• |
ide | kryesore

Dokumentat/ Beqja kapet me preshë në duar në skandalin e Check Up

I pakategorizuar
beqo3.jpg



Prova se kompania e Vilma Nushit është paguar 1.2 milionë euro për analiza të pakryera. Dyshime se është fryrë shifra e personave që e kanë bërë kontrollin shëndetësor falas.

Pas disa refuzimesh për të dalë para komisionit parlamentar, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, është detyruar sot më në fund t'i nënshtrohet kontrollit parlamentar për një nga skandalet më të mëdha të abuzimit me shëndetësinë falas.

Ilir Beqja është detyruar të pranojë se e ka paguar kompaninë e asaj që opozita e konsideron si klienten e Edi Ramës, biznesmenes së alkollit dhe cigareve, Vilma Nushi, me 1.7 milardë lekë më shumë sesa puna që ka kryer. Pra nëse për vitin 2015, tek nisma e qeverisë për analizat falas kanë besuar 244 mijë qytetarë, kompania fituese e Check Up-it është paguar për 355 mijë të tillë. Pra ajo ka marrë kot, pa bërë asnjë shërbim, para edhe për 110 mijë kontrolle shëndetësore të pakryera (Poshtë faksimilja e atyre që kanë kryer kontrollin për periudhën mars dhjetor 2015).

 

Pikërisht prej këtij skandali, qeveria vendosi në fillim të muajit Tetor, që në vend t'i shkurtonte fondin e të ardhurave prej 12 milionë eurosh në vit kompanisë private, të shtonte brezin e atyre që do t'i nënshroheshin kontrollit shëndetësor duke e shpënë atë nga kufijtë 40- 65 vjeç në ato 35- 70 vjeç.

Këtë të martë, para parlamentarëve, Beqja u justifikua se ai  i kishte dhënë 1.7 milliardë lekët e tepërta sepse kompania kishte shpenzime transporti dhe infrastrukture. Por më shumë sesa ky justifikim, të ardhurat e taksapaguesve shqiptarë, që i janë dhënë privatit për një punë të papaguar, ka gjasë të jenë një “dhuratë" korruptive për atë që opozita e quan si mikeshën e Edi Ramës.

Por historia nuk përfundon këtu.

Ministri i Shëndetësisë u kap në një gënjeshtër flagrante sot në komision. Ajo lidhet me shifrën prej 244 mijë qytetarë që pretendohet se e kanë kryer kontrollin shëndetësor falas.

A është kjo një shifër e fryrë artificialisht në mënyrë që kompania e Vilma Nushit të justifikojë paratë që merr nga qeveria, ashtu sikurse ka pretenduar opozita dhe disa media?

Për të parë këtë duhen verifikuar regjistrat elektronikë të Fondit të sigurimeve të kujdesit shëndetësor. Eshtë ky fond që pasi verifikon këto lista, bën pagesat e parave publike tek kompania private.

Dhe Beqja pohoi sot se ky fond i ka disponuar listat emërore për vitin 2015. Por ai gënjeu hapur.

Sepse dokumenti që Lapsi.al ka arritur të sigurojë nga kryesia e Kuvendit dëshmon se drejtoresha e ketij fondi, pohon me firmë dhe me vulë se ajo nuk i ka këto regjistra emërorë për vitin 2015 (lexo faksimilen poshtë).

Pra, sipas këtij pohimi me shkresë zyrtare të drejtoreshës së fondit Vjollca Braho, institucioni i saj ka paguar kuturu. I ka dhënë para Vilma Nushit për vitin 2015, pa pasur një listë të saktë të personave që kanë marrë shërbim. Ky skandal i dytë, që është njëkohësisht edhe një shkelje e kontratës që përcakton mënyrën e pagesës, e detyroi ministrinn e Shëndetësisë të gënjejë publikisht para deputetëve.

Duke u nisur nga këto abuzime skandaloze, opozita ka kërkuar me disa tratativa të bëjë verifikimin e mënyrës se si paguhet kompania e Vilma Nushit me paratë e shqiptarëve. Dhe ajo ka kërkuar të njihet me listën emërore të shqiptarëve që e kanë marrë këtë shërbim. Sepse vetëm duke pasur këtë listë mund të mbikqyret procesi për të parë se lekët e qeverisë nuk kanë përfunduar drejtpërdrejt në xhepat e klientëve të saj.

Por kjo listë ruhet me fanatizëm dhe mbahet “Top Sekret”. Prekteksti është gjetur me mbrojtjen e të dhënave personale. Por në të vërtetë, jo të dhënat shëndetësore, por fakti nëse një qytetar ka shkuar apo jo ta bëjë check up-in, nuk është një e dhënë personale. Ai është një informacion i ligjshëm dhe i vetmi që mund të vërtetojë nëse ka vjedhje apo jo. Me sa duket Ilir Beqja refuzon t'i japi këto të dhëna për të fshehur diçka shumë të madhe.

Pra për ta përmbledhur. Pasi i ka dhënë në mënyrë abusive koncesionin e Check-upit një kompanie që tregton cigare dhe alkool, pasi e ka shpallur atë fituese me një çmim më të lartë sesa konkurenti direkt, i udhëhequr nga spitali Hygea, pas i ka hapur asaj dritën jeshile vetëm dy ditë pasi u licensua për biznes laboratori mjeksor, Ilir Beqja dhe Edi Rama nuk janë mjaftuar me kaq (për këto fakte shiko dy investigimet e mëposhtme).

Kur, ashtu siç ishte paralajmëruar për një marrëdhënie klienteliste, koncesioni i Check Up-it dështoi. Kur u pa se atij nuk i besuan qytetarët, Edi Rama dhe Ilir Beqja vazhduan ta paguajnë kompaninë e Vilma Nushit  edhe me 1.7 miliardë lekë për punën e pakryer dhe analizat e pabëra. Madje për të fshehur këtë krim, ata refuzojnë të bëjnë transparencë për listën e shqiptarëve që i janë nënshtruar këtij kontrolli.

Të gjitha këto elemente i shtojnë dyshimet se këtu kemi të bëjmë me një vjedhje të pastër. Me një abuzim me përrallën e shëndetësisë falas, për të cilën opozita nuk duhet të mjaftohet vetëm me komisioni parlamentar, por duhet të kërkojë edhe interpelancë në kuvend.

Me një skandal për të cilin prokuroria nuk mund të heshtë sikurse ka bërë deri më tani. /Lapsi.al/