• |
ide | kryesore

Artur Zheji rrëfen dramën e Edi Ramës me Matilda Makoçin/ “I thashë të mos martohej”

Arkiva, Paparazzi
Rama- Makoci.png



Analisti dhe gazetari Artur Zheji, i njohur për miqësinë e hershme me kryeminstrin Rama, por që tashmë është një miqësi e thyer, këtë herë ka lënë për pak analizat politike mbi qeverisjen dhe ka risjellë disa kujtime, mesa duket të nxitura nga rikthimi i aktores së njohur Matilda Makoçi në Tirnaë.

Në një shkrim të gjatë, Zheji rrëfen momentet e rinisë së Edi Ramës dhe lidhjen e tij me aktoren e famshme atëbotë, Matilda Makoçi. Zheji, dëshmitar i shumë ngjarjeve historike, i ka qëlluar të jetë dëshmitar edhe i dashurisë së parë të Edi Ramës, nga e cila kryeministri i sotëm pati një fëmijë. Sipas dëshmitarit, Edi e ka dashur shumë Matildën dhe u martua me të, pavarësisht se Zheji e këshilloi të mos ta bënte.

Më poshtë rrëfimi i Artur Zhejit:

"Matilda ka qenë një natyrë pasionante dhe një rebele me plot të papritura. Në periudhën e shkuar të rinisë së hershme, ajo kishte të gjitha atributet e një Ylli me një shkëlqim të fortë, mrekullues dhe me një karierë brilante.

Kineastët e atëhershëm shqiptarë, përgjithësisht mediokër, por jo për faj të tyre, zbuluan si të magjepsur një aktore, që sillte me portretin e saj, më shumë shpirtëror se sa sensual dhe prej mishi, si jemi mësuar sot, një Çudi të bukur shqiptare.

Një “charme” shqiptar, por edhe shumë europiane dhe me tipare tejet origjinale dhe të rralla. Fine në interpretim, delikate në jetë, kurajoze dhe “mendjemadhe” në marrëdhëniet që krijonte me njerëzit, mbas sukseseve të bujshme që krijonte karriera e saj e beftë, Matilda apo Mati, jetoi një parajsë shumë të shkurtër dhe shumë të hareshme për pak kohë.

Kam qenë disa herë për dreka dhe darka me Edin, Matildën. Temperamenti i Matit, ishte i hatashëm, shpërthyes, kapricioz, por besoj i sinqertë dhe i vërtetë. Edi Rama i asaj kohe, nuk ishte aspak ky i sotmi, ai kishte një vështirësi të madhe për të dialoguar qetësisht me aktoren e famshme, që e adhuronte, e miklonte apo e dëshironte e gjithë Shqipëria e asaj kohe.

Çfarë thuhet lart e poshtë, për përfitime politike, se Edi Rama, nuk e ka dashur Matildën, dëshmoj në vetë të parë, se është një gënjeshtër e madhe dhe një pasaktësi e neveritshme.

Një pasdite, të cilën e mbaj mend mirë, Edi më telefonoi dhe më tha se ishte i shqetësuar, kishte patur një konflikt me Matin dhe kërkonte të këshillohej. U ulëm të dy, këmbëkryq, drejtëpërsëdrejti mbi bar, në lulishten e vogël përpara pallatit të tij dhe kemi ndenjur aty, duke biseduar, pafundësisht, për të ardhmen e tyre.

Edi ishte i lëkundur, temperamenti i Matit, personaliteti i saj shumë i fortë, kryeneçësia dhe vetadhurimi dhe vetëvlerësimi që ajo kishte për veten, ishte në kulmin e vet. Ndërsa Edi, që mund të përkufizohej si Edi i brishtë i atyre viteve, kishte shqetësim, por dhe dashuri të përzier me përgjegjshmëri, për të ardhmen e marrëdhënieve të tyre.

Dilema ishte martesa dhe pikëpyetja se nëse ata të dy, mund ta shndërronin dashurinë e tyre, që kishte shumë ekstaza dhe tërmete të forta, në një marrëdhënie të qëndrueshme familjare. Mendimi im i asaj kohe, që edhe sot më mbetet i pandryshuar, ishte se Edi dhe Mati, e kishin të pamundur të themelonin një lidhje të qëndrueshme, përtej pasionit në kulmet e veta.

Dhe i thashë në mënyrë të drejtpërdrejtë: “Mos u marto me Matin! Sepse do të shkatërroni njëri- tjetrin!” dhe sigurisht edhe mijëra fjalë të tjera, kundër këtij hapi.

Mirëpo Edi, nuk kishte vullnet dhe forcë të thoshte: “Jo!”, në atë fazë të jetës së tij, ndonëse mbaj mend se në thellësi ishte dakord që po ndërmerrte një hap të gabuar, por edhe po mbante një premtim, ndaj të fejuarës së tij.

Rikthimi i Matildës, dalja e saj nga depresioni i gjatë, është një lajm i gëzueshëm për mua, që e njoha më shumë prej zërit të saj të pandryshuar, se sa nga portreti i sotëm.

Duke i uruar asaj që të ketë guximin e duhur për një rikthim në jetën aktive, dua të shtoj se për sa kohë që Rama do të jetë kryeministër, ajo do të sulmohet në një mënyrë ose tjetër, sipas stilit të gjuetisë së shtrigave.

Unë u largova nga Shqipëria në vitin 1990 dhe më pas dëgjova mjaft gjëra për atë lidhje dhe mënyrën dramatike se si u zgjidh ajo.

Sot që shkruaj, jam shumë kritik ndaj Ramës dhe gafave të tija të rënda në qeverisje, por kjo nuk më pengon të them se në disfatën e asaj lidhjeje, që nuk u shndërrua asnjëherë në një martesë të vërtetë, nuk mund të cilësohet si një faj vetëm i Ramës.

Fajtorja më e madhe në atë që ndodhi mes tyre, ishte padyshim temperamenti dhe natyra e tyre tejet artistike. Ajo që i tërhiqte ndaj njëri- tjetrit, ishte pikërisht edhe ajo që i largonte nga njëri- tjetri.

Matilda ishte në atë kohë një Yll që shkëlqente dhe të gjithë e admironin me të drejtë, ndërsa Rama, e kishte të programuar spektaklin e tij të madh, për shumë vite më vonë!", përfundon rrëfimin Zheji.