• |
ide | kryesore

Mëkati që po bëjmë me Nënë Terezën

Arkiva, Blog
nena-tereze1.jpg



Nga Ardian Vehbiu

Janë momente kur gëzimin e natyrshëm katolikëve, edhe atyre shqiptarë, po ua shurdhojnë e mbytin rrahjet e gjoksit të politikanëve, oportunistëve, kombëtaristëve, cheerleader-ëve dhe të gjithë atyre të tjerëve, që përfitojnë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, për të shprehur “krenarinë” e tyre – si bashkatdhetarë të saj, si shqiptarë dhe, veçanërisht, si pasagjerë që sapo i kanë hipur kësaj karroce.

Këtyre do të doja t’u kujtoj se për Krishterimin, krenaria është mëkat; madje për shumë mësues të kësaj feje “mëkati origjinal”, që përfton çdo mëkat tjetër dhe e ushqen; aq sa C. S. Leëis ta ketë quajtur “vesi thelbësor, e keqja më e madhe.”

Krenaria e shumë prej atyre që shpallin se “janë krenarë” për këtë ose atë, shpesh nuk është veçse një manifestim naiv i boshllëkut shpirtëror, ose i dëshirës instinktive për ta jetuar jetën në mënyrë parazitare.

Këtyre u ofrohet sot edhe krenaria për Nënë Terezën si alkool falas, në banketet populiste të pushtetit.

Përkundrazi, krenaria si mëkat shqetëson më shumë në sjelljet dhe qëndrimet e klasës në pushtet dhe në tam-tamin e mediave që e zbavitin këtë klasë, duke ia kënaqur etjen për krenari.

Te pushtetarët, që sot e kanë bërë të tyren Nënë Terezën dhe janë vetë-shpallur bujshëm si titullarë të kremtimit publik të shenjtërimit të saj, duke u vënë në garë se kush do të fitojë më shumë hapësirë në ekranet; te këta pushtetarë sot të babëzitur për Nënë Terezën, i gjen me bollëk të tre llojet e krenarisë mëkatare: vanitetin, ose preokupimin me dukjen; mendjemadhësinë, si bindje superioriteti se ti je më i mirë se tjetri; dhe arrogancën, si vetëmjaftueshmëri në rendin e sendeve.

Si mëkat, krenaria i kundërvihet përvuejtnisë; ose pikërisht atij virtyti të krishterë, për të cilin e kanë admiruar kaq shumë Nënë Terezën. Prandaj nuk po më duket se ka ironi më të madhe, që shenjtërimin e kësaj gruaje sot ta shoqërojë krenaria dhe pompoziteti – dhe aq më pak krenaria e një elite, si kjo që drejton sot Shqipërinë, dhe që ka dështuar në misionin e vet njerëzor.

Unë nuk jam fetar; dhe konceptin e mëkatit e përjetoj nga pozitat e një agnostiku – ose si shkelje të detyrimit që kemi, si njerëz, ndaj të tjerëve. Megjithatë, gjithnjë jam gati ta pranoj admirimin tim për moralin e Ungjijve, përballë idhujtarisë që ka përmbytur sot kulturën pop dhe që synon t’i bëjë qytetarët të adhurojnë jo të drejtën, as të mirën dhe as të vërtetën – por thjesht forcën lakuriqe.

Shënim: për disa nga parashtrimet më lart, në lidhje me krenarinë si mëkat brenda etikës së krishterë, i jam referuar gjerësisht këtij artikulli nga Paul Sands: The deadly sin of pride. /Titulli i origjinalit KUJDES: KRENARIA ËSHTË MËKAT/

 



2 Comments

  1. Ka njefare te drejte Vehbiu

    Ka njefare te drejte Vehbiu kur denon "krenarine" hipokrite vecanerisht te politikaneve qe ne mbrendesi te ndergjegjes se tyre, jane ateiste. Druaj se edhe Vehbiu eshte ateist nga edukimi komunist qe ka pasur qe ne femini.. Jam edhe une kunder te shprehurit "krenar" se Nene Tereza ka origjine shqiptare, pasi llogjikisht nuk kam arsye qe te krenohem vete personalisht per ato cfare ka bere ajo. Ama qe origjina e saj shqiptare, me krijon njefare kenaqesie, eshte njelloj me ate kenaqesi qe mund te ndjeje cdo njeri, kur qofte edhe nga rrethi i tij familjar ka nje njeri te shquar. Imazhin e shemtuar ju a dha sistemi diktatorial enverist, qe e ktheu Shqiperine ne shtetin e vetem ateist ne bote, dhe ju mohoi shqiptareve te drejten e besimeve fetare. Nese sot pas 25 viteve te sistemit demokratik pluralist dhe rikthimit te te drejtes se besimit e te mendimiit te lire, shqiptaret vazhdojne te kene nje imazh te keq me korrupsionin e kriminalitetin, kjo eshte nje deshmi se ne popullin shqiptar ka humbur besimi fetar tek vlerat njerezore e tek Zoti. Fete e Zoti perdoren me hipokrizi, per demagogji politike.

  2. Mirë është të dënojmë

    Mirë është të dënojmë krenarinë, por adhurimin e Nënë Terezës për mjerimin e vuajtjen e të varfërve e dënojmë? Ajo nuk ka qënë mikeshë e të varfërve, ajo ka qënë mikeshë e varfërisë. Siç ka thënë dhe i ndjeri Christopher Hitchens.