• |
ide | kryesore

Albert Xhani i kthen përgjigje Takajt: Pse unë mbeta pa një biçikletë

Arkiva, Sport
Xhani-2.jpg



Albert Xhani nuk e ka kapërdirë dot faktin që Takaj i përmend mënyrën se si u largua nga futbolli shqiptar. Ish-presidenti i Partizanit i përgjigjet kreut të klubit të Skënderbeut dhe deklaron se nuk po i thotë të vërtetat siç janë.

Në një reagim për “Panorama Sport”, Xhani akuzon tre ish-ministra të qeverisë së kaluar, të cilët, sipas tij, e rrënuan Partizanin dhe ndikuan që klubi i kuq jo vetëm të mos gëzohej me trofe, por e çuan deri në atë pikë sa e lanë pa terrene dhe pa ambiente sportive.

Ja replika e plotë e Xhanit në adresë të Ardjan Takajt:

“I them Ardjan Takajt se po thotë gjysmën e së vërtetës. Nëse nuk më ka mbetur as biçikletë pasi drejtova Partizanin, kjo ka ndodhur për disa arsye që po i rendis më poshtë:

– Sepse biznesin tim dhe të partnerëve të mi europianë, i ligjshëm (direktivë e BE-së) që ngrita prej vitit 2006, ma bllokoi dhe vazhdon ta bllokojë akoma sot me disa segmente të tijat, që i kanë mbetur pranë Ministrisë së Financave, pionieri i Enverit: Ridvan Bode Beu…!

– Sepse ‘Gjenerali me tre gishta’ sapo u bë ministër i Ministrisë së Mbrojtjes, në vend që të më mbështeste e të më falënderonte për kontributin tim 13-vjeçar te Partizani, bëri të jashtëligjshmen. Për interesa meskine të ndryshme e çoi Partizanin në dyert e gjykatave padrejtësisht dhe kalvari vazhdon. Këtë të dytën e kemi nga Arben Imam Beu…!

– Sepse terrenet e Partizanit u nxorën jashtë strukturave të forcave të armatosura qëllimisht dhe Partizani mbeti pa shtëpi. Prandaj, sa kohë që drejtohej prej meje, nuk ju dha as një terren tjetër në kompensim për fushat e stërvitjes. Kjo ‘e mirë’ na erdhi nga ish-miku i dikurshëm Fatmir Medi Beu…!

– Sepse këtu s’ka futboll, por ka lojë me top, ku të fituar dalin të gjithë (me përjashtim të atyre që s’bëjnë si u thonë). Ata që punojnë e drejtojnë FSHF-në. Ata që lozin e drejtojnë ekipet. Ata që lojën shikojnë, që ulërijnë, që shajnë, që gëzojnë, etj…

– Të gjithë fitojnë, përveç presidentëve budallenj (kryesori budalla jam vetë), të cilët janë të pasionuar e të dashuruar me këtë lojë. Ata paguajnë për ëndrrën e tyre të hershme, por zor se do e realizojnë ndonjë ditë. S’do t’u kthehen më ato që shpenzuan. S’do pyesë njeri për sakrificat që kanë bërë, s’do të ketë njeri për ta respekt e as mirënjohje. Hiç, asgjë, veç baltë, sharje, gurë, siç e kemi ne ADN-në tonë, të ngjizjes së hershme kolektive!

Siç e sheh, pakëz më lart, i dashur Tani, që unë të mbetesha pa biçikletë kanë kontribuar shumë faktorë negativë dhe forcat madhore të së keqes. Ato janë me shumicë në këtë ‘luftë’ shqiptare, që po çudit Europën dhe mbarë botën!”.