• |
ide | kryesore

Shkoni në kinema, por mos kërkoni Shkëlzenin

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET.jpg



Kush do të marë mundimin këto ditë, të shkojë të shikojë prodhimin e Hollivudit “War Dogs”, që po shfaqet në të dy rrjetet e kinemave tona, me siguri do të mbetet i zhgënjyer. Pak a shumë kjo më ndodhi edhe mua, pasi dola nga salla.

Natyrisht jo nga filmi ku parakalojnë aktorë të njohur si Bradley Cooper dhe Jonah Hill, as nga regjia e lezeçme dhe nga njëherë plot nota humori e regjizorit të “The Hangover”, Todd Phillips, por për pritshmëritë që ky prodhim kishte ngjallur prej muajsh në Shqipëri.

U bë disa kohë, që në kor, mediat e majta, kishin propoganduar se ngjarja e tmershme e 26 të vrarëve të Gërdecit kishte mbëritur deri në Hollivud. E kishin mbarsur publikun shqiptar se po bëhej një filim për të birin e ish kryeministrit Berisha, Shkëlzenin, roli i të cilit në aferën e demontimit të armëve dhe të çuarjes së fishekëve kinezë drejt Afaganistanit është tashmë i provuar. Kishin lënë të kuptohet se aty do të bëhej një pasqyre e kulisave dhe korrupsionit shqiptar të qeverisë së kaluar, se aty do të shfaqeshin Fatmir Mediu, Kosta Trebicka, Deliorgji me shokë, pra krejt skema e një pushteti që u nis për të vjedhur dhe përfundoi në vrasje.

Nëse dikush mendon të niset për në Millenium apo Cineplexx me këto pritshmëri, më mirë mos ta marë rrugën fare.

Vërtet në filmin e Todd Phillips përmendet Shqipëria për disa minuta (edhe skenat janë xhiruar në Rumani) vërtet aty del me emër një personazh real i trafikut të armëve të asaj kohe, si Ylli Pinari, vërtet aty shpjegohet afera e pisët e anashkalimit të ligjit, që municionet kineze të depozituara në Shqipëri t'i dërgoheshin nga Pentagoni, ushtrisë afgane, por deri këtu.

Përpara se të jetë një histori shqiptare “War Dogs” është një skenar tipik amerikan. Ai rrëfen historinë e dy të rinjve që i hyjnë biznesit të fëlliqur të tregëtimit të armëve, i cili në një moment, pikërisht në atë që rezultoi fatal për ta, i kryqëzoi jetët e tyre me Shqipërinë.

Kaq. Vetëm kaq. Ai është një film mesatarisht i arrirë artistikisht, por që nuk ka asnjë vlerë për përdorim të brendshëm politik.

Jo, aty nuk denoncohet korrupsioni shqiptar. Jo aty nuk fshikullohet Shkëlzen Berisha dhe as nuk demaskohet pushteti i të atit të tij.

Po është e vertetë, historia reale e tragjedisë së Gërdecit, mund të vlente vërtet për një skenar Hollivudian. Fëmijët që u ndanë nga jeta, implikimi politik, zhdukjet e personave dhe më pas alibitë që u shpikën për shpëtuar fajtorët, mund të përbënin një lëndë tërheqëse edhe për vetë Oliver Stounin.

Si një njeri që ka bërë një gjysëm dyzine me emisione, që në kohën kur kjo plagë qe ende e nxehtë, jam krejtësisht i bindur për këtë.

Por, filmi që kemi sot në sallat tona, as nuk ka lidhje me këtë pritshmëri.

Madje nëse një spektator i zakonshëm i këtij vendi, shkon me këtë synim në kinema, më shumë sesa akuza, ai do të gjente alibi për pushtetin e djeshëm të Sali Berishës.

Ai do të arrinte në konkluzionin se fatkeqësisht bota funksionon kudo njësoj. Se dhe në shtetin e ashtuquajtur të lirive dhe demokracisë, luftrat u mbakn gjallë, që kompanitë e armatimit të zv/presidentit Dik Çenej të vazhdojnë të fitojnë miliona. Se tenderat bëhen për fasadë dhe se peshqit e vegjël si kudo marrin vetëm thërrimet. Se konflikti permanent dhe shitja e çdo lloj arme është një nga politikat konstante të një shteti, ku miti i lirisë dhe mundësive të pafundme, shpesh herë errësohet nga një ushtri që megjithëse shpenzon sot gjysmën e buxhetit të vendit, nuk ka fituar asnjë betejë të madhe që pas përfundimit të luftës së dytë botërore; as në Kore, as në Vietnam, as me ndërhyrjet në Somali apo Nikaragua, e së fundi, as në Irak e Afganistan.        

Vërtet që filmi është simpatik estetikisht me ndarjen në kapitujt, por të gjithë titujt e tyre (“Lufta është ekonomi”, “Paratë bëhen duke anashkaluar rregullat”, “Kujt i intereson nëse nuk thua të vërtetën”, “Kjo duket si e paligjshme”) dëshmojnë për një Amerikë shumë larg nga ajo që rëndom përpiqet të na serviret si model në Shqipëri.

E në këtë kuptim, një Amerikë e tillë, shpesh arrogante, vrasëse e korruptuar dhe cinike, mund të bëjë të duket më e lehtë përgjegjësia makabre e personazheve realë të Gërdecit.

Faji i personazheve të tagjedisë shqiptare duket gati gati banal, në raport me krimet e atyre që shkaktojnë masakra planetare.

Pikërisht për këtë, përdorimi politik që iu bë në Shqipëri, këtij prodhimi hollivudian, nuk qe vetëm i gënjeshtërt, por edhe i gabuar. Po t’i besoje asaj që shkruan për muaj me radhë mediat e majta, dhe pastaj të shkoje në kinema të dukej sikur Saliu, Shkëlzeni, Fatmiri, me shokë paskëshin qenë ëngjëj. Në fakt nuk është kështu. Por, kjo është një nga tekat e propogandës, që shpesh u përplaset në fytyrë ideuesve të saj. (Lapsi.al)