• |
ide | kryesore

Serbia arrin parajsën në lidhje me Kosovën

Arkiva, Blog
prishtine.jpg



Nga Dejan Anastasijeviç                            

Gjithmonë kam pasur një problem me mitin përreth betejës epike të Fushës së Zogjve të Zinj, njohur gjithashtu si Beteja e Kosovës, e cila ndodhi në vitin 1389 dhe përfundoi me një disfatë totale për perandorinë mesjetare serbe dhe një fitore vendimtare për turqit Osmanë.

Çdokush në Serbi e di këtë histori: sipas legjendës, perandorin e Serbisë Lazari e vizitoi një ëngjëll në prag të betejës me turqit dhe e vuri të zgjedhë: ose një perandori tokësore dhe fitore në betejë, por në këmbim, djegie përgjithmonë në ferr, ose një humbje dhe parajsë.

Nuk ka nevojë të them se Lazari zgjodhi këtë të dytën dhe turqit qeverisën jo vetëm Kosovë, por edhe Serbinë, si dhe një pjesë të mirë të Europës për 500 vitet që pasuan.

Miti, me gjasa i formëzuar në fillim të shekullit të 19, kur Serbia po vuante për të fituar pavarësinë nga Osmanët, ka qenë pjesë e kurrikullës shkollore serbe për shumë gjenerata, edhe gjatë periudhës komuniste. Ajo është bërë pjesë thelbësore e identitetit tonë kombëtar.

Por kur isha fëmijë, unë nuk arrija kurrë ta kuptoja se pse një dilemë e tillë iu imponua Lazarit dhe pse Zoti refuzoi ta ndihmojë atë të fitonte përballë turqve të pafe.

Gjithashtu, unë mendoja se perandori kishte bërë një vendim për interes të vet kur zgjidhi një vdekje të shpejtë në betejë dhe pastaj e ekspozoi popullin e tij ndaj pesë shekujve vuajtje. Por nuk guxoja t’i shprehja këto dyshime në atë kohë: atëherë, si edhe tani, vënia në diskutim e miteve kombëtare nuk qe diçka e pëlqyeshme.

Gjithsesi, Serbia e humbi Kosovën në Fushën e Zogjve të Zinj më 1389, dhe pastaj sërish pas fushatës ajrore të NATO-s më 1999, por tashmë shpreson se mund të fitojë diçka. Nuk po flas për tri komunat me shumicë serbe në veri, të cilat vijojnë të sfidojnë ligjet e Prishtinës dhe as pjesën tjetër të tokës, e cila tashmë është më së shumti e pastruar nga Serbët, por për diçka disi më pak të kapërdishme.

Javën e kaluar, Vecernje Novosti, një nga gazetat kryesore proqeveritare në Beograd, doli me një titull të parë ku shkruhej: “NATO do të na kthejë qiellin e Kosovës”.

Sipas gazetës– dhe shumë mediave të tjera serbe– NATO po vlerëson një kërkesë të Serbisë për të rimarrë kontrollin e transportit ajror civil të nivelit të ulët (deri në 8 mijë metra) të hapësirës ajrore të Kosovës.

NATO është përgjegjëse për kontrollin e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999, por i ka lejuar Prishtinës të drejtojë avionët e fluturimeve në kuota të ulët. Kuota më e lartë, e përdorur nga avionët e transportit civil, kontrollohet nga Hungarcontrol, agjencia shtetërore hungareze, mbi bazën e një kontrate pesëvjeçare.

Tashmë, sipas gazetës, si pasojë e një vizite të suksesshme në selinë e NATO-s në Bruksel nga kryeministri Aleksandar Vuçiç javën e kaluar, agjencia e kontrollit të fluturimeve të Serbisë mund të marrë përsipër, jo vetëm kuotën e ulët të fluturimeve, por edhe kuotat e larta të atmosferës rreth vitit 2019 kur kontrata me hungarezët të skadojë. Për rrjedhojë, Serbia do të mundet edhe një herë të qeverisë qiejt mbi Kosovën, dhe madje edhe të arkëtojë një faturë të majme nga kompanitë ajrore.

Asgjë nuk është konfirmuar nga NATO dhe vetë Vuçiç është treguar shumë më i kujdesshëm mbi këtë çështje, duke thënë se vetëm kontrolli i fluturimeve në kuotë të ulët qe një nga temat që ai ka diskutuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe se një delegacion nga agjencia kombëtare e kontrollit të fluturimeve do të udhëtojë së shpejti për në Bruksel për bisedime të mëtejshme.

Gjithsesi, lajmi shkaktoi zemërim në Prishtinë, ku shumica e politikanëve besojnë se Kosova sakaq ka lëshuar tepër ndaj Serbisë gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE për normalizimin, veçanërisht duke rënë dakord për t’i dhënë statusin gjysmëautonom komunave të veriut.

Tashmë, paralajmërojnë ata, sovraniteti i Kosovës mund të gërryet më tutje në rast se Serbia merr kontrollin e qiejve të saj.

Serbia sakaq kontrollon hapësirën ajrore të fqinjit të vockël të saj Malit të Zi, përmes agjencisë së përbashkët të kontrollit të fluturimeve SMATSA, e cila në realitet drejtohet ekskluzivisht nga Beogradi. Marrëveshja është në përfitim të të dyja palëve, për shkak se Mali i Zi vijon të marrë pjesën e saj të tarifave të fluturimit, pa pasur nevojë që të mbajë një agjenci të vetën (e cila është e kushtueshme).

Nëse nuk do të qe për problemin e sovranitetit, Kosova mund të vepronte në mënyrë të mençur në të njëjtën mënyrë. Por nën rrethanat aktuale politike, një marrëveshje e tillë është natyrisht e vështirë për t’u arritur.

Është gjithashtu e vështirë të imagjonohet që NATO të shpërblejë Serbinë në këtë mënyrë e për rrjedhojë, artikulli i Vecernje Novosti– si shumë raportime të ngjashme mbi Kosovën në median serbe– duket se është më shumë ëndërr se sa realitet.

Ajo që i lidh të dy lajmet– dilema e Lazarit dhe kontrolli i trafikut ajror – është nevoja për të kompensuar humbjen e territorit me fitoren e qiellit sipër (gjuha serbe nuk bën dallim mes “parajsës” dhe “qiellit”).

Më shumë se gjashtë shekuj më parë, Lazari arriti në parajsë dhe tashmë trashëgimtarët e tij po bëjnë të njëjtën gjë, veçse në një mënyrë më tokësore. Ndryshe nga Lazari, ata po bëjnë pazar me burrokratët e NATO-s dhe jo me engjëjt, por ideja është e njëjtë.

Të dyja lajmet reflektojnë gjithashtu paaftësinë e serbëve për të trajtuar shkaqet e vërteta të disfatave të tyre. Në realitet, Lazari nuk kishte çfarë të zgjidhte dhe asnjë shans për të fituar edhe pse ushtria e tij nuk qe shumë më e vogël se sa ajo e Osmanëve. Kosova u humb sepse perandoria e tij po rrënohej, për shkak të luftërave të brendshme, shumë kohë përpara se të mbërrinin turqit.

Në mënyrë të ngjashme, nuk qe NATO dhe as Ushtria Çlirimtare e Kosovës të cilat rrëmbyen Kosovën nga Serbia. Ajo qe humbur vite më parë, kur Sllobodan Millosheviçi ndërtoi një sistem shtypës të stilit të aparteidit në këtë provincë, duke bënë përballë serbët dhe shqiptarët dhe duke helmuar marrëdhëniet dypalëshe për gjeneratat pasardhëse.

Në disa raste, në të mirë të të gjithëve, është më mirë që t’i mbash sytë nga toka. /BIRN/

 



1 Comment

  1. Aaaa, bir kurve, mire qe e

    Aaaa, bir kurve, mire qe e pasket marre vesh se Kosoven e humbi Sllobo juaj! Ne vertet jemi qesharake ne shtetformim, se s'kemi as kishe e as xhami te na prije si jue, por ju serbet jeni bere gazi i botes me mitet tuaja me shume se qesharake. Pillni ndonje femije, pillni, se ngelet duke u droguar…