• |
ide | kryesore

Shqipëria e përdori Kosovën për të fabrikuar krenari kombëtare

Arkiva, Ide
vjosa musliu.jpg



Vendimi i Milot Rashicës për të luajtur për përfaqësuesen kosovare të futbollit riktheu edhe njëherë diskutimet, gjithsesi të nevojshme, për identitetet shqiptare dhe kosovare. Në periudhë vere, kur thatësia prek jo vetëm lexuesin, por edhe klikuesin si kategori të portaleve online, mediat tiranase u kujdesën të vënë zjarr në debatin e përhershëm të marrëdhënieve shqiptaro-kosovare dhe të identitetit të shqiptarëve të Kosovës.
 
Debati që pasoi para se gjithash nxori në pah problemet e identitetit të shqiptarëve në Shqipëri dhe të Shqipërisë, se sa të vetë shqiptarëve të Kosovës. Rëndësia e këtij debati brenda për brenda Kosovës, ia vlenë të shtjellohet veçmas një herë tjetër.
 
Fillimisht duhet thënë se ajo çfarë ka përfituar futbolli shqiptar dhe shteti shqiptar në përgjithësi nga pjesëmarrja e madhe e lojtarëve nga Kosova nuk lidhet vetëm me sukseset në futboll. Në këto dhjetë vitet e fundit, Shqipëria ka përdorur Kosovën dhe simbolikën e Kosovës si nënvetëdijen e saj nacionaliste e patriotike. Të paktën në stadiume futbolli. Të paktën për 90 minuta lojë! Dhe kjo jo se është bërë si rezultat i ndonjë plani të menduar mirë, por në mungesë të agjentëve të saj të brendshëm për të krijuar dhe fabrikuar krenari kombëtare, Shqipëria politike e gjeti dhe e përdori këtë në Kosovë.
 
Prania gjithëpërfshirëse e shqiptarëve në ekipin e kombëtares shqiptare, krijoi një përshkallëzim tjetër të nacionlizmit organik duke e kodifikuar atë si mbarëshqiptar, gjithëpërfshirës e mbi të gjitha të koncentruar në Tiranë! Sllogani «Një komb, një kombëtare» gllabëroi njëtrajtshëm të gjithë shqiptarët e kudondodhur rreth një subjekti të vetëm kombëtar. Ata që mbetën jashtë «kombëtares» mbetën edhe jashtë «kombit». Rrjedhimisht këtu nuk kishte vend për ata që do të imagjinonin kombëtaren e Kosovës në ngjyrat verdh e kaltër!
 
Politikisht kjo gjë i dha Shqipërisë politike një spirancë të munguar të krenarisë kombëtare dhe histerisë nacionaliste, e cila nuk materializohet askund më mirë se sa në stadiume futbolli. Lojtarët dhe tifozët shqiptarë të Kosovës mbushën vakuumin e krenarisë kombëtare në Shqipëri. Vetë historia e Kosovës, tragjedia e saj përgjatë viteve të ‘90, dashuria dhe vëllazëria e saj e patjetërsueshme ndaj Shqipërisë i dhanë peshë politike kësaj dinamike. Me këtë njësim nëpër fusha futbolli, Shqipëria politike mori hise dhe u bë edhe vetë subjekt i historisë së Kosovës. Dukej se Reçaku, Meja, Prekazi, lufta për pavarësi ishin bërë kujtesë dhe pikë referimi në histori njejtë si për pejanët ashtu edhe për vlonjatët dhe durrsakët. Rrjedhimisht, edhe armiku ishte bërë një. Serbia do të fitonte të njëjtën fytyrë mizore për sarandiotët, gjakovarët e kukësianët. Gjatë 90 minutave do të brohoritej për një komb gjithëpërfshirës imagjinar, për një histori të përbashkët imagjinare, e për një vëllazëri e cila paskësh ekzistuar e pandërprerë në kohë.
 
Një dinamikë e tillë abstrahoi faktin se përkundër pavarësisë së saj të gjymtë, në një të ardhme të afërt a të largët, Kosova do të vazhdonte t’i jepte kuptim shtetësisë së saj, edhe duke formuar përfaqësueset e veta sportive, edhe duke mbajtur flamurin e Ahtisaarit, e edhe duke bërë «mëkatin e madh» – braktisjen e Shqipërisë!
 
Për ata që e njohin Shqipërinë politike edhe para vitit 2010, e sidomos para se platformat mediatike të bënin punën e tyre, është e pamundur të mos vihet në pah ky ndryshim i formuar në stadiume futbolli. Duke mos qenë pjesë e Jugosllavisë dhe duke qenë e mbyllur përgjatë komunizmit, që prej fillimit të viteve të ‘90 Shqipëria e gjeti veten të rrethuar me shtete të cilat po shpërbëheshin e po ribëheshin si rezultat i etno-nacionalizmit. Në këtë konstalacion historik, Shqipëria, fatmirësisht, kishte ngelur jashtë konflikteve të drejtpërdrejta etnike. Kjo i krijoi edhe mundësinë e ruajtjes së njëfarë distance karshi fqinjëve.
 
Mirëpo, më tepër se sa distancë politikisht e artikuluar, deri nga mesi i viteve 2000 në Shqipëri kishte më tepër injorancë kundrejt fqinjëve. Kjo shoqërohej me një dozë inferioriteti e simpatie për muzikën popullore serbe të cilën e kishin njohur përmes antenave private të paligjshme gjatë periudhës komuniste. Ndoshta nuk është e tepërt të thuhet se në dekadën e parë të viteve 2000, në klubet më «in» të Tiranës lëshohej muzikë serbe, bullgare e malazeze, e cila edhe për trendet e asokohshme në këto vende përkatëse ishte tërësisht e tejkaluar. Megjithatë duhet kuptuar. Shqipëria ende ishte në hapat e saj të socializimit me atë që në Tiranë i referohej rëndom si «muzikë e jashtme».
 
Në këtë përhumbje njohurish, opinioni publik në Shqipëri jo vetëm që nuk ishte pjesë e marrëdhënieve të tendosura me Serbinë, por mbi të gjitha, nuk kishte as njohuri për nivelin e konfliktit gjithëpërshirës shqiptaro-serb. Tek në vitin 2006, pas reagimeve për koncertin e Goran Bregoviqit në Tiranë, filloi interesimi dhe debati në mediat shqiptare të Tiranës.
 
Nga dorëzimi i çelësit për Goran Bregoviqin në vitin 2006, Shqipëria do të përfundonte duke dirixhuar drone me mesazhe nacionaliste për pan-shqiptarizëm në Beograd në vitin 2014. Do të ishte një shtetas shqiptar që do të drejtonte një dron me një flamur politikisht irredentist në zemër të Beogradit. Kjo ngjarje e ridefinoi konfliktin shqiptaro-serb, por tanimë me një ndryshim të madh – si konflikt edhe të shtetit shqiptar me atë serb. Në ndërkohë, personazhi i dronit do të defilonte si hero i shekullit të ri të shqiptarëve pikërisht nëpër platformat televizive të cilat e kishin paketuar dhe shitur flamurin si konsum.
 
Së këndejmi, largimi potencial i shokëve të Milotit nga përfaqësuesja shqiptare e futbollit, dhe krijimi i një tifozerie tjetër me «bijë të Kosovës» simbolikisht rrezikon ta lërë «kombin» cullak në stadiume futbolli. Në kuptimin politik kjo do t’ia humbte Shqipërisë spirancën e krenarisë. Për çfarë krenarie do të brohoritet këtej e tutje? Çfarë do të ndodhë me paketat dixhitale të cilat kombëtaren mbarëshqiptare e paketuan dhe e shitën të pataksuar nëpër diasporë dhe viset shqiptare përtej «Shqipërisë londineze»? E mbi të gjitha, cili do të jetë nacionalizmi i Tiranës pa Kosovën në të? Cilën krenari kombëtare do ta përqafojë Shqipëria në stadiume futbolli? Platformën politike në tentativë të Kreshnik Spahiut? Ndoshta! Por ky nuk është problem i Milotit e as i të tjerëve që do të vendosin të shkëputen nga «kombi» organik për ndonjë komb a organizim tjetër politik, çfarëdo që të jetë ai. /dialogplus.ch/