• |
ide | kryesore

“The Guardian”: Përse humbi Hillary Clinton

Arkiva, Planet
clinton-humbese-780x439.jpg



Se si ia doli Hillary Clinton të humbte zgjedhjet, përballë një kandidati kaq përçarës dhe jo popullor sa Donald Trump, kjo është një pyetje që do t’i mbajë pa gjumë vëzhguesit dhe në agoni demokratët për një kohë të gjatë.

Kur të kalojë tronditja e parë, disa grimca shpjegimi racional do të nisin të bëhen të dukshme.

Partitë që janë në pushtet, rrallëherë e mbajnë atë edhe pas tetë vitesh. George H. W. Bush pas Reaganit ishte një përjashtim, por politika është bërë vazhdimisht më e polarizuar që atëherë, dhe lavjerrësi ka një zakon që vërtitet.

Sfida që Trump u bëri pritshmërive është bërë gjithashtu në vetvete, një lloj rregulli i artë në politikën amerikane, në 2016-ën.

I konsideruar vazhdimisht i humbur gjatë zgjedhjeve brenda republikanëve, dhe vetëm rrallëherë i marrë seriozisht gjatë zgjedhjeve të përgjithshme, ai megjithatë mishëron po atë humor kundër establishmentit politik, që e shtyu Britaninë e Madhe të dalë nga Bashkimi Europian dhe demokratët në 22 shtete të emëronin Bernie Sandersin. Duam apo jo, është një establishment, me të cilin Clinton nuk mund të ishte më e afërt në mendjen e shumë votuesve.

Ekonomia

“Eshtë ekonomia, budalla”. Kjo është një frazë e pagëzuar prej këshilltarit të bashkëshortit të saj, James Carville në zgjedhjet e 1992 dhe në shumë drejtime, ajo duhej të kishte ndihmuar sërish demokratët në 2016-ën. Barack Obama ndihmoi që të nxirrte SHBA nga kriza financiare dhe ai ishte president gjatë një serie tremujorësh me rritje ekonomike.

Fatkeqësisht për Clintonin, shumë amerikanë thjeshtë nuk ndiheshin aq pozitivë. Nivelet e pagave në stanjacion dhe rritja e pabarazisë ishin simptoma të sëmundjes që u ndjenë prej shumë votuesve. Trump ia doli t’i bindë që të besonin se kjo shkaktohej prej marrëveshjeve të këqia tregtare dhe një ekonomi e korruptuar.

Pavarësisht se u shty në këtë drejtim nga Sanders në zgjedhjet primare, Clinton nuk gjeti asnjëherë një përgjigje të kënaqshme. Në rastin më të mirë tingëlloi jo bindëse; në rastin më të keq, cinike.

As socializmi dhe as predikimet protofashiste të Trumpit nuk ofruan alternativa koherente, por në fund të fundit, Clintoni nuk arriti të artikulojë një mbrojtje bindëse për kapitalizmin modern amerikan.

Besimi

Një problem i madh që dëmtoi shumë pozicione të tjera politikash ishte një mungesë besimi. Fjalimet e paguar në Goldman Sachs dhe një rrjet i dyshimtë lidhjes biznesi me fondacionin e familjes bënë që shumë amerikanë të vinin në dyshim sinqeritetin e Clintonit, për çështjet e parave dhe shumë të tjera.

Manifestimi më ekstrem i kësaj, ishte fakti që deri dy ditë para zgjedhjeve, FBI po hetonte kandidaten demokrate, duke lënë të hapur edhe mundësinë e ngritjes së një padie penale.

Boshllëk mesazhi

Nuk ndihmoi as fakti që Clintoni po “shiste” kryesisht veten e saj. Mesazhi më i fortë i fushatës ishte se vetëm ajo qe e kualifikuar për të qenë presidente. Kjo ishte kryesisht e vërtetë, sidomos nëse krahasohej me groteskun dhe të papërvojin Trump, por idetë e mëdha u lanë në sfond.

Dihet që mesazhet e fushatës janë shumë të rëndësishëm. “Shpresë dhe ndryshim” i Obamas u bë më shumë shpresë dhe më pak ndryshim. Megjithatë “Më të fortë së bashku”, mesazhi i Clintonit, nisi të marrë formë vetëm prej prirjeve përçarëse të Trumpit. Ishte tërheqës për shumë demokratë, si simbol i peshës që ata ndjenin se kishte fushata, por garantoi që beteja do të luftohej sipas kushteve të Trumpit.

Mes shumë kritikave, një vëmendje speciale me siguri do u kushtohet sondazheve, që shfaqnin një avantazh tre deri katër pikë të Clintonit.

Ky dështim pasqyron pjesërisht një industri të dështuar. Mbërritja tek një audiencë e madhe duke mos përdorur më telefonat fiksë, apo edhe celularët, ka shpënë në rezultate të gabuar kudo nëpër botë, kohët e fundit.

Por parashikuesit amerikanë të fatit ishin sidomos konfuzë prej demografisë së ngatërruar të zgjedhjeve të 2016. Trumpi në shumë drejtime ishte në të majtë të Clintonit për disa çështje ekonomike, me një joshje populiste për shumë votues të pavarur, e megjithatë analistët vazhduan të supozojnë që, nëse demokratët e regjistruar votonin herët, apo nëse u thoshin atyre që i pyesnin se do të shkonin të votonin, atëherë kjo ishte votë për Clintonin.

E gjithë kjo ndryshoi në 2016, një ground zero për një bombë politike, e cila do të thotë se harta elektorale e SHBA nuk do të jetë më kurrë e njëjtë. /The Guardian /