• |
ide | kryesore

Prokurori kërkon burg për Marinakisin, presidentin e Olimpiakos dhe manjatin e mediave

Arkiva, Planet
marinak.jpg



Prokurori i çështjes së ndeshjeve të trukuara të futbollit grek, ka kërkuar vënien në bankën e të akuzuarve të bosit të Olimpaikosit, Vangjelis Marinakis, bashkë me 27 persona të tjerë, që akuzohen për “krijim organizate kriminale”.

Prokurori kërkon gjithashtu arrestimin dhe mbajtjen në paraburgim të Marinakisit, pasi argumenton se i pandehuri nuk ka respektuar kushtet e vëna nga prokuroria, që ndër të tjera i ndalonin të merrej me futbollin.

Prokurori thekson se mbajtja në paraburgim e biznesmenit të njohur gjykohet si domosdoshmëri, me qëllim që të parandalohet kryerja prej tij e veprave të tjera penale.

Fjalën e fundit ndaj kërkesës së prokurorit do ta ketë Këshilli Gjyqësor i Apelit.



Marinakis: “Nuk befasohem”

Presidenti i Olimpiakosit, me një deklaratë për shtyp që u publikua në faqen e internetit të klubit të Pieut, e akuzon prokurorin e çështjes se është manipuluar dhe vepron, siç thotë, sipas urdhlërave të kryeprokurorit të Athinës. Marinakis thotë se ndaj tij po komplotohet me qëllim që ta largojnë me zor nga futbolli, ndërsa paralajmëron se do të paditë prokurorin.

“Kërkesa e sotme e prokurorit nuk përbën befasim për mua. Dhe kjo sepse përmbajtja ishte vendosur nga shefi i prokurorisë së Athinës, që nga dita e parë kur filluan hetimet për këto akuza të fabrikuara, të cilat në thelb synojnë të godasin Olimpiakosin dhe veprimtarinë time për progresin e ekipit”.

Sipas Marinakis-it, e gjithë kjo dëshmon se çështja është fabrikuar, me qëllim fyerjen monstruoze të personalitetit tim dhe sepse më duan jashtë futbollit dhe larg prej Olimpiakosit”.

Evangelos Marinakis, një biznesmen i fuqishëm i transportit detar, përveç drejtimit të Olimpaikositl, po përgatitet tashmë që të hapë edhe një aktivitet tjetër. Ai ishte një nga katër fituesit e tenderit të licencave për televizionet kombëtare, licencë që e mori kundrejt një pagese prej 73,9 milionë euro.