• |
ide | kryesore

Përplasje fortë/ Sarri: Hysaj konfuz! Agjenti i lojtarit: Është i lodhur

Arkiva, Sport
dgdgfdgdf.jpg



Nuk janë momente të qeta kohët e fundit për mbrojtësin e kombëtares shqiptare Elseid Hysaj që luan me Napolin në Seria A. Paraqitjet e tij të fundit janë vlerësuar me nota të ulëta dhe komentet nuk kanë qenë të mira për shqiptarin që shkëlqeu një vit më parë. Dy ndeshje të Seria A, ajo me Atalantën dhe e fundit me Romën, shqiptari u veçua për stonim në krahun e djathtë. Dy gabime të shqiptarit çuan në dy gola që rënduan pozitat e Napolit ditët e fundit. Këto paraqitje bënë që trajneri i Napolit, Mauricio Sarri ta lërë në stol në ndeshjen me Beshiktashin në Champions League. Në fushë u hodh veterani Maxhio që u eklipsua nga Hysaj një vit më parë. I pyetur për këtë veprim, Sarri ka thënë në konferencë për shtyp se Hysaj nuk po kalon një moment të mirë psikologjik.

“Hysaj është konfuz dhe në një moment të vështirë psikologjik” – është shprehur tekniku i Napolit duoke nxitur një reagim të fortë të agjentit të lojtarit. Në një intervistë për radion CRC, Mario Xhiufredi tha se Hysaj nuk kishte probleme të tilla, por thjesht ishte i lodhur nga kombëtarja.

“Hysaj konfuz? Unë jetoj me lojtarët nga mëngjesi deri në darkë, e di kur ka probleme dhe nuk bëj asnjëherë sikur nuk ka ndodhur gjë. Nuk ndaj absolutisht të njëjtin mendim me Sarrin për sa i përket vështirësive psikologjike. Elseidi është i qetë, i fortë mendërisht. Nga ana e karakterit është shumë mbi normën ndaj nuk ka asnjë vështirësi.

Ai është vetëm i lodhur, ka luajtur dy ndeshje me kombëtaren, por vështirësitë psikologjike nuk kanë të bëjnë me të. Vetë Sarri ka thënë se disa lojtarë po e përjetojnë momentin negativ të skuadrës. Nuk duhen të trajtohen ca si të nënës e ca si të njerkës, kjo vlen edhe për Hysajn”– ka deklaruar Xhiufredi.

“Jam dakord që Zhorzhinjo është viktimë e skuadrës por nuk është se u bë një lojtar i mbaruar menjëherë. Nuk ekziston asnjë futbollist i cili ka problem psikologjik individualisht. Në ndeshjet e ardhshme do ta shohin të gjithë qetësinë e Hysajt. Për sa i përket skuadrës, nevojitet ekuilibër për të dalë nga kjo situatë”, – janë fjalët e Xhiufredit.

Mbetet për të parë sa shpejt do të dalë Hysaj nga kjo situatë dhe ta shohim sërish mbrojtësin “një mur” të pakalueshëm në krahun e djathtë ashtu si një vit më parë. /lapsi.al/