• |
ide | kryesore

Burkini në plazhet franceze, një luftë kulturash

Arkiva, Planet
files-france-britain-islam-culture-clothing-burkini_38c3572e-6b7b-11e6-8382-bd2fa398f652.jpg



Në vendin e “Kanalit dhe Brigitte Bardot”, burkini mund të shihet vetëm si një “provokim”, shkruan Jean Michel Servant në “Midi Libre” (Montpellier). Kostumi i banjës shumë i shëmtuar, që disa gra myslimane kanë filluar të veshin në plazhe nuk është thjeshtë një “fyerje ndaj dinjitetit njerëzor” – si një “simbol fetar për t’u dukur”, ai është një sfidë ndaj republikës laike. Kështu që, bravo i qoftë kryebashkiakut të Kanës, që pati iniciativën ta ndalojë, nën arsyetimin se shfaqja e tij mund të shkaktojë trazira në një vend ende të “traumatizuar” prej sulmeve terroriste islamike të kohëve të fundit.

Si për të vërtetuar arsyetimin e tij, një protestë shpërtheu në Sisco, në Korsika javën e kaluar, teksa disa burra me origjinë afrikano veriore u përplasën me plazhistë, të cilët kishin qenë duke bërë fotografi të të afërmeve të tyre të veshura me burkini. Tani, edhe atje është vendosur ndalimi, ndërkohë që shembullin e kanë ndjekur edhe 15 qytete të tjera të Francës.

Këta ndalime janë një simptomë e racizmit, po aq sa edhe bazë parimesh, shkruan Aziz Benyahia në “Algerie-Focus” (Algjer). Megjithatë, myslimanët francezë duhet të jenë të arsyeshëm: kjo nuk është një kohë e mirë për të veshur burkini. Ata duhet ta dinë se njerëzit janë nervozë, dhe ata duhet të “përshtasin sjelljen e tyre”, në vend që t’u hyjnë betejave, të cilat nuk mund t’i fitojnë. Në fund të fundit, Islami u bën thirrje ndjekësve të tij që të respektojnë vendet ku jetojnë si pakica. Pas masakrës në Nicë, autoritetet nuk janë në humor për të bërë kompromis, shkruan Berna Gonzalez Harbour në “El Pais” (Madrid). Kryeministri francez, Manuel Valls, i mbështet tërësisht këto ndalime, duke e quajtur burkinin një “shprehje e një projekti politik, një kundër-shoqëri, bazuar kryesisht në skllavërimin e grave”. Shumica e politikanëve në të majtë e në të djathtë bien dakord. Megjithatë, francezët nuk duhet të lejojnë që të kalojnë në “intolerancë joracionale”. Kritikët nuk e kanë të mundur të pretendojnë se ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes veshjes së një kostumi banje “të shëmtuar dhe aspak praktik”, dhe kryerjes së vrasjeve masive. Ndalimi ekzistues i simboleve fetare në shkolla dhe institucione publike mjafton, por “në emër të barazisë dhe lirisë, ju lutem mbajeni luftën larg plazheve”.

Pikërisht, shkruante Remona Aly tek The Guardian. “Asgjë nuk është më e gabuar se sa demonizimi i atij që është, ta themi hapur, thjeshtë një kostum banje”. Ndalimi i burkinit është “absurd”, binte dakord The New York Times. Ai është ndaluar mbi bazën e arsyetimit që ësht “një rrezik ndaj rendit publik, higjenës, sigurisë së ujit dhe moralitetit”. Të shpëtosh gratë myslimane nga “skllavërimi”, duke u “diktuar atyre se çfarë mund të veshin dhe çfarë nuk mund të veshin”, kjo nuk ka fare kuptim. Kjo çmenduri rrezikon që të “stigmatizojë më tej myslimanët e Francës, në një kohë kur vendi po vuan prej të djathtës islamofobe”./ Bota.al