• |
ide | kryesore

Veliaj- Tahiri, rivaliteti qesharak i dy nxënësve të Ramës (foto)

I pakategorizuar
Veliaj-Tahiri.jpg



Rivaliteti mes Erion Velisë dhe Saimir Tahirit, po merr çdo ditë e më shumë përmasa qesharake.

Mjafton të dalësh për një shëtitje në bulevardin qendror të Tiranës, këto mbrëmje të ftohta dimri, dhe menjëherë bie në sy një gjë që mund të ndodhë vetëm në provincat e humbura në shekullin e kaluar. Kush ka më shumë drita e zbukurime, është edhe më i rëndësishmi i fshatit.

Nga të gjitha godinat e ministrive, pjesë të ansamblit monument kulture, vetëm ajo e Bashkisë së Tiranës dhe e ministrisë së Brendshme janë ndriçuar dhe zbukuruar për festat e fundvitit. Siç duket edhe nga fotot e lapsi.al, bashkia e Erionit dhe ministria e Saimirit, rivalizojnë më njëra- tjetrën, ndërkohë që gjithë godinat e tjera duken si të lëna jetime.

Kontrasti është i fortë dhe bëhet edhe më shumë qesharak, nëse merret parasysh konkurrenca e "djemve" të Edi Ramës, për t'i hyrë në zemër shefit dhe për të siguruar për rrjedhojë trashëgiminë e trëndafilit lejla.

Të dy, si Erioni ashtu edhe Saimiri, po bëjnë një garë të fortë në këtë drejtim. Janë bërë si spajdermena, kanë përkëdhelur koka jetimësh e romësh, kanë dalë nëpër video e nëpër foto propagandistike më shumë se kushdo tjetër, kanë bërë torta ditëlindjesh e kanë shpërndarë supë, kënë bërë e ç'nuk kanë bërë për të merituar titullin e pasuesit të kryetarit artist.

Madje edhe fasadat, ashtu si shefi i tyre i meremetuan. Erioni mbolli lule e pemë në tarracën e bashkisë dhe dha shfaqje me vajzat e showbizit. Saimiri hodhi miliona për të ndryshuar pamjen e ministrisë së tij, që tashmë dallohet shumë nga të tjerat që shefi i tij, Edi Rama, i restauroi në kohërat e bollëkut të Ilir Metës. 

Por kjo e dritave shënoi një tjetër kulm. Kur ia shpjegon një turisti të huaj se si ka mundësi që për festa janë zbukuruar vetëm dy godina, ai shqyen sytë dhe sigurisht që nuk ka si ta kuptojë që në fshatin tonë ëshët e rëndësishme edhe se kush shtëpi ndriçon më shumë.

Djemve që drejtojnë këto dy godina u ka mbetur tashmë të veshin edhe atlete me drita për të garuar se kush shkëlqen më shumë. Me siguri që Edi Rama do të zgjedhë njërin më në fund. /lapsi.al/

Bashkia e Tiranës, e zbukuruar per festa

Ministria e Brendshme, me fasade te re dhe e zbukuruar per festa

Ministria e Transporteve, mes Bashkise dhe Ministrise se Brendshme, qe kontraston me erresiren e saj