• |
ide | kryesore

“Kur na driblojnë: Spanja me top, De Biazi pa top…”

Arkiva, Sport
sinemati-debiasi.jpg



Gazetari i sportit Gëzim Sinemati ka publikuar një koment të gjatë në lidhje me atë që ndodhi pas ndeshjes me Spanjën. Deklarata e trajnerit pas ndeshjes “Iki nëse nuk e sulmojmë Italinë” nuk i ka pëlqyer gazetarit.

“Pas një ndeshje, ku nuk kemi bërë asnjë sulm, ku vija e mesit të fushës ngjasonte si vija e kufirit, ku tifozët i kemi kthyer pas në vite, pikërisht në vitet ’70-’80, atëherë kur Kombëtarja harbonte popullin sapo kalonte mesin e fushës, De Biazi premton parajsën kundër Italisë. Pse kjo sjellje që ngjall dyshime? Një trajner që mori gjithë përkëdhelitë e merituara dhe të pamerituara në ndeshjet kualifikuese dhe në finalet e Europianit, këtë herë humbi shansin për të marrë meritat e zhgënjimit” – shkruan Sinemati.

Në komentin e tij ai i kërkon De Biasit arsyet e dështimit me Spanjën.

“Pse trajneri shkon tek Italia, pa na treguar sekretet e dështimit me Spanjën? Një besimtar fanatik i lojës në mbrojtje, do të shtypka butonin kur të luajmë ndaj Italisë. Dhe jo vetëm do t’i sulmojmë, por paskemi për t’ua nxirë edhe jetën. Kjo mënyrë reflektimi e Xhanit tonë të stolit, i cili shpreson shumë tek amnezia kolektive e shqiptarëve, është si të godasësh topin, por në portën tënde” – kritikon Sinemati që ka zbuluar edhe sekretin e deklaratave të trajnerit italian: “Me bindjen se ne fryhemi, po aq shpejt sa dhe harrojmë, trajneri na parashuton tek Italia”.

Sinemati thote se topin e asaj ndeshjeje duhet ta vinim në muzeun e FSHF-së me diçiturën e thjeshtë dhe shpotitëse: “Topi, të cilin frika dhe Spanja nuk na lanë ta preknim”. Më pas ai citon edhe një gazetar të famshëm spanjoll sipas të cilit: “Kam vite që e ndjek Shqipërinë. Kjo është ndeshja më inferiore që ata kanë bërë”.

“Si ilustrim, skena e “filmit”, në pjesën e dytë të ndeshjes, ku trajneri Lopetegui vazhdonte të qullej në këmbë në shi, kurse trajneri ynë ishte strukur thellë në stol. Sepse na dukej sikur hallin më të madh e kishin ata… dhe jo ne” – e mbyll Sinemati komentin e tij për “Panorama Sport”.