• |
ide | kryesore

Gafat e De Biasit kundër Spanjës

Arkiva, Blog
Besnik-Dizdari-150x150.jpg



Nga Besnik Dizdari*/Vërtet, nuk mund të kuptohet përse nuk e thonë me plot gojën se Shqipëria kësaj radhe nuk ka luajtur keq, por ka luajtur shumë keq! Nuk kuptohet përse nuk u dashka thënë e vërteta që na tregon se për 90 minuta të tana Shqipëria gati nuk e kaloi as mesin e fushës. Apo që mirëfilli nuk gjuajti asnjëherë në portë e që kushedi sa herë ndodhi që të mos e prekte topin deri dhe për dytri minuta rresht!
 
Cila ishte mbrojtja? Cila ishte mesfusha? Cili ishte truri organizativ i skuadrës? Cili ishte sulmi? Ndoshta Bala, i cili, jo për faj të tij, për minuta të tana nuk prekte asnjë top, duke “e zbritur” numrin e lojtarëve shqiptarë nga 11 në 10!
Pa shkuar mandej tek ajo tjera që ta çarmatos gjithë optimizmin që mund t’i ndikosh vetes, teksa gati i mahnitur vëren se si një trajner, edhe pse i shkollës së çmuar italiane të futbollit, guxon që brenda tri ditëve të dalë thuajse me dy 11-sha të ndryshëm, Me sa duket vetëm ngaqë po luante me një “vogëlfuqi” me emrin Lihtenshtejn, kur kjo ndeshje e lehtë, përveç synimeve të tjera, duhej të ishte edhe thellim i përsosjes harmonike tekniko-taktike të 11-shit në synim të ndeshjes me Spanjën.
 
Dhe papritmas ndaj Spanjës një 11-sh me pesë të tjerë: Lila, Lenjani, Agolli, Memushaj, Xhaka! Si të ishte Shqipëria e vogël Hungaria legjendare e Pushkashit 1954 apo Brazili fantastik i Peles 1970 që kishin dy 11-sha gati të njëllojtë! Guxim i fortë vërtet, i kësaj Shqipërie të 2016-tës! Do të ishte njëlloj sikur Spanja, e cila ndoshta me Shqipërinë mund të ketë një ndryshim po aq sa ka Shqipëria me Lihtenshtejin, mbas tri ditëve të Italisë të vinte në Shkodër me një 11- sh krejt tjetër. Në të vërtetë, ajo bëri vetëm dy ndryshime të detyruara prej 11-shit të saj të ndeshjes me Italinë.
 
E megjithatë, Shqipëria e së dielës në mbrëmje nuk mund të mbrohet prej askujt. Sepse Shqipëria nuk ka luajtur keq, ka luajtur shumë keq! E, për ta vërtetuar këtë mjaftojnë vetëm shifrat “e vogla” teknike të FIFA-s.
 
Vështroni se sa të pamëshirshme që janë
 
Shqipëria e ka mbajtur topin vetëm 29 për qind, Spanja 71 për qind!
 
Shqipëria ka arritur të pasojë 194 herë, Spanja 874 herë! 
 
Shqipëria nuk ka gjuajtur asnjë goditje këndi, Spanja 9 të tilla!
 
Mjaftojnë vetëm këto shifra të shpejta, por themelore, për t’u bindur edhe avokati më gjenial se Shqipëria nuk ka luajtur keq, por ka luajtur shumë keq! Dhe ka humbur 0-2. Megjithatë krejt normale, sepse 2-0 Spanja me Shqipërinë mund të fitojë sa herë të dojë. Por rrallë, tepër rrallë mund të ndodhë që duke humbur kësisoj 2-0, Shqipëria e sotme të luajë kaq keq sa të dielën e 9 tetorit 2016.
 
*Shkrim i marre me shkurtime nga Panorama Sport. Titulli Orogjinal: "Shqipëria nuk ka luajtur keq, por ka luajtur shumë keq"!