• |
ide | kryesore

Reportazh i CNN në ditëlindjen e Alan Kurdit: Fëmijët që mbijetuan dhe u zhdukën (FOTO)

Arkiva, Planet
alan.jpg



Sikur Alan Kurdi të ishte gjallë sot, do të ishte katër vjeç.

Një vit pas vdekjes së djalit të vogël me bluzë të kuqe,  udhëtimi i rrezikshëm në Mesdhe është ende duke u bërë nga mijëra fëmijë që largohen nga konflikti.

Për "ata me fat" që i mbijetojnë udhëtimit, shtëpia e tyre e përkohshme është zakonisht një qendër greke e paraburgimit.

Të tjerët, si Kurdi, të cilëve nuk u shkelën kurrë këmbët në tokën europiane, u mbyten në varkat për të cilat  prindërit e tyre të dëshpëruar u kishin paguar trafikantëve  me mijëra për të udhëtuar.

Më poshtë janë historitë e atyre fëmijëve, të cilët u përpoqën të kalonin Mesdheun: të atyre që ia dolën të mbërrinin në Evropë dhe të atyre që vdiqën tragjikisht në det.

Hadi tre vjeç nga Siria

Hadi (majtas) ndodhet prej gjashtë muajsh në Greqi në pritje të zhvendosjes. Familja e tij u largua nga Siria në tetor të vitit 2015, kur shtëpia e tyre u shkatërrua. Pas udhëtimit drejt Turqisë, ata u paguan kontrabandistëve pak më shumë se 3 000 dollarë për të  marrë një varkë për në Greqi.

Që prej mbërritjes në muajin shkurt, familja e përbërë nga pesë anëtarë, para se të lëvizte në një hotel, ku është ende duke pritur për të aplikuar për t’u zhvendosur, ka jetuar në kampe të ndryshme. Nëna 38-vjeçare e Hadit,  Salëa ishte mësuese në Damask dhe gjatë kësaj kohë U përpoq të ngrinte një shkollë në një prej kampeve, por, siç është shprehur ajo për Amnesty International, nuk ka pasur libra. Ata shpresojnë të shkojnë në Gjermani, atje ku kanë të afërmit.

Alan Kurdi (djathtas) u mbyt më 2 shtator 2015. Fotografia e djalit trevjeçar, i shtrirë me fytyrën poshtë në rërë u bë imazhi përcaktues i krizës së refugjatëve.

Ku është humanizmi sot në botë?!

Tima Kurdi

"Ku është humanizmi sot në botë ?" pyet  tezja e tij, Tima Kurdi; një reagim ky që bëri jehonë në faqet e para të medieve në të gjithë globin.

Kjo ishte një familje kurde nga Siria, të cilët po përpiqeshin të shkonin tek të afërmit e tyre  në Vankuver të Kanadasë, por udhëtimi i tyre përfundoi në tragjedi kur Alan, së bashku me vëllanë e tij katërvjeçar dhe nënën e tyre, Rehen vdiqën në udhëtimin me varkë në detin Egje për në Greqi, i vetmi i mbijetuar ishte i ati, Abdullahi.

"Unë nuk dua me asgjë tjetër nga kjo botë", ka thënë në atë kohë Abdullah Kurdi për CNN. "Çdo gjë për të cilën unë ëndërroja është zhdukur. Unë dua të varros fëmijët e mi dhe të ulem pranë tyre deri sa të vdes."

4-vjeçari, Dilaver, më i madhi i vëllezërve

Dilaver 4 vjeç  dhe vëllai i tij Mahmoud 1 vjeç (majtas) arritën në Greqi në shkurt. Familja u pagoi kontrabandistëve 2 000 dollarë për të udhëtuar me varkë nga Turqia në Greqi. "Anija nuk ishte e sigurt", i ka thënë babai Mohammed Këshillit Norvegjez për Refugjatët. "Megjithatë ata na morën nga bregu në mes të natës. Ishte shumë ftohtë."Nëna Faida tha se ata nuk kishin mundësi tjetër veçse të linin shtëpinë në qytetin e tyre Al-Hasakah në veri të Sirisë. "Ne tashmë nuk kishim as shtëpi, as të holla, as punë, nuk kishim të ardhme për fëmijët tanë ", tha ajo. Familja është regjistruar në ishullin grek të Kios dhe është duke shpresuar të shkojë  në Gjermani, ku dëshiron të ndërtojë një jetën e re.

Yusufi  4 vjeç dhe vëllai  i tij Yunus 2 vjeç (djathtas)  u mbytën më 31 tetor të vitit  2015. Haji Shafi humbi dy nga katër djemtë e  tij në udhëtim me varkë nga Turqia drejt Greqisë. "Koha ishte shumë e keqe, binte shumë shi  dhe kishte valë të mëdha," tha ai për Amnesty International. "Njerëzit në varkë ishin shumë të frikësuar dhe filluan të hidheshin në ujë. Anija u kthye përmbys dhe unë nuk munda t’i shpëtoja të gjithë fëmijët e mi."

Familja me gjashtë anëtarë u largua nga Afganistani pasi kishin frikë se do të ishin të detyruar të bashkoheshin me talebanët, kështu që iu paguan kontrabandistëve 1000  dollarë për çdo të rritur dhe 500 për çdo  fëmijë për të kaluar detin Egje. Pas aksidentit familja u kthye përsëri në Stamboll, ku ata flinin nën një urë. "Ne nuk mund të bëjmë një plan, ne nuk mund të marrim një vendim", tha Haxhi Shafi. "Ne jemi të tronditur."

Fëmija 5-vjeçar, i larguar nga konfliktet.

Rasal (majtas) po qëndron në kampin e Lesvos në Greqi. Kjo është hera e dytë që Rasal dhe familja e saj janë përpjekur të largohen nga Siria. Herën e parë ata u qëlluan me armë dhe e braktisën udhëtimin.

Këtë herë pesëvjeçarja humbi çantën e vogël të “pasurisë së saj” kur barka prej gome, ku ata po udhëtonin, u përmbys në bregdetin grek.

"Ne ishim në barkë për një kohë vërtet të gjatë", i ka thënë Rasal Action Aid për udhëtimin nga Turqia. "Isha e uritur dhe e etur dhe valët ishin aq të mëdha, sa  kalonin mbi kokat tona."

Rasal nuk e  kujton kohën kur nuk kishte luftime në Siri, por, motra e saj 13-vjeçare Sidra po, dhe ajo thotë se kjo është edhe arsyeja që ajo është kaq e trishtuar. Familja shpreson të shkojë në Gjermani.

Farah (djathtas) u mbyt më 31 tetor të vitit 2015. Farah ishte kushëriri i Jusufit dhe Junusit (lart), e vëllezërve nga Afganistani, të cilët u mbytën në të njëjtin udhëtim me varkë nga Turqia drejt Greqisë. Të dyja familjet kishin udhëtuar së bashku në kërkim të një arsim më të mirë për fëmijët e tyre.

"Para se të përpiqeshim të shkonim në Europë, mblodhëm informacione  dhe kuptuam se  arsimimi i  fëmijëve tanë në Turqi nuk i ishte i duhuri", tha xhaxhai i Rasalit, Haji Shafi për Amnesty International. "Ne nuk duam që fëmijët tanë të jenë të paarsimuar, kjo është arsyeja kryesore që ne u përpoqëm të linim Turqinë."

Të dyja familjet u kthyen në Turqi. Me fëmijët, pa kursimet e tyre dhe të paaftë për të udhëtuar në Afganistan apo në Europë e ardhmja iu duket e zymtë.

6-vjeçarja që mbërriti në Greqi

Noura (majtas) mbeti në Greqi që në muajin marsi. Vajza e vogël u largua Aleppo bashkë me nënën e saj dhe tre vëllezërit e motrat, të cilët udhëtuan nga Siria drejt Turqisë në këmbë. Nga Turqia ata hipën në një varkë të vogël prej gome indiane, por ato ishin që të mbipopulluara, sa nuk kishte mjaftueshëm jelekë shpëtimi për të vazhduar. “Askush prej nesh nuk dinte të notonte”, tha nëna e Nourajt, Nadja për Amnesty International. " Këto tri orë gjatë natës ishin orët e tmerrit. Por, ne e dinim se në Siri, gjithsesi, do të vdisnim, kështu që duhej të përpiqeshim të mbijetonim."

Familja mbeti dy muaj e bllokuar në Athinë, pasi kufijtë u mbyllën, përpara se të vendosej në kampin Skaramagas në periferi të qytetit. Noura ka humbur 2 kg që kur arritëm në Greqi, tha nëna e saj. Ata shpresojnë të ribashkohen me babanë Noura, i cili jeton në Gjermani.

Rand (varri i saj është në foto djathtas) vdiq në një aksident treni në Greqi. Vajza gjashtëvjeçare nga Siria u vra menjëherë pas mbërriti në Greqi nga Ballkani.

"Na mungon shumë ajo", tha nëna Reem për  Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR),  të cilit babai Mahmoud iu përgjigj: "Ne duhet të jemi të fortë."

Rand është varrosur në Greqi. Prindërit e saj dhe tre fëmijët të tjerë u zhvendosën në janar në Francë.

Fëmijë të moshës tetëvjeçare dhe familjet e tyre.

Rachel (në fotografi me të atin, Ëalid) jeton në Britaninë e Madhe. Familja e saj u zhvendos nga Siria në Liban në vitin 2012, pasi fshati i tyre u shkatërrua. Rachel ka lindur me një vrimë në zemër  dhe ka  nevojë për kujdes mjekësor të vazhdueshëm. Babai i saj Ëalid, i cili ka sarkomë, nuk ishte në gjendje të punonte. Në vitin 2014 familja me pesë anëtarë ishte pranuar në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfituar nga programi “Humanitarian Admission” dhe tani jetojnë në Bradford, Angli.

"Më pëlqen shkolla," i tha Rachel Amnesty International, e  cili dëshiron të bëhet edukatore në kopsht kur të rritet. "Unë kam tre miq të ngushtë, për Krishtlindje na erdhi babagjyshi dhe solli dhurata”.

Laya (familja në foton djathtas) u mbyt në udhëtim.

 Vajza tetëvjeçare nga Siria vdiq tri ditë para se kjo foto të behje nga motra më e vogël,  Linette. Familja kaloi gjashtë orë në ujë, pasi barka e tyre u përmbys gjatë natës nga Libani drejt Greqisë.

"E pashë dorën e vajzës sime dhe e tërhoqa afër meje, në mënyrë që mund të qëndronim mbi sipërfaqen e ujit së bashku", tha nëna Lina për UNHCR. "Pastaj të gjithë filluan të bien mbi mua dhe Laya më  ra nga duart e mia."

"Përpjekja për të mbërritur në Gjermani pati një çmim shumë të lartë." /përktheu lapsi.al/