• |
ide | kryesore

A qëndrojnë shqetësimet e gjermanit Gunther Krichbaum?

I pakategorizuar
deputetii.jpg



Deklaratat e Gunther Krichbaum, kryetar i Komisionit për Çështjet Europianë në Bundestag, u duk sikur e kapën në befasi qeverinë. Ekzekutivi e kishte shitur për fakt të kryer tek qytetarët që Shqipëria do ta marrë dritën jeshile në dhjetor për hapjen e negociatave, pavarësisht disa sinjaleve të kryeministrit, të tilla si akuza ndaj Vangjel Dules se po lobonte në Greqi për ta bllokuar vendin. Akuza këto që erdhën pas ngritjes së tensioneve me dy vendeve, të cilave u shpërbeu jo pak edhe një status i kryeministrit në Facebook, me një foto të Akropolit me xhami.

Edhe pas gjermanit Krichbaum qeveria nxitoi të shihte armiqtë e brendshëm. Kryeministri Edi Rama e paraqiti Krichbaum, pa ia zënë emrin në gojë, si njeri të kapur nga Lulzim Basha. Ndërsa Lulzim Basha, i kompleksuar ndoshta nga këto akuza, nuk e përmendi deputetin e gjerman as kur iu përgjigj tëitterit të kryeministrit.

Po a qëndrojnë realisht akuzat e bëra nga deputeti i Bundestagut që thotë se do t’i kërkojë qeverisë së tij të mos i hapë negociatat në dhjetor apo ato janë pretekste për të mos e pranuar Shqipërinë në BE?

Thënë më thjesht, a e ka Shqipëria problem drogën, krimin dhe korrupsionin dhe në ç’fushë ka bërë progres vendi ynë ashtu siç i është kërkuar për t’u vlerësuar pozitivisht?

Le t’i marrim me rradhë çështjet që ai ngriti, si kushte që Shqipëria duhet të përmbushë përpara se të hapen negociatat.

Së pari, Krichbaum tha se për reformën në administratën publike duhet të provohet në praktikë sa i qëndrueshëm është zbatimi i ligjeve. Lapsi.al publikoi pak ditë më parë një listë emërimesh e shkarkimesh nga detyra në Administratën Tatimore me udhër të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe degës Nr. 3 të Partisë Socialiste. Një tjetër listë emërimesh në tatime e dogana me rekomandime të deputetëve të PS është publikuar më herët nga lapsi.al. Këto janë prova për emërime e shkarkime politike në administratë, në shkelje të hapur të ligjit?

Së dyti, Krichmaum kërkoi zbatimin e reformës në drejtësi në mënyrë të qëndrueshme dhe zbatimin e Vetting-ut sipas parimeve të Komisionit Europian. Vetting-u është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese. Kryeministri Rama ka fajësuar opozitën se me dërgimin e ligjit në gjykatë dhe me vendimin e gjykatës për ta pezulluar, po i bëjnë bllokadë rrugës integruese të Shqipërisë. Duhet thënë se opozita e dërgoi ligjin në gjykatë pasi asnjë nga amendamentet e saj nuk u pranua dhe ligji u miratua vetëm me dhunën e kartonave të mazhorancës, duke thyer konsensusin e ndryshimeve kushtetuese. Po ashtu, miratimi erdhi nën një presion të jashtëzakonshëm të dy ambasadorëve Lu e Vlahutin, të cilët e detyruan Kuvendin të mblidhej në një seancë të jashtëzakonshme gjatë pushimeve të gushtit. Me gjithë ndryshimet kushetuese dhe miratimin e paketës ligjore, Shqipëria nuk e ka përmbushur kushtin për reformën në drejtësi.

Së treti, deputeti gjerman kërkoi që SPAK të jetë e pavarur nga ndikimi politik dhe të ketë ngritur padi penale ndaj zyrtarëve të lartë dhe të akuzuarit të jenë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë. A është ngritur SPAK edhe pse ligji është miratuar, ndonëse pas shumë e shumë debatesh dhe akuzash mes palëve për kapje politike apo për frikë nga një hetim i pavarur dhe i specializuar? A ka ngritur ndonjë akuzë SPAK ndaj ndonjë zyrtari të lartë? A është dënuar ndonjë zyrtar i lartë deri tani? Këto pyetje kërkojnë një përgjigje dhe jo fakti se përse kërkoi Krichbaum që ky kusht të përmbushej.

Së katërti, Krichbaum kërkoi forcim të dukshëm të përpjekjeve kundër krimit të organizuar dhe drogës, duke theksuar se, përsa i përket drogës Shqipëria ka bërë hapa prapa. Kush nuk e sheh realitetin me kanabisin në Shqipëri? Kush nuk e di se sa është zgjeruar ky fenomen? Kush nuk i lexon lajmet për arrestime të punonjësve të policisë që kapen si anëtarë të grupeve të kultivimit dhe trafikut të drogës, për magazinat e përpunimit të hashashit që po zbulohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe për përgjimet mes trafikantëve për “gjobën” që duhet t’u paguajnë policëve? A është ky realiteti apo Krichbaum e tha këtë sepse ashtu i ishte kërkuar, siç kërkon ta bëjë të duket kryeministri Rama?

Së pesti, deputeti gjerman foli me shqetësim për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtat e pronës. A ka pronar që nuk ka provuar peripeci nga më të ndryshmet për njohjen apo kompensimin e pronave që prej shembjes së komunizmit?

Së gjashti, anëtari i Bundestag-ut kërkoi zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e ardhshme dhe përmbushjen e standardeve europiane për këto zgjedhje. Deri tani dihet se Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore nuk ka prodhuar asgjë. Dihet po ashtu se OSBE u ka rënë këmbanave të alarmit se koha nuk pret dhe se reforma mund të dështojë.

Së shtati, Krichbaum foli për dekriminalizimin, duke kërkuar që të mos futen më deputetë të inkriminuar e të dënuar me vendime gjykatash në parlament apo të zgjidhen në institucionet e tjera publike. Kush i solli të inkriminuarit në parlament dhe në krye të bashkive? A duhet një përgjigje për këtë dhe të gjitha shqetësimet e ngritura nga deputeti gjerman, të cilat ne i shohim çdo ditë? Apo duhet të fajësojmë anëtarin e Bundestag-ut se na e thotë të vërtetën në sy, edhe pse duke na kërcënuar se kështu siç jemi grupi politik ku ai bën pjesë, që sot drejton vendin më të fuqishëm të Europës, nuk do të na pranojë në BE?