• |
ide | kryesore

Projektligji dhe mafia e mbetjeve këto 26 vjet

Arkiva, Blog
plehra-701x464.jpg

Shqiptarët janë të pambrojtur nga ndotja dhe krimi mjedisor

Ndërsa shqetësimet shoqërore për mjedisin janë të hershme, të paktën që nga shekujt e 17-18 taksat mjedisore, taksat për ndotjen e mjedisit janë zhvillimi i shekullit të shkuar.

Ishte ekonomisti A. C. Pigou (1877–1959) ai që propozoi një tatim i cili duhet t’i caktohet ndotësit bazuar në koston e vlerësuar të dëmit të shkaktuar prej tij. Në vitet 1920-të, Pigou foli gjërësisht për kostot e fshehura të ndotjes së prodhuar nga lëshimet e gazrave të fabrikave dhe minierave në Mançester, të cilat ai i vlerësoi se ishin dyfish më të mëdha se vlera e çelikut të prodhuar, pra kuptoi se ky lloj shfrytëzim i burimeve natyrore dhe kjo industri prodhimi kishte një përfitim negativ për njerëzimin.

Për të kompensuar kostot e larta mjedisore dhe për të nxitur përmirësimet teknologjike që do prodhonin më pak ndotje, ai propozoi taksimin e prodhuesve sipas sasisë së ndotjes duke themeluar parimin, ndotësi paguan. Ky parim u bë pjesë e rëndësishme e politikave publike të vendeve perendimore.

Një shekull më pas, Elbasani dhe Fieri, të cilat ofrojnë industri të riciklimit të burimeve dhe mbetjeve duhet të ishin vendet më të pastra dhe me të ardhurat më të mëdha në vend, sipas parimit ndotësi paguan.

Kjo gjë nuk ka ndodhur, madje situata në të gjitha parametrat është jashtë kontrollit në të gjithë territorin shqiptar. Shqipëria është sot një vend me një nivel të lartë ndotje. Ndër të tjera sëmundshmëria e lartë nga sëmundjet kancerogjene dhe shtimi i lindjeve problematike e dëshmojnë këtë realitet.

Një tjetër plagë është punësimi informal në industrinë e riciklimit, që shkon në rreth 12 mijë persona, sipas draft strategjisë ndërsektoriale të mjedisit 2013-2020 të qeverisë shqiptare.

Ndotja e tokës nuk është vepër penale edhe pse ka qënë e tillë vite më parë.

Krimi i organizuar operon fuqishëm në fushën e mbetjeve, nëpërmjet politikës dhe normativës, si rastet e fundit në vende si Itali, Shqipëri, Marok apo vende e botës së tretë.

Industria e plehrave apo mbetjeve në botë duke parë që ka laguna të mëdha, jo vetëm ligjore, në vendet në tranzicion, të varfëra dhe të pazhvilluara si për shembull Shqipëria, duke korruptuar politikanët, mediat, qeveritë, aktivistët shoqërorë dhe nëpërmjet kamuflazhit ligjor përpiqen që plehrat t’i largojnë nga vendet e tyre.

Duket se Shqipëria këto 26 vjet ka qënë modeli demode për t’u kthyer në një vend ku anemban kundërmon era e plehrave të cilat ndotin ujin, ajrin dhe tokën. Vetëm per fazën e para të anëtarsimit në (IPA) BE- Shqipëria mori 200 milion euro për mbetjet plus rreth 50 milion euro në vite për kostot operative! Ku shkojnë këto, para?! Shqipëria është e mbushur nga Veriu në Jug me plehra. Por saga vazhdon në mënyrë progresive çdo vit, sa më shumë plehra në Shqipëri aq më shumë para jep BE. Sa me shumë ndotet mjedisi, aq më shumë sëmundje kancerogjene dhe vdekje për ne, duke e futur vendin në një cikël vicioz të rrezikshëm kolapsimi që cënon edhe sigurin kombëtare… Prisni fazën e dytë, kur Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së, parat do të vinë lumë për mbetjet, po a do të kemi mbetje?! Kjo shpjegon edhe logjikën pse që nga 2004 e deri në 2016 me ligje dhe akte të tjera normative pushteti ka tentuar ta ligjerojë në mënyrë sistemike industrin dhe importit e mbetjeve në Shqipëri, por që ka ndeshur në një reagim të fort solidar – qytetarë. Përfitimet ekonomike në fushën e mbetjeve në dëm të mjedisit janë objektivi parësor i mafias së mbetjeve në rrafshin global. Mafia ka kthyer sytë edhe nga vendi jonë, i cili me një klas politike, administrat, drejtësi tejet të korruptuar, përpiqet të legjitimojnë si veprimtari jo të dëmëshme dhe në Interes Publik importin e mbetjeve.

Krimi kryehet edhe me mos veprim.

Kjo gjë ka ndodhur në vite pasi lobimi prej miliarda dollarësh ka qënë mjaft i fuqishëm në fushën e plehrave, riciklimit, asgjesimit, transportimit, grumbullimit, dhe në dëm të Intersit Publik si me poshtë:

1-         Kushtetuta e Shqipërisë për sa i përket çështjeve të mjedisit, e paraqet si pjesë të objektivave sociale e cila nga pikëpamja e garancisë së të drejtës për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm nuk e garanton në mënyrë të drejtpërdrejtë këtë të drejtë. Ajo nuk e ngre në nivelin e një të drejtë themelore e cila të mund të ankimohet drejtpërsëdrejti në Gjykatën Kushtetuese apo të përbëjë një bazë të fortë ligjore për ngritjen e padisë për çështjet mjedisore.

2-         Kosova mbrojtjen e mjedisit, shëndetit dhe jetën e njeriut e ka të përcaktuar në Kushtetutë, Shqipëria jo. E drejta për të pasur një mjedis të pastër në Italinë fqinje është ngritur në nivelin e një të drejtë themelore dhe në nivel kushtetutes, në Shqipëri jo. Në Itali ka një Kod Mjedisor në Shqipëri jo. Në Itali ka një Kod Penal që parashikon edhe ndotjen e tokës dhe futesh në burg, në Shqipëri jo, mjaftohesh me një gjobë administrative.

3-         Shqipëria është anëtare e Këshillit të Europës që nga 1995, ka një direktivë të saj me nr 2008/98 ( Aquis Comunaitaire ) për mbrojtjen e mjedisit nëpërmjet të drejtës penale. Në kuadrin e integrimit në BE ka që në vitin 2011 që i bënë thirrje Shqipërisë në çdo progres raport të transpozojë këto ligje, në mënyrë të vecant të parashikojë si vepër penale ndotjen e tokës. Deri më tani politika dhe legjislatori shqiptar nuk e kanë bërë këtë gjë.

 Shqipëria është një vend tërësisht i ndotur ku numri i vdekjeve nga ndotja e ajrit shkon në 500 persona në vit sipas OBSH/ISHP.

Pjesa më e madhe e shqiptarëve, konkretisht 80 për qind e tyre rrezikohen çdo ditë, nga Bisfenoli A, një elementë vdekjeprurës dhe shkaktar i sëmundjeve hormonale e një sërë sëmundjesh të tjera të rrezikshme si ato kanceroze apo autizmi. Legjislacioni jonë ka nevojë emergjente për përmirësime dhe implementime. Problem madhorë për vendin mbetet zbatimi i ligjit dhe vullneti politik. Importi plehrave sot do të thotë vdekje e ngadalëshme nesër e ekonomisë, turizmit e bujqësisë.

Duke iu referuar një dokumenti zyrtarë në lidhje me sasin e mbetjeve në Shqipëri rezulton se në vendin tonë gjenerohen 386,728,650 kg mbetje në vit, nga të cilat vetëm 17 % e tyre riciklohet. Kjo tregon që 83 % e mbetjeve në treg nuk thithet nga kompanitë e riciklimit, por ndërkohë qeveria kërkon të importojmë mbetje. Kryeministri në krye të herës së debatit për mbetjet ngriti tezën se po falimentonte biznesi i riciklimit si dhe po mbyllen vendet e punës për rreth 3 mijë punëtorë. Një javë më vonë ndryshoi strategji duke u shprehur publikisht se e kemi detyrim nga BE importin e mbetjeve dhe riciklimin e tyre. Ky pohimi nuk është i vërtet. Pasi Aleanca Kundër Importit të Mbetjeve “AKIP ” në një takim me ambasadoren e BE-së Romana Vllahutin pak ditë më parë mësoi se: direktiva e BE-së dhe Konventa e Bazeit nuk e lejojnë një vend të marri një përgjësi të tillë kur ai nuk ka kapacitetet, si për importuesin edhe për eksportuesin.

Në kushtet ku ndodhemi dhe për të mbrojtur biznesin e ricikluesve, zgjidhja e duhur është subvencionimi i bizneseve deri sa menaxhimi i mbetjeve të jetë efikas. Kjo alternativë mundëson ndalimin e importit të mbetjeve dhe përmirësimin e mjedisit, shëndetit dhe vendit.

Në një intervistë për një televizion amerikan lideri i Greenpace Kumi Naido, u shpreh, “Nuk më shqetëson dëmtimi që i bëhet mjedisit, sepse natyra i gjen ekuilibrat e vetë, ajo që më shqetëson është shëndeti i njeriut, a do të mund t’i mbijetojë ai këtyre kushteve transformuese të mjedisit”

Nuk jemi ende gati për importin e mbetjeve. /Nga Artan Manushaqe – Ekspert ligjor për çështjet mjedisore -Exit

Kthehu