• |
ide | kryesore

Ku bien dakord Koço dhe Blushi?

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET.jpg



Një paradoks po rrethon Rilindjen. Armiku më i ri i Edi Ramës, dje miku dhe klienti i tij i pazëvendësueshëm, ka nisur turin në bazë, për të shkatëruar mbretërimin e shefit të partisë në qendër. Pavarësisht nga shkaqet që e bëjnë Kokëdhimën të nisë këtë kryqëzatë, pavarësisht nga deliri i tij për të prodhuar një Donald Trump lokal, pavarësisht nga paranoja se kush i’a zhvati mandatin e deputetit, pra, pavarësisht nga principialiteti i munguar i qëndrimeve të Kokëdhimës, ka në thëniet e tij diçka racionale.

Në turin që ai nisi nga vendi të cilin e mbulonte si deputet, nga Saranda, ish bosi i kompanisë 2K, ka folur për një parti të hermetizuar, për teori konspirative që i etiketojnë ata që bëjnë kritika, si njerëz që punojnë në favor të dikujt tjetër, për lazaratizimin e mbarë Shqipërisë, për maskaradën e importit të plehrave, për shefa policie të lidhur me trafikantët dhe për peshkun që po qelbet nga koka.

Po të lexoje deklaratat e Kokëdhimës në Sarandë, papritmas të krijohej ideja se po dëgjoje një nga idhtarët e Libra-s së Blushit.

Edhe Beni, që kur vendosi të ecë vetë, e deri sa krijoi formacionin e tij të ri politik, ka përcjellë pak a shumë të njëjtin mesazh: Pra vizatimin e një klike mëkatare e të korruptuar, e cila si të vetmin shpëtim për të vazhduar mbijetesën, ka mbajtjen peng të Partisë Socialiste.

E këtu qëndron paradoksi: Si ka mundësi që edhe Blushi edhe Kokëdhima të bien dakord në argumenta? Si ka mundësi që edhe ai që e ka mbështetur Ramën historikisht, po ashtu edhe ai që e kritikon së paku prej 11 vjetësh, artikujojnë të njëjtat probleme? Si ka mundësi që edhe klienti i Ramës edhe akuzuesi i oligarkëve të tij, të jenë në një mendje? Si ka mundësi që edhe ai që u shkëput nga partia e kanabistëve edhe ai që ishte për legalizimin e kanabisit, të kenë pozicione kaq të ngjashme?

Në fakt, ky paradoks që duket sikur po rrethon PS-në, është e vërteta e saj e hidhur.

Ai bën të ngjashëm sot edhe dy profile politike krejtësisht të papajtueshme si Kokëdhima dhe Blushi. Të dy njësoj, ata kanë kuptuar, se mënyra më e mirë për të fituar pikë në publik është të vësh gishtin mbi njeriun që përçudnoi partinë më të madhe të vendit.

Mbi atë që e shndërroi organizatën e krijuar si një mburojë kundër autoritarizmit të ri, që po pillte rënia e komunizmit, në antitezën e qëllimit të saj fillestar. Mbi atë që ka uzurpuar siglën e partisë anti berishiste, që të vazhdojë të grabisë i qetë këtë vend.

Kjo pra është çudia. Me qeverisjen e tij tre vjeçare, Rama po bashkon edhe ata që gjykojnë si Beni edhe ata që mendojnë si Koço. Edhe ata që nisen nga parime edhe ata që nxiten nga interesa. Edhe ata që kërkojnë alternativa të reja edhe ata që ëndërrojnë më shumë biznes.

Por, rrethi i të pakënaqurve nuk mbyllet këtu. Edi Rama me autoportretin që ka vizatuar, përpos që ka "bashkuar" Blushin me Kokëdhimën, ka bërë në një mendje, rreth qëndrimit që mbajnë ndaj tij edhe opozitën, edhe kritikët e saj më egër.  

Së paku kjo meritë i duhet njohur. Rama po shërben më mirë se kushdo për të formëzuar frontin kundër tij. E vetmja enigmë që mbetet tani është koha: edhe për sa gjatë do ta mbrojë parzmorja e vjetër e partisë që ka marrë peng?

Mbi të tani ka filluar të hedhë "baltë" dhe Koço.

(Lapsi.al)