• |
ide | kryesore

Presidenti i Zyrihut sqaron problemin Sadiku

Arkiva, Sport
04-SADIKU-rundumel1.jpg



Armando Sadiku, “I burgosur” i Zyrihut. Edhe pse tashmë duket se e ka kaluar shokun fillestar, fakti është që sulmuesi i kombëtares nuk është duke e përjetuar ashtu si duhet këtë fillim sezoni dhe motivi është i ditur: donte të largohej. Dyert Iu mbyllën dhe jo sepse në drejtim të tij nuk pati oferta apo interesime, por sepse Zyrih luajti “bllofin” e vlerës së kartonit. Në fillim kërkonte 8 mln euro, më pas 4 mln euro dhe, së fundmi, 1.8 mln euro, por ishte e vështirë që javën e fundit të ndodhte një transferim. “Sport Ekspres”, edhe kohë më parë, në dijeni të çështjes, zbuloi se në Rusi, Angli, por edhe Turqi, shumë skuadra lëvizën në drejtim të sulmuesit të Shqipërisë, i vizionuar sidomos në sfidën e tretë të grupit në Europianin 2016 në Francë, nga shumë agjentë. Madje, edhe Bazeli e ka çuar ndër mend emrin e tij, duke e marrë shënim. Shifrat në Zvicër flasin qartë: më shumë se 40 gola të realizuar në tre vitet e fundit. Një karrierë e cila e ka parë protagonist në Zvicër, nga kategoria e dytë, te e para, për t’u rikthyer, tashmë, te e dyta. Një nivel i cili nuk i përket sulmuesit, që sigurisht meriton shumë më shumë. Por, të kthehemi te Zyrihu dhe presidenti i saj, Ançilo Kanepa, i cili ka folur sërish rreth çështjes “Sadiku”, këtë herë, duke zbuluar të vërtetën e tij: “E vërteta është se ne kurrë nuk deshëm që të largonim Sadikun. Kishte disa interesime, por asnjë ofertë konkrete.

Unë nuk di asnjëherë të jetë përmendur ndonjë shifër. Ne na duhet ky lojtar, do të na ndihmojë të ngjitemi shpejt”, tha ai për “Blick”.

Më pas, i pyetur se pse futbollisti nuk kishte festuar pas golave të tij të parë në këtë sezon në kategorinë e dytë, presidenti i Zyrihut ka shpjeguar se ka besim të plotë te përkushtimi i sulmuesit shqiptar. “Armando është stërvitur me përkushtim të plotë dhe tani shënon rregullisht gola. Në ndeshjen e fundit, kundër Shafhauzen, duhej ta shihnit se sa shumë festoi pas golit që shënoi. Përveç të tjerave, në bisedat që kam zhvilluar me të, ai është shfaqur gjithmonë pozitiv. Fakti që ai ka ambicie për të luajtur jashtë Zvicrës është më se i kuptueshëm”, theksoi Kanepa.

Pak minuta – Sigurisht, pasi ishte edhe me leje në Shqipëri, si pasojë edhe një dasme, Armando Sadiku, i lodhur edhe nga ndeshja me kombëtaren, ka luajtur në minutën e 84-tën në fitoren e arritur nga Zyrihu 1-0 ndaj Kiaso.