• |
ide | kryesore

Pse e qëlluam me salcë?

Arkiva, Blog
IMG-20161118-WA0013.jpg



Nga Bislim Lakna

Dje më datë 17 Nëntor 2016, siç e pamë të gjithë, në një aktivitet të të rinjve të Partisë Socialiste, pikërisht në ditën ndërkombëtare të studentëve, studentja dhe aktivistja Mirela Ruko hodhi ngjyrë të kuqe mbi kokën e ministres së Arsimit Lindita Nikolla. Akti mori vëmendje tejet të madhe dhe shumë prej mediave e lakuan pa pushim emrin e Mirelës. Meqenëse akti që bëri ajo u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku i gjerë, desha t’i shkruaj dy fjalë për këtë vajzë shembullore e cila na frymëzoi të gjithëve.

Kush është Mirela?

Ajo është një vajzë 23-vjeçare, studente e shkëlqyer në Fakultetin e Shkencave Sociale në degën e Sociologjisë, aktiviste e palodhur dhe frymëzuese, militante e idesë, veprimit dhe ngritjes intelektuale,  aktiviste e Lëvizjes Për Universitetin dhe Organizatës Politike, pjesë e të cilave jam edhe unë.
Siç ka mundur ta shohë shumëkush në një reportazh të ripublikuar dje dhe sot nga shumë media, Mirela vjen nga një familje e varfër, vajzë punëtore dhe studente e përkushtuar, shoqe e mrekullueshme, por edhe kritike e sertë e punës dhe aktivizmit tonë të përbashkët.
Mirelën mund ta keni parë në çdo protestë për punëtorët dhe studentët. Ajo bashkë me shokët dhe shoqet e tjera të organizatës udhëton nëpër të gjitha qytetet e Shqipërisë duke shkuar në fabrikat, fasoneritë e minierat më të thella për të takuar e intervistuar punëtorë, për të kuptuar e studiuar kushtet e punës dhe jetesës së klasës më të harruar në këtë vend.

Pse e bëri Mirela aktin kaq të përfolur?

Ajo nuk bëri asgjë më shumë se një akt të cilin do donin ta bënin mijëra studentë e maturantë të pakënaqur me punën dhe dështimet e kësaj qeverie. Ajo hodhi ngjyrë të kuqe mbi kokën e një ministreje e cila, edhe pas dështimit skandaloz të procesit të regjistrimit të maturantëve në universitete, pa pikë turpi del publikisht duke e propaganduar si sukses. Në mesin e studentëve të cilët nuk kanë arritur të vazhdojnë shkollën për shkak të kushteve ekonomike dhe tarifave të larta është edhe Mirela, prandaj askush nuk ka të drejtë ta akuzojë për veprimin e guximshëm bëri, aq më pak pushtetarët dhe shpura e tyre që fëmijët i shkollojnë në universitetet më të shtrenjta të botës.

Ç’qëllim kishte akti?

1) Ta bënte këtë ministre që në mënyrë të sforcuar dhe të turpshme të skuqej për atë që ka bërë;
2) T’u tregojë qeveritarëve se nuk janë të paprekshëm dhe dora e revoltës qytetare dhe mllefit rinor do t’i godasë të gjithë ata, edhe kur më së paku e presin.

Ndër shumë komente që qarkulluan në rrjetet sociale dhe mediat tradicionale, më të turpshmet ishin ato të sahanlëpirësve që nga mungesa e guximit për të gjykuar një qeveri që na shtyp dhe na përçmon, nxituan të përdhosin aktin dhe kryerësen e saj, duke e sulmuar Mirelën edhe personalisht me fjalë që do t’i kishte zili çdo WC publike. S’di a të ndjej përçmim apo dhembshuri për ata bashkëvuajtës të cilët nuk kanë këllqe ta kundërshtojnë qeverinë keqbërëse apo të thonë qoftë edhe një fjalë të vetme për skandalet e saj si për shembull: reforma klienteliste në arsim që do të financojë me paratë tona pronarët e universiteteve private, procesi i regjistrimit të studentëve që i ka shtyrë ata me pahir drejt privatëve, aferat korruptive në shëndetësi e punë publike, hashashizimi i vendit, kapja e mediave – aq e dukshme në rastin e mbulimit të vrasjes në punë të djaloshit Ardit Gjoklaj – sjellja e një kryeministri që e trajton vendin e tij me arrogancën me të cilën një piktor bën shuk letrën e vizatimit etj.

Këta janë e njëjta pakicë që heshtin përpara çdo skandali të qeverisë, ata që ditën e zgjedhjeve turren drejt kutive të votimit për të votuar po të njëjtët politikanë tash e njëzetepesë vjet, që vjellin vrer ndaj çfarëdolloj akti të guximshëm kundërshtimi që kanë bërë vitet e fundit studentë e aktivistë të ndryshëm. Këta janë skllevërit e vullnetshëm që s’duan të dalin nga shpella, edhe pse e kanë vënë re rrugëdaljen. Pikërisht këtë pakicë do ta bëjë me turp dita e drejtësisë së madhe, kur revolta e pabuksave, kokëpalarëve, “sharlatanëve”, studentëve e punëtorëve, të përvuajturve e të pashpresëve do të vërë përpara ligjit pushtetarët e sotëm e të djeshëm.

Mirela dje na dha shembullin për t’u ndjekur, ashtu siç ia dhanë asaj shoqet dhe shokët aktivistë që gjuajtën Ramën me vezë. Neve na ngelet që këtë rrugë ta vazhdojmë mendjehapur përpara çdo qytetari të ndershëm e të brengosur për të mirën e përbashkët, por sypatrembur përballë xhandarëve e gardianëve shpatullgjerë e kokëboshë, veshëshurdhër ndaj kritikave moraliste e banale të analistëve mediokër e hipokritë dhe të palëkundur përballë politikanëve oratorë e tallës, por injorantë e dashakëqij. Këta nuk kanë parë gjë akoma



1 Comment

  1. Artikull per nga tema, stili

    Artikull per nga tema, stili dhe ralizimi tipik komunist.