvillohet ngadalë. Furnizimi me ujë po përmirësohet. Ka gjithnjë e më shumë restorante që mund të maten me çdo lokal në Europë. Në periferi të Sarandës rrjeti gjerman i hoteleve Steigenberger po planifikon të ndërtojë një hotel. Gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» shkruante së fundi me ton pozitiv se bregdeti shqiptar është më pak i mbuluar me ndërtime se bregdeti i Malit të Zi. Por edhe kjo gazetë përmendte mungesën e aeroportit. «Në turizëm Shqipëria ka një potencial të madh», citohej Christoph Denk, përfaqësues në Shqipëri i Bankës Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim.
 
Potenciali ekziston, por shteti ligjor mbetet ende jofunksional. Denk përmend problemet me pronësinë e tokës. Për një truall, sipas tij, mund të shfaqen deri në pesë pronarë. Para disa vitesh ndërmarrja e njohur hoteliere franceze Club Med deshi të ndërtojë një fshat turistik afër Sarandës. Ende pa u orientuar mirë në terren inxhinierët francezë u detyruan të ikin, sepse pronarë të vërtetë, të rrejshëm, manipulues dhe mashtrues u vërsulën me armë kundër investitorëve. A do të kalojnë edhe gjermanët e Steigenberger Hotel Group nëpër një përvojë të tillë? Për Shqipërinë do të ishte një goditje e rëndë.
Dialog plus



1 Comment

  1. Ne jemi barbare. Me kot

    Ne jemi barbare. Me kot perpiqemi te shesim turizmin tone…..alla turizem. Harrojeni se nuk ka per tu bere kurre. Pushime jashte vendit me mire. te kam dhjere Saranden, Vloren e c'mban gjithe vendi.