• |
ide | kryesore

Pse Enveri nuk shkoi në Kosovë, kur vizitoi Beogradin më 1946-ën

Arkiva, Dossier
enver-hoxha-tito-beograd-300x179.jpg



Politikani Esat Myftari, në një libër mbi raportimet e diplomatëve në diktaturë, botimet “Princi”, në vende të ndryshme të botës, duke u fokusuar sidomos në raportimet sekrete të tyre që vinin nga Kosova. Emra, ngjarje dhe fakte të panjohura që dalin nga Arkiva e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Më poshtë pjesë nga kapitulli i parë, “Rivendosja e marrëdhënieve me Jugosllavinë”
 
Ngjarjet e viteve 1968 dhe 1981, që lidhen me raportet e ish-Jugosllavisë me Shqipërinë deri tani kanë njohur interpretime nga më të ndryshme. Për këtë arsye politikani e diplomati, Esat Myftari tregon se nisi punën për librin e tij Kosova dhe Enver Hoxha, sjellë përmes dokumenteve arkivore të pabotuara deri më sot. Myftari ka shfrytëzuar dosjet diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Në këto dokumente shprehet se ka gjetur ngjarje, zhvillime politike e kulturore, emra njerëzish të njohur personalisht ose të dëgjuar, të cilët lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi që përmbanin motivin dhe objektivin e raportimeve të diplomatëve shqiptarë, sidomos të atyre të akredituar në Beograd, Vjenë, Ankara, Stamboll e Paris. Sigurisht disa emra që përmenden sot nuk janë gjallë.
 
“Dokumentet që janë shfrytëzuar për këtë libër janë kryesisht raportimet e diplomatëve tanë, por të shkrime në sfondin e përvojës dhe vëzhgimeve vetjake përgjatë gjys shekulli si “emigrant kosovar”. Duhet pas parasysh se raportimet janë ba prej diplomatëve tanë ideologjike, me hapësinë fort të ngushtueme monovrimi a nisme vetjake. Por gjaja tjetër që bie më shumë në sy e që të befason megjithatë për mirë, asht përmbajtja e këtyne raportimeve: në to nuk ka aq fanatizëm ideologjik sa kisha kujtue, madje herë-herë ka nji shqetësim atdhetar e objektiv të pasqyruem për veshin e eprorëve të tyne. E në këtë pikë, ata janë të zotë e të ftohtë. Sidoqoftë, për shkak të vendeve ku shërbenin dhe natyrës së kontakteve të tyne njerëzore, përzgjedhja e diplomatëve tanë ka pasë nji karakter specifik: atje qenë emnue, sidomos në momente delikate, përgjithësisht njerëz që kishin shërbye në organet sekrete shqiptare, e që e njihnin nga afër problemin shqiptar dhe strukturën e gjallë të saj” thotë Myftari në parathënie.
 
Në këtë frymë e praktikë të njohur vendin më të spikatur e zinte nomenklatura shqiptare e Kosovës, ku autori përmend disa anëtarë të saj si Fadil Hoxha, Ali Shuria, Veli Deva, Xhavit Nimani, Ismet Shaqiri të cilët kishin dalë nga lufta, por edhe të shkolluar në Shqipëri që kishin njohje personale apo miqësi me diktatorin. Myftari bën një trajtesë profesionale për këtë pjesë të historisë duke përdorur dokumente arkivore që dëshmojnë një rakordim të jashtëzakonshëm të shërbimit të fshehtë serb me regjimin përgjatë viteve të udhëheqjes së Enver Hoxhës.
 
***
 
Kjo eufori e re takimesh e komunikimesh me ish-luftarë jugosllavë po merrte zhvillim të çuditshëm e filloi të konsiderohej tashma, po të flasim me gjuhën e sotme, si nji soft power për të topit arrogancën politike të udhëheqjes jugosllave në procesin e “ripajtimit”.
 
Kryeministri Mehmet Shehu, ish vullnetar i Brigadave internacionaliste të Spanjës, u kujtue se atje kishte njohë shumë shokë jugosllavë, me të cilët kishte nda jo vetëm të njëjta ideale, por edhe momente miqësie e solidariteti njerëzor. Dhe qe kaplue nga ndjenja krenarie pse njeni ndër ta, Ivan Goshnjaku, kishte mbërrit me u ba Ministër i Mbrojtjes i RF të Jugosllavisë.
 
Prandaj përgatit nji pliko me album fotografish nga Spanja dhe dy letra drejtue personalisht Goshnjakut. Me dorëzimin e këtyne dhuratave qe ngarkue z. Karafili. Por atë e priti zavendësi i parë i Goshnjakut dhe njiherit sekretar i përgjithshëm i ish-luftëtarëve të Spanjës, me pretekstin se ministri nuk kishte kohë të lirë. Simbas pritësit, në Spanjë kishte pasë disa mija vullnetarë jugosllavë dhe se me Mehmetin kishte qenë njoh në Spanjë e kishte kalue ditë të vështira në llogoret e Francës, fill mbas luftës.
 
Po ajo që po e habiste z. Karafilin ishte pohimi i mikpritësit se në Jugosllavi këta vullnetarë, në qarqe të caktueme partiake, konsideroheshin si të dyshimtë, si njerëz të Gestapos. Ambasadori jonë nuk e dinte se kjo lloj akuze nuk mbështetej mbi kurrfarë provash dhe se ishte thjesht nji epitet që i ngjitej apriori çdo komunisti që kishte pasë fatin e keq të kalonte nëpër llogoret fashiste. Për Stalinin me shokë, s’kishte njeri që do të mund t’i rezistonte sprovave të kampeve të tilla, prandaj të gjallët e dalë prej atij ferri duheshin eliminue fizikisht si të rrezikshëm, në mos si tradhtarë, ose, në rastin ma të mirë, të leçiteshin nga Partia e strukturat delikate shtetnore.
 
Sllovenia ishte me mjaft shembuj të tillë. Edhe në Shqipërinë komuniste grushti i vullnetarëve të Spanjës kishte qenë margjinalizue qysh në fillim të “pushtetit popullor”, por nuk qenë randue me akuza të ngjashme. Ka plotë të ngjarë që kjo të vinte për meritë të Mehmet Shehut.
 
Ky lloj afrimi mendohej të kishte edhe të mira të tjera. Karafili disa herë kishte marrë sigurime nga diplomatet jugosllavë që Pakti i Ballkanit, i cili dikur kishte shkaktue reagime të forta në qeverinë shqiptare, dalëngadalë po humbte arsyen e ekzistencës, mbasi po zbutej klima ndërkombëtare politike dhe vetë fryma e mosangazhimit të Jugosllavisë po shtrihej në të gjitha kontinentet, sidomos midis popujve që po shkëputeshin nga ish fuqitë koloniale e po synonin nji lloj pavarësie të gjithanshme.
 
Në gjykimin e qeverisë shqiptare, nji realitet i tillë jo se e joshte atë si orientim pozitiv të vetin, por sillte më vete nxjerrjen e Shqipnisë nga pozicioni i saj ishullor. Dhe kjo nuk ishte pak, sidomos në kushtet e lidhjeve të reja Moskë-Beograd. Të rrëmbyem nga ky vrull, për festën e 29 nandorit shqiptarët propozuan që në gazetën “Zëri i Popullit” të botohej nji artikull i porositun, shkrue prej vetë jugosllavëve, kurse në gazetën “Borba” të botohej nji artikull i ngjashëm shkrue prej shqiptarëve. Por jugosllavët refuzuen.
 
E quejtën intimitet të tepruem.
 
Në Kosovë pati nji çast shprese se afrimi Shqipni-Jugosllavi ishte nji kuadër i mirë për afrimin edhe me Kosovën. Nuk ishte si në vitin 1946, kur Enveri pati vizitue Beogradin e pjesë të tjera të Jugosllavisë, por pa shkue në Kosovë. Për atëherë ai u mirëkuptue: të gjithë e dinin se nuk kishte fytyrë me shkue atje, në nji Kosovë të mbushun me viktima kosovarësh prej dorës komuniste sllavo-ortodokse.
 
I vetmi njeri për të cilin do t’ia vlente me shkue atje poshtë, do të ishte Milladini, por edhe këtë kënaqësi ia kishte shkurtue “fanatiku kosovar” Haki Taha, siç e kishte zakon me thanë për të dhe që, me këtë ngarkesë përkeqësuese, e kishte futë edhe në tekste shkollore. Prandaj u mjaftue me legjendën që thoshte se nana e Milladinit paska shkue në Beograd, e paska takue Enverin dhe i paska pëshpërit në veshë se vrasësi i vërtetë i të birit nuk kishte qenë shqiptar! Prrallë kjo që, para saj, ia kishte servirë Enverit gjeneral Rahman Perllaku, kur qe kthye prej Kosovës si konfident i tij. Por shpejt u pa se Enveri kishte tjera interesa dhe se problemi i Kosovës s’ishte në rendin e tij të ditës.
 
Prishja e dytë e marrëdhënieve me jugosllavët
 
Sikurse u tha në fillim të këtij kapitulli, afrimi me Jugosllavinë nuk ishte nismë personale e Shqipnisë zyrtare. Ajo ishte nismë korporative. Prandaj zhvillimet e ktyne marrëdhanieve duhej të kalonin doemos nëpër dy binarë: në atë të harmonizimit me qëndrimin kolektiv të kampit, ku problemet ishin ma shumë teorike e politike dhe në tjetrin që ishte dypalësh, i mbushun me ngjarje dhe episode kombëtare e vetjake.
 
Jugosllavët, të bindun se gëzonin simpatinë e pjesës tjetër të kampit – mbizotnonte vlerësimi se të tjerët kishin marrë mbi vete të gjitha fajet e përjashtimit të saj nga Kominformi – gjithnji e ma shumë po jepnin shenja se nuk e duronin dot taktikën “zhagitëse e dredhuese” të Enverit. Siç u pa ma nalt, qendra formale e këtij show down të ri qe ba jo vetëm rehabilitimi i Koçi Xoxes por tash edhe tanësia e akuzave të PPSH në vitin 1948.
 
Ndaj e gjykuen të përshtatshme kohën për të fillue serinë e deklaratave çorientuese ndaj udhëheqjes shqiptare, ku me aluzione e ku me goditje direkte. Për këtë arsye, deklarata e fortë e atyne ditëve e Vidiqit, Sekretarit të Sekretariatit jugosllav për punët e jashtme, që thoshte se: “Normalizimi i marrëdhanieve tona sapo ka filluar, por nuk është bërë ende normalizim. Aktivitetet ekonomike, kulturore e të tjera nuk mund të bëhen pa sqaruar periudhën e pas vitit 1948. BS dhe vendet e tjera të demokracive popullore e kanë sqaruar këtë periudhë dhe kanë hedhur poshtë akuzat e fabrikuara kundër Jugosllavisë. Deklaratat e udhëheqësve tuaj janë të mira dhe na gëzojnë, por ato flasin për të ardhmen dhe nuk sqarojnë të kaluarën”, u interpretue si fillim i nji fushate të re.
 
Kurse ndonji tjetër, si Vllajko Begoviq, nuk ngurroi me përdorë edhe mjete diversioni, por mjaft primitive: “…Shokun Enver e konsiderojmë si shokun më të mirë, por është i rrethuar nga njerëz që ngurojnë lidhur me neve, si p.sh., Mehmet Shehu”.
 
Në fund, si u pa se nuk po ndiznin këto lloj marifete, u kalue në sistemin e bojkotit e të veçimit të Shqipnisë, për ta ekspozue atë si fajtore në sytë e demokracive popullore për mos përparimin e marrëdhanieve shqiptaro-jugosllav me ritmin dhe show down – hapje letrash, provë force (shën. i aut.). në drejtimin e “kërkuem”.
 
Modalitetet ishin kaq vulgare, sa ato shkelnin edhe rregullat e mirësjelljes elementare. Diplomati ynë Lako raporton gjithë shqetësim se në pritjen e organizueme prej ambasadës jugosllave në Bukuresht, ku qe dhanë nji film e nji bufé, kishin qenë të ftuar të gjithë shefat e përfaqësive diplomatike të kampit, me përjashtim të tij dhe se kjo gja po i ndodhte për herë të parë. Ndërsa prej ambasadës sonë në Paris raportohej për nji rast krejt skandaloz, ku diplomatët jugosllavë me shefin e tyne, sllovenin e mirënjohun Alesh Bebler, zbatojnë të ashtuquejtunin protokoll poshtnimi:
 
“Në pritje i takojnë të gjithë shefat miq, kurse neve na kthejnë shpinën”.
 
Por kulmi i kësaj taktike arrin në pritjen që Tito i bani ministrit tonë në Beograd. Sikurse relaton Karafili: “Bisedimi vazhdoi 15 minuta. Gjatë vizitës Titua kish edhe Vilfanin. Pritja ishte e ftohtë. Nxori pijen dhe kur përshëndeti e ktheu kokën mënjanë.
 
Të gjithë shefat e misioneve që janë larguar jo vetëm që i ka pritur, por edhe i ka mbajtur për drekë ose darkë”. Vetëm mbas këtij relacioni, u gjykue se kupa qe mbushë dhe se jugosllavët meritonin nji farë kundërpërgjigje. Për pritjen e 29 nandorit, ambasadat tona morën urdhna që të përgjigjeshin në rast provokimesh me fjalë ose veprime. Tashma prishja e marrëdhanieve po ndjehej në ajër. Por ashtu si herën e parë, edhe tash, shkaku i prishjes zyrtare të këtyne marrëdhanieve, në thelb, po vinte nga jashtë. Në të dy rastet në përfitim të Enverit. Dështimi i “kundërrevolucionit” hungarez dhe prishja e Beogradit me Moskën qe ba nji fakt i kryem. Si pasojë, atë rrugë do ta ndiqnin doemos të gjitha vendet e kampit.
 
Në të vërtetë, trysnitë e Titos dhe ngutja e tij e pazakontë, kishin pasë parasysh pikërisht këtë kahje ngjarjesh. Ai donte ta gjunjëzonte Enverin para se të merrte fund dueli Nagi-Hrushov.
 
Ashtu sikurse Enveri jo më kot luente taktikën e zhagitjes. Edhe ky ishte mjaftueshëm në dijeni se fati mund t’i kthehej për mbarë, sepse ishte ba e qartë që Hungarinë e kishte lanë në baltë Perëndimi. Nji shkas tjetër për thellim polemikash qe edhe arratisja më 16-17 maj 1957 e Panajot Plakut në Jugosllavi. Qeveria shqiptare kërkoi menjiherë dorëzimin e tij dhe kundërshtoi dhanien e strehimit politik nga ana jugosllave.
 
Po Dobrivoje Vidiç hodhi poshtë akuzën se Panajoti kishte marrë me vete dokumente sekrete. Ai deklaroi se para se të vinte Panajoti, askush nuk e kishte njohë, dhe se në bazë të ligjeve në fuqi nuk mund të zhvillonte asnjë aktivitet kundra vendeve të tjera ose Shqipnisë. Natyrisht, këtë pohim të tij nuk e besonte njeri, por të gjithë e dinin se as qeveria shqiptare nuk kishte qenë “ma fisnike” në këtë drejtim.
 
Ndërkohë, se prishja po bahej vërtetë e pakthyeshme u pa vetëm kur stafeta e polemikës i kaloi shtypit. Rol i veçantë iu nda gazetës së Prishtinës, “Rilindja”, e cila filloi me artikuj reportazh dhe kur botoi referatin e Xhavit Nimanit ku thuhej: “I vetmi vend që mbeti mënjanë procesit të stabilizimit asht Shqipnia. Atje jo vetëm që nuk i kanë hy ndreqjes së gabimeve të vjetra, por vijojnë gjithnji me politikën e vjetër dhe me metodat e vitit të kobshëm 1948”. Në mënyrë të veçantë u aktivizuen karikaturistat e njohun jugosllavë.
 
Gazeta satirike “Jež” (Iriqi) e dha Enver Hoxhën me dylbi tue ndjek nga Tirana mbledhjen e Bukureshtit. Poshtë në diçiturë shkruhej: “Keni harrue marksistin ma të madh!”.
 
Edhe “Rilindja”, tue trajtue të njëjtën temë, botoi karikaturën tjetër me nuancë shumë therëse: Në njenën anë pjesëmarrësit e konferencës së Bukureshtit dhe në anën tjetër Enver Hoxha i veshun me divizë ushtarake dhe me çizmet e hequna tue u fut në xhami.
 
Në diçiturë shkruhej: “Amin, amin!”.
 
]Prishja e marrëdhanieve po degëzohej tashma në të gjitha fushat e komunikimit të ndërsjellë. Në fjalorin diplomatik u kalue nga “shok” në “zotni”, jugosllavët e quejtën të arsyeshëm dëbimin e sekretarit të dytë të legatës shqiptare në Beograd, kurse nga ana jonë ministri i jashtëm lëshoi urdhnin për vartësit e vet, ku shkruhet:
 
“Legata jugosllave që në fillim ka pasë qëndrim jo korrekt.
 
Ju porosisim në mënyrë kategorike që me përfaqësuesit jugosllavë në rast takimesh të qëndroni krejtësisht në bisedën protokollare dhe të evitoni çdo kontakt të panevojshëm”.
 
Megjithëkëtë, z. Karafili nuk ishte i mërzitun. Madje dukej sikur kishte nji gëzim të mbrendshëm, pse ngjarjet kishin marrë këtë rrjedhë. Veç kësaj, aty ishte edhe ambasadori i ri rus në Beograd, Firjubin, i cili e ngushllon:
 
“Këtu asht ndërmarrë nji fushatë e madhe kundër BS. Në Beograd, thotë ai, për këtë qëllim ka pasë plot 118 leksione. Ka pasë ndjekje, survejime. Prandaj, në këtë situatë është mirë të mos bëni vizita, mbasi ka të ngjarë të kurdisin provokacion” Përballë këtij sulmi të ri propagandistik jugosllav dhe prishjes së pandalshme të marrëdhanieve, shteti shqiptar kujtohet për armën e vet rezervë, Kosovën. Shtypi shqiptar boton disa shkrime për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, u kujton edhe faktin se ndërsa po baheshin përpjekje për normalizim marrëdhaniesh gjatë viteve 1954-56, në Kosovë ishin përdorë tortura të përbindshme kundër shqiptarëve në aksionin kriminal të mbledhjes së armëve.
 
“Zëri i Popullit” botoi një artikull edhe për Konferencën e Londrës ku trajtoheshin padrejtësitë e Fuqive të Mëdha ndaj kombit shqiptar, nga të cilat kishin përfitue Serbia e Mali i Zi. Por shkrimi kishte thjeshtë trajtën e nji mementoje historike. Ndërsa Beogradi e njihte prej vitesh këtë marifet të Tiranës zyrtare, ndaj qeshte nën hundë. Veç kësaj, në lojën e saj përtallëse, Beogradi nxori në paraskenë udhëheqësin shqiptar, Xhavit Nimanin, i cili pa pikë turpi deklaronte publikisht se në Kosovë nuk kishte pasë as aksion për mbledhje armësh dhe as shpërngulje për në Turqi.
 
Sikurse shihet, në vitet e turbullta 1953-57, për shkak të sulmeve të lira jugosllave, pa kurrnji fré ndërkombëtar të vëllazënve ideologjikë të lindjes, pozitat e Enverit qenë lëkund mjaft.
 
Për ma tepër, edhe mbrenda rrethit të Partisë së tij, qenë aktivizue forca që kishin marrë guximin me e sfidue publikisht, prandaj ai “nuk kishte kohë” me u marrë me Kosovën, pavarësisht se ajo i qe nënshtrue fushatës së përgjakshme të mbledhjes së armëve. Ka që mendojnë se pikërisht për këtë arsye, Jugosllavia i kishte shtue presionet mbi te në mënyrë që të impononte heshtjen e tij për Kosovën e t’i krijonte alibinë para historisë. I vetmi faktor shqiptar që kishte ngritë zanin kundër kësaj barbarie të re serbo-malazeze, ishte shtypi “reaksionar shqiptar” përmes organeve të veta “Shqipëria e Lirë”, “Besa” etj., dhe liderët të shquem të saj që zbarkonin në Turqi me shpresën se do ta pengonin vuejtjen dhe hemoragjinë e re shqiptare.
 
Qe kthye ajo atmosferë e randë e mbasluftës, kur shqiptarët e Kosovës zhdukeshin pa pikë përgjegjësie dhe Shqipnia zyrtare nuk ndihej gjallë edhe për ato raste, kur nuk ishte bashkautore e drejtpërdrejt me ta. Por kjo qeveri, kishte mirësinë t’i lexonte këto organe të “reaksionit”, të nxirrte shënime prej tyne, sepse do t’i duheshin për propagandën e mbas-prishjes së re me Jugosllavinë. E njajta gja kishte ndodhë edhe mbas Rezolucionit të vitit 1948. Në propagandën e saj, PPSH dhe shtypi shqiptar shfrytëzonte materialet mjaft shteruese të njerëzve si Xhaferr Vokshi, i cili kishte ardhë në Shqipni si emigrant politik dhe, tue qenë se kishte qenë pjesë e udhëheqjes krahinore, ishte në dijeni të plotë të lojnave e krimeve serbe në Kosovë dhe i kishte përmbledh ato në nji raport voluminoz e depozitue në MPJ./Mapo.al/