• |
ide | kryesore

Turizëm/ Shqipëria, 190 ditë diell në vit, me një klimë si St.Tropez

Arkiva, Stil
turizem.jpg



Shqipëria u hap për vizitorët para dy dekadave; viteve të shkuara vendi ka kaluar zhvillimin nga komunizmi në kapitalizëm, përjetoi një kolaps ekonomik, rënien e institucioneve si dhe kriza të rënda shoqërore. Për më shumë se 40 vjet ai ishte një shtet autoritar, i cili mbante shumëçka fshehur.

Prej një kohe qeveria po mundohet ta bëjë zap korrupsionin, ta ruajë shtetin ligjor dhe të tërheqë investitorë. Edhe infrastruktura po rritet me shpejtësi. Përveç Aeroportit Ndërkombëtar Nënë Tereza të hapur më 2008 u krijuan lidhje më të mira në Kosovë dhe jugut të vendit. Një udhëtim nga Tirana në qytetin bregdetar të Sarandës në detin Jon zgjat vetëm gjysmën asaj që shkonte më herët.

Banka Botërore i ka akorduar Shqipërisë kredi prej gjithsejt 2,4 miliardë dollarë. Përveç kësaj, në vend po fusin para edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe investitorë privatë. Në raportin e «Doing Business» të bankës Botërore Shqipëria në fushën e «Registering Property» është përmirësuar me 40 vende, duke u radhitur nga e 108-ta në të 68-tën (nga 189 vende). Më 2013 vëllimi i investimeve direkte të huaja shkonte në 1,22 miliardë dollarë amrikanë, që i bie një plus prej 44 për qind në krahasim me një vit më parë. Dhe, nga qershori i 2014-tës Shqipëria është kandidat zyrtar për në UE, për ta shtruar rrugën për në Unionin Europian, ka angazhuar enkas ish kryemnistrin britanik Tony Blair.

362 kilometra bregdet

Prurjet turistike kohëve të fundit janë trefishuar – sipas Bankës Botërore nga 1’062’000 në vitin 2007 në 3’341’000 në vitin 2014. Numri i udhëtarëve zviceranë në Shqipëri është rritur akoma më shpejt: Më 2005 vendin e vizituan 6’150 zviceranë, më 2012 u bënë 42’546.

Me një shtrirje ndërmjet Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Greqisë, Shqipëria ka shumë për t’u ofruar turistëve. Zotëron një natyrë të ruajtuar, 362 kilometra bregdet të mahnitshëm dhe të paprekur në breg të Adriatikut e të detit Jon, si dhe një peisazh të thyeshëm malor në brendi të vendit, i cili është perfekt për të ecur dhe sport aveturesk. Gjinden vise plot relike greke, romake dhe bizantine, ndër të cilat tre qytete trashëgimi kulturore të Unescos: Rënojat e Butrintit si dhe qytetet osmane Gjirokastra dhe Berati. Shqipëria ka më shumë se 190 ditë me diell në vit dhe të njëjtën klimë sikurse St. Tropez.

Përveç kësaj, kosotoja e jetesës ështe e ulët: për një Chateaubriand në një restorant në Tiranë pagova 6 franga, një Pizza Margherita apo një pjatë Pasta e gjen për 2,50 franga, një birrë për 1,50 franga. Biletat për opera i merr për 3 franga.

Kryeqyteti Tirana është një kryqëzim ekzotik ndërmjet Europës perëndimore dhe Rusisë së vjetër me një melmesë Lindje e Afërt. Atomsfera e dikurshme e fjetur po zhduket gjithnjë e më shumë, në vend të saj gjen një qendër të stolisur me një bulavard të mbjellë dhe të rrethuar rishtazi me palma. Viteve të fundit ndërtime të panumërta mbinë nga toka, sheshi kryesor u rivlerësua dhe u mboll sërish dhe, kur merr ashensorin për në barin në majë të «Sky Towers»-it dhe e shikon panoramën e qytetit me shtëpitë e tij të sheshta dhe malet në sfond, e sheh një metropol të freskuar me ndërtime plot ngjyra pasteli – rozë, kaltër, kafe, verdhë dhe kuq.

Zhvillim me tempo të lartë

Edi Rama, prefekti i Tiranës (dhe nga 2013-ta kryeministër i Shqipërisë) është kujdesur që ndërtesat e vjetra gri, nga koha e komunizmit, të lyhen me ngjyrë. Zbukurimi është mbuluar nga arka e shtetit. Përgjatë bregdetit shqiptar janë realizuar projekte të shumta turistike.

Ndër më të njohurat është Gjiri i Lalzit, i cili gjindet vetëm 45 kilometra nga kryeqyteti. Resorti bregdetar, i cli kufizohet me rezervatin natyror të Bishtarakes, u financua nga britanikët dhe u disejnua nga australianët. Në 20 hektar vend gjinden vila, banesa dhe një hotel. Fusha tenisi, pishina, një «Beach Club» dhe një qendër uellnesi janë në planifikim. Edhe pse Shqipëria po e nxit turizmin e plazhit, për kundër Spanjës apo Greqisë, nuk po nget pas turizmit masiv.

Në vend të tij ajo fokusin e ka vendosur te ruajtja e ambientit, udhëtimet kulturore, agroturizmi, ecjen dhe ngjitjen në male. Që kur qeveria ka vendosur ndalimin e gjahut në lagunat e Adriatikut, ekskursionet e vëzhgimit të zogjëve dhe të natyrës janë shumë të preferuara nga turistët. Në Parkun Kombëtar të Divjakës jetojnë 242 prej 330 llojeve të shpezëve të Shqipërisë, ndër të tjerë – pelikani i rrallë dalmatin, shpendi më i madh i Europës, lejlekë gjigandë të bardhë, zogj flamingo dhe shumë të tjerë.

Shqipëria po zhvillohet me tempo të lartë, megjithatë ka edhe shumë për të bërë. Sepse, megjithë numrin në rritje të vizitorëve, destinacioni gjindet ende larg të qenit një «hotspot» turistik. Edhe pse ka potencial, vendi duhet ta shporrë imazhin e keq, i cili i falënderohet të kaluarës së tij kriminale dhe të korruptuar. Për më më tepër, turizmi ndërkombëtar dhe hoteleria janë degë relativisht të reja ekonomike, për të cilat mungojnë të dhënat e sakta. Derisa pushimet në Shqipëri të etablohen, sikurse edhe «trip»-et në pjesën tjetër të Europës, do edhe një rrugë e gjatë. 

Ben West per «travelnews.ch