• |
ide | kryesore

Kauzë apo kult? Çfarë do të thotë të jesh gylenist

Arkiva, Ide
xxx.jpg



Tentativa për grusht shteti në Turqi mobilizoi të gjithë kombin kundër jo vetëm ushtarakëve komplotues, por edhe grupit fetar në të cilin duket se bëjnë pjesë disa nga komplotuesit: komunitetit islamik të udhëhequr nga Fet’hullah Gylen, një klerik turk me bazë në ShBA

Presidenti turk Rexhep Tajjip Erdogan, mbështetësit e tij dhe pothuajse të gjithë në krejt spektrin politik në Turqi i shohin tani gylenistët si përgjegjësit kryesorë për grushtin, por edhe për shumë krime të fshehta në dekadat e shkuara.

Por, shumë njerëz habiten si ka mundësi kjo, sidomos duke u nisur nga paraqitja e grupit si një lëvizje paqësore kushtuar dashurisë, tolerancës dhe dialogut? Ja edhe historia ime personale, që mund të hedhë pak dritë mbi këtë çështje të komplikuar.

Si një autor i fokusuar në çështjet turke dhe islame në fillim të viteve 2000, nuk u desh shumë kohë që të njihesha me komunitetin Gylen, i cili ishte grupi islamik më aktiv, më pjellor dhe më i globalizuar i Turqisë. Së pari takova kryeredaktorin e të përditshmes Zaman, gazeta kryesore gyleniste, ku publikova disa op-ed dhe madje punova për disa muaj. Gjithashtu takova drejtorët e Fondacionit të Gazetarëve dhe Shkrimtarëve, organizata kryesore e grupit dhe i ndihmova të organizojnë aktivitete rreth “dialogut ndërfetar”. Pas një konference në Uashington, takova edhe Gylenin vetë në fund të vitit 2004 si pjesë e një delegacioni gazetarësh turq. Ai ishte i sjellshëm dhe modest dhe gjithkush rreth tij ishte pagabueshmërisht i bindur.

Ato vite, në fakt përgjatë dekadës së parë të shekullit të 21-të, Turqia ishte e ndarë: në njërën anë ishte “establishmenti kemalist” – ushtria ultrasekulare dhe aleatët e saj. Në anën tjetër ishin Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit e Erdoganit, gylenistët dhe pjesa më e madhe e liberalëve. Unë isha qartësisht me të fundit, sepse besoja se një Turqi postkemaliste nuk do të ishte vetëm më religjioze, por edhe më demokratike. Kemalizmi ishte një ideologji sekulare por autoritare, ndërsa kundërshtarët e tyre islamistë ishin maturuar dhe bërë demokratë të vërtetë – ose unë shpresoja kështu.

Nga viti 2010, dolën disa probleme në këtë histori të kulluar. Një varg arrestimesh të gjera të ushtarakëve në ushtrinë sekulare dhe aleatëve të tyre ndodhën në kuadër të çështjeve kontroversale të njohura si “Ergenekon” dhe “Bajlozi”. Fillova të dyshoj se arrestimet e kishin kaluar shumë cakun dhe nisa të shtoj kritikën në kolumnat e mia në të përditshmen pro-AKP, Star. Njerëzit në AKP ishin ende të ndërsyer kundër sekularistëve, por gylenistët ishin edhe më agresivë. Ata vazhdonin të më pëlqenin, por nuk pëlqenin kritikat e mia. Shpejt, daljet e mia në një emision televiziv mbarëkombëtar në Kanalturk, një kanal gylenist ky, u ndërprenë.

Veçanërisht dy ngjarje shërbyen si një thirrje për t’u zgjuar për mua atë kohë: Hanefi Avxhi, një shef policie konservator i cili u ngrit kundër “grushtit të butë” të fundviteve 90, shkroi një libër që nxirrte në dritë jo vetëm faktin se gylenistët ishin infiltruar në polici dendur, por edhe se kishin përdorur evidenca të rreme dhe shpifje për të hequr qafe këdo që u zinte rrugën. Atëherë, mjerisht, Avxhi me bindje të djathta u arrestua nga fundi i vitit 2010 me akuzën qesharake se kishte qenë anëtar i një grupi komunist terrorist pak të njohur. Kjo ishte absurde, tregova unë në disa shkrime në mbrojtje të Avxhi dhe gylenistët më qortuan se “po mbaja anën e puçistëve”.

Ngjarja e dytë dhe përfundimtare ishte takimi me profesorin e Harvardit Dani Rodrik dhe gruan e tij, Pinar Dogan, në fillim të vitit 2011. Gjenerali i lartë që ishte akuzuar në çështjen Bajlozi, Cetin Dogan, ishte babai i Pinar Doganit, çka dukshëm ngrinte dyshime për paragjykim, por argumenti i tyre ishte aq bindës sa nuk mund të hidhej poshtë: disa dokumenta të paraqitura si evidencë për një grusht shteti të vitit 2003 qartësisht ishin shkruar disa vite më vonë për të zbukuruar provat. Rodrik më tha në fund të vitit 2011, “të gjithë evidencat të bëjnë të besosh se gylenistët brenda policisë kanë krijuar prova të rreme”.

Unë u distancova nga lëvizja. Ende isha i pasigurt për diçka: gjuetia antisekulare e shtrigave në Turqi ishte vepër e një elementi të devijuar brenda komunitetit? A dinte gjë vetë Gyleni rreth këtyre gjërave dhe a kishte dhënë pëlqimin, jo më urdhër për të? Nuk e kisha idenë. Për më tepër, lexova një pjesë në Zaman nga vetë Gyleni diku rreth vitit 2011 me titullin: “Metodat e gabuara nuk mund të përdoren për një çështje të drejtë”. Ndoshta, thashë me vete, disa gylenistë në Turqi u bënë shumë fanatikë dhe Gyleni po i qortonte. Të paktën doja t’i jepja atij avantazhin e dyshimit.

Kur publikova librin tim “Islami pa Ekstreme: Një Rast Mysliman për Lirinë” në Shtetet e Bashkuara në gusht të vitit 2011, një kapitull i ri nisi në historinë time me gylenistët. Ky libër mbronte “islamin liberal”. Gylenistët në Amerikë, të cilët kishin patur nevojë që një autor turk ta jepte këtë mesazh, më ftuan për një bisedë. Një ndër gjërat e para që thashë, ndërkohë, ishte “njerëzit tuaj në Turqi kanë bërë shumë gjëra të gabuara të cilat nuk i miratoj”. Për çudinë time të mirë, ata u përgjigjën, “jemi dakord. Konteksti i Turqisë i ka bërë ata shumë fanatikë, ne këtu jemi shumë ndryshe.”

Në vitet në vijim, 2012 dhe 2013, kam folur dhe kam nënshkruar librat e mi në më shumë se një dyzinë aktivitetesh gyleniste në Amerikë. Kam takuar njerëz që i kishin kushtuar gjithë jetën e tyre një kauze misionare, që për ta ishte vetëm për t’i treguar botës të vërtetën e bukur të Islamit. Ata të gjithë ishin të sjellshëm, modestë, njerëz me zemër të mirë për të cilët kisha vetëm simpati. U binda, siç jam edhe sot i bindur, se këta njerëz – në fakt, shumica e gylenistëve” – nuk kishin asnjë ide për anën e errët të grupit të tyre.

Pasi AKP dhe gylenistët u ndanë, në dhjetor 2013 gylenistët drejtuan një hetim për korrupsion të anëtarëve të rëndësishëm të AKP-së. Kjo ishte një ngjarje vendimtare që nxiti armiqësi të pabesueshme ndërmjet AKP-së dhe gylenistëve, ndërsa të dy krahët besonin se kishte dalë në dritë fytyra e shëmtuar e palës tjetër. Për mua, ndërkaq, të dy palët u ekspozuan. Korrupsioni brenda AKP-së u provua se ishte i gjerë, sakaq shtrirja e infiltrimit dhe spiunazhit gylenist u vërtetua se ishte substanciale.

Një çështje përcaktuese në këtë ekspozim ishte se Gyleni zotëronte kontroll të plotë mbi organizatën. Në një bisedë të interceptuar ndërmjet Gylenit dhe ndjekësve të tij, të publikuar në Youtube në fillim të vitit 2014, këta të fundit e pyesnin Gylenin se çfarë të bëjnë më një rafineri nafte në Afrikë, planifikonin dhurata për biznesmenët turq dhe madje fushata në Tuiter. Gyleni doli se nuk ishte vërtet sufiu asket që na ishte paraqitur, por një mikromenaxher i një organizate globale të bazuar mbi sekretin dhe hierarkinë. “Ai kontrollon vërtet çdo gjë” më pati thënë në qershor 2014 Huseyin Gulerce, vetë njeriu që më prezantoi me Gylenin 10 vite më parë në Pensilvani, por që kishte dezertuar në atë moment.

Në dy vitet e ardhshme, unë vijova të argumentoj se vërtet AKP duhet të zhbënte “shtetin paralel” gylenist brenda shtetit, por jo të sulmonte shkollat, kompanitë apo organizatat humanitare të gylenistëve. Këta të fundit duhet të angazhoheshin në “vetëkritikë” për veprimet e tyre të gabuara, shtoja, ndërsa AKP duhet të tregohet e ndershme sa i përket korrupsionit. Sigurisht, asnjëra palë nuk i pëlqente këto argumenta.

Ja pra, një rrëfim: unë nuk e shihja se po vinte grushti i shtetit i 15-16 korrikut. Mendoja se gylenistët e kishin arritur tashmë lulëzimin e tyre, që e shpërdoruan në mënyrë të tmerrshme, por tani ata ishin viktimat e hakmarrjes së tepruar të Erdoganit. “Organizata e maskuar e lëvizjes Gylen brenda institucioneve burokratike ishte një problem i vërtetë për Turqinë”, shkruaja tre jave përpara grushtit të shtetit, “por gjuetia e shtrigave nga ana e regjimit është edhe më e madhe sot.” Nuk do ta kisha imagjinuar dot se gylenistët do të bënin një gjë kaq të egër dhe të dhunshme sa një pushtim i përgjakshëm, që la në hije çdo problem politik tjetër në Turqi.

Thellë thellë, cili është problemi kryesor me komunitetin Gylen? Në pikëpamjen time, ai është një kolektivizëm tejidealist. Ka një kauzë të shenjtë, një lider të vetëm me urtësi mbinjerëzore dhe një rrjet të devotshmish që sakrifikojnë jetën dhe mendjen individuale për utopinë. Sinqeriteti që shihet këtu është pranueshmërisht i admirueshëm. Por vetëkënaqësia dhe agresiviteti që ai ushqen janë shkatërrimtarë – për të tjerët dhe përfundimisht edhe për vete.

A mund të dalë ndonjë e mirë nga kjo histori shushatëse? Do të thoja po, nëse të gjithë këto njerëz zemërmirë dhe të pafajshëm në lëvizje mund të hapin kapituj të rinj në jetët e tyre individuale post-gyleniste. Ka shenja se disa prej njerëzve më mendjehapur në grup po angazhohen në një vetëkritikë reale, duke dalë kundër “absolutizmit, utopianizmit, sensit të mesianizmit” dhe “humbjes së individuales”. Ata duhen inkurajuar në këtë kërkim të shpirtit.

Ndërkohë, turqit e tjerë duhet të kuptojnë se problemi nuk është thjesht e vetëm një kult ambicioz, por çdo “kauzë” që përnderon veten, demonizon kundërshtarët e saj dhe justifikon të gjitha mjetet për qëllimet e saj.

*Mustafa Akyol është columnist i Al-Monitor Turkey Pulse, columnist i gazetës turke Hurriyet dhe kontributor i përmuajshëm për gazetën New York Times. Artikujt e tij janë botuar në Foreign Affairs, The Washington Post, The Wall Street Journal dhe The Guardian. Ai është autor i Islam Without Extremes: A Muslim Case for Liberty.

 

Përktheu: Vehap Kola