• |
ide | kryesore

Çili në shërbim të hegjemonisë neoliberale të Ramës

Arkiva, Blog
klevis.jpg



Nga Klevis Kolasi*/Nga debati mbi aktin e protestës ndaj ministres Nikolla në emisionin Opinion zhvilluar më datë 21 nëntor 2016, dy tema të përsëritura vazhdimisht nga Henri Çili, administratori i një prej universiteteve më të mëdha private në vend, do të shërbenin si pikënisje për të shpjeguar gjendjen e marrëdhënieve shoqërore në Shqipëri dhe pasqyrimin e tyre në pushtetin politik.

Henri Çili, i cili ka qenë mbrojtësi më i zëshëm i neoliberalizmit në Shqipëri këto tri vitet e fundit, vazhdimisht ka akuzuar si ideologjike çdo qasje që rroket të depërtojë poshtë asaj çka thuhet dhe flitet rëndom në media. Pra një qasje kritike, ndaj ligjëratës dominuese politike dhe që në rastin konkret mbron të drejtën e arsimit publik falas, sipas tij është ideologji, madje e kuqe. Argument ky që nënkupton se autori ka një armë të fshehtë shkencore mbrapa kurrizit e cila jo vetëm që i mundëson atij ta kuptojë realitetin social në mënyrë shkencore, por edhe i lejon të vendosë kufirin te thana për qasjet ideologjike. Por përsakohë që Çili mendon se këto punë nuk duhen zgjidhur me “ideologji” por me shkencë, na lejon të pyesim se cila është vallë kjo teori shkencore që do të na ndriçonte në lidhje me reformën dhe mësonte se ka apo s’ka struktura shoqërore. Gjithmonë, kjo sfidë pranohet, duke shpresuar se Çili nuk është nga ata që mendojnë se ka një realitet social aty tutje që ai mund ta shpjegojë fare mirë direkt duke cituar disa statistika, për numrin e individëve të lirë që zgjedhin lirshëm të regjistrohen tek universiteti i tij akoma më i lirë.

Tema e dytë e preferuar e Çilit është të mbroje si të drejtë, të vonuar dhe të pamjaftueshme, politikën ultra-neoliberale të qeverisë për të financuar universitetet private me fonde publike. Reforma në fjalë është zvarritur aq shumë djathtas, saqë çdo argument për arsimimin falas duket si radikal i majtë. Ndërkohë që arsimimi falas, së bashku me shëndetësinë falas dhe pensionet kanë qenë tre nga arritjet më të mëdha të shtetit-social, të bazuar te kompromisi socialdemokrat në Perëndim deri në vitet 1980. Modeli neoliberal i cili përbënte përgjigjen anglo-saksone ndaj krizës strukturore të mbiakumulimit ku hyri sistemi kapitalist në fillim të viteve 1970, synonte kryesisht zhbërjen e shtetit-social dhe riformulimin e marrëdhënieve shtet-shoqëri, shtet-treg dhe treg-shoqëri në dobi të kapitalit. Në këtë kontekst merr kuptim të plotë ideja e Çilit se universitetet publike janë “krunde” të së kaluarës apo se arsimi publik falas pengon reformimin e vendit. Ngaqë reformimi i Çilit nënkupton vazhdimin e pashqetësuar të ristrukturimit neoliberal të shoqërisë dhe shtetit shqiptar, ai ka të drejtë. Mbrojtja e publikes i kall datën neoliberalit.

Në këtë rrugëtim dramatik e të pandërprerë të shndërrimit strukturor nën hijen e reformave neoliberale – që nisi me aplikimin e “terapisë së shokut” në vitet 1990 nën “kujdesin” e FMN-së dhe Bankës Botërore dhe rinisi me një hov të ri pas 1997-s, nën ripaketimin e tyre si “reformat standard” nga PS-ja – neoliberalizmi ka përbërë ideologjinë zyrtare të shtetit shqiptar. Shqipëria do ta përqafonte modelin neoliberal, që e ka përkëdhelur ngaherë me termin lozonjar globalizim, si dogmën e re zyrtare. Aq hegjemonike ka qenë ideologjia neoliberale në Shqipëri saqë ajo nuk është vënë kurrë në pikëpyetje apo të diskutohet hapur deri këto vitet e fundit. Një qeverisje apo koncept i caktuar e arrin pikën më të lartë të hegjemonisë kur merret si i dhënë, i mirëqenë dhe i natyrshëm. Jo rastësisht partitë e gjysmë kryesore politike në vend, duke qenë se që të treja bashkë e kanë përqafuar si TINA-n (there is no alternative) e Thatcher-it modelin neoliberal, e kanë reduktuar debatin politik në qortimin e korrupsionit të individëve të partive kundërshtare. Kësisoj e kanë mbajtur jashtë kritikës dhe riprodhuar, legjitimitetin e sistemit neoliberal. Motoja e tyre de facto ka qenë: “Edhe në mjerim/borxh të zhytet populli, por parimet e neoliberalizmit nuk i shkelim!” Në sistemin neoliberal, për klasën e mesme që firon vazhdimisht “ngrënia e barit” zëvendësohet me dhënien e kredive për të siguruar kështu iluzionin e rremë se ata po bëjnë një jetë normale, ndërkohë që “prona” dhe “shpirti” iu delegohet bankave si këmbim. Ngaqë frika më e madhe e klasës së mesme të mbetur ende në këmbë është të mos rrëshqasë në llumin gjithmonë e më në rritje të lumpenëve, ajo ka prirje të strehohet si shpëtim te kotheret klienteliste që u ofron pushteti. Në këtë kontekst, sot në Shqipëri arsimi dhe shëndeti publik kanë mbetur dy kalatë e fundit të papushtuara ende tërësisht nga hovi neoliberal që kërkon me çdo kusht privatizimin e tyre si hallka finale e neoliberalizimit të shtetit. Kjo, e përkthyer në shqip, do të thotë në praktikë: reduktimi i aparatit shtetëror në një shkop gjigand gome i mbështjellë me një pëlhurë sentimentalizmi postmodern. Kjo e fundit e spërkatur me doza nacionaliste e fetare, të cilat në kësi rastesh pritet që të funksionojnë si opiumi që do të rehabilitojë “psherëtimën e krijesës së shtypur” dhe të qetësojë kësisoj plagët e shoqërisë të gjakosura nga penetrimi i dhunshëm i neoliberalizmit deri në palcë.

Në këtë aspekt, duke nxjerrë në shesh figurën e një privati që del të mbrojë politikat e qeverisë, mund të thuhet së Çili padashur i ka bërë një shërbim të vyer publikut shqiptar. Ai i ka shpalosur atij një nga kontradiktat e thella që buron nga gjendja aktuale e marrëdhënieve shoqërore në vend: pra struktura mbi të cilën ngrihet dhe funksionon aparati shtetëror. E megjithatë ky zbulim i plehrave nën qilim nuk mund t’i mvishet thjesht qëllimit të tij të mirë apo të keq. Për më tepër, shpalosja e këtyre kontradiktave është në kundërshtim me qasjen e dashur teorike të tij individualizmit metodologjik që përbën metodën bazë sesi neoliberalët i qasen shoqërisë dhe vetë shkencës, pra shpjegimit të fenomeneve shoqërore. Individualizmi i shpjegon fenomenet shoqërore duke i reduktuar ato te veprimet e individëve. Për të, realiteti social përbëhet thjesht prej individëve dhe sjelljeve apo vendimeve të tyre. Prandaj edhe shpjegimi shkencor i fakteve sociale kërkon që ato të shpjegohen si vendime të individëve. Për sa i përket individit, ai hamendësohet se vepron i lirë, si një egoist racional, në një mjedis të pastrukturuar nga forcat shoqërore. Këtu, institucionet sociale si shoqëria, shteti etj. shihen vetëm si “modele abstrakte” për të interpretuar eksperiencat e individëve. Në këtë kornizë, shoqëria shihet si sinonim i grupit, duke e mohuar ekzistencën e marrëdhënieve apo duke i parë ato si kallëpe të sjelljeve të individëve. Duke pranuar se realiteti social shterohet prej individëve, individualizmi e mohon thellësinë e tij dhe priret t’i shtrijë me përdhunë faktet sociale në “shtratin e Prokrustit”. Faktet sociale, që në thellësinë e tyre e tejkalojnë kornizën e ngushtë të individualizmit, ai i cungon në mënyrë që t’i përshtaten hamendësimeve të tij. Shkurt individualizmi ka një koncept të sheshtë të realitetit social, i cili e bën atë miop ndaj marrëdhënieve, strukturave e mekanizmave që përbejnë shtresën e thellë të shoqërores.    

Këto çështje teorike që nxjerrin në pah kuptimin e cunguar të realitetit social të individualizmit, kanë pasoja të rëndësishme etike dhe politike. P.sh. individualizmi kërkon që ne të besojmë se kaosin që polli 97-a, nuk e solli çrregullimi ekonomik dhe financiar i recetës neoliberale, por e gjeti aty mes egoistëve racionalë. Kështu individualizmi na sugjeron të mos lodhemi me shpjegime të thella por ta shohim 97-n si një ngjarje që mund të reduktohet te dëshira e papërmbajtur e kokëpalarëve për t’u pasuruar shpejt. Individualizmi nuk sheh kontradikta që burojnë nga marrëdhëniet shoqërore, pasi për të, “nuk ka shoqëri, por vetëm individë dhe familjet e tyre”. Pra nuk ka struktura që kufizojnë dhe kanalizojnë veprimet e individëve. Mirëpo nëse realiteti social është thjesht produkt i individëve me vullnet të lirë, atëherë nuk ka kuptim pse të shqetësohemi për emancipimin. Pikërisht te kjo premisë i ka rrënjët edhe ideja e ndritur që “nuk ka dhunë strukturore në shoqëri”. Në fakt koncepti i dhunës strukturore është hedhur nga studiuesi i paqes Johan Galtung në vitin 1969, si reagim ndaj konceptit tradicional të dhunës që e shihte atë thjesht si personale apo fizike. Kështu Galtung-u hodhi idenë se nëse nuk zbresim poshtë të zbulojmë rrënjët shoqërore të dhunës dhe të analizojmë aspektin e fshehur të saj, jo vetëm që nuk mund ta kuptojmë dhunën, por rrezikojmë ta legjitimojmë atë duke menduar se nuk ekziston. Galtung-u e përkufizon dhunën strukturore si “diskriminim të shmangshëm të nevojave njerëzore bazë, që shkallën e plotësimit të nevojave e ul më poshtë asaj çka është potencialisht e mundshme.” Kjo formë dhune, nuk ushtrohet nga persona, por nga strukturat/marrëdhëniet shoqërore. Pabarazia në shpërndarjen e të ardhurave, mungesa e mundësive për arsimim dhe shëndetësi apo shanset e pabarabarta janë nga shembujt më të përhapur të dhunës strukturore. Në këtë kuptim dhuna strukturore merr formën e padrejtësisë sociale. Prandaj t’i shpjegosh faktet sociale në mënyrë strukturore e shkencore, do të thotë të prodhosh njohuri të thellë rreth fakteve sociale, pra të shkosh përtej shfaqjeve të jashtme për të zbuluar e identifikuar marrëdhëniet, strukturat, mekanizmat dhe proceset që i prodhojnë ato. Është pikërisht kjo karakteristikë e shkencës për të shkuar përtej shfaqjeve sipërfaqësore, që e bën atë të domosdoshme në aspektin e emancipimit.  

Në këtë aspekt, Çili, duke parë kudo një realitet të sheshtë, të pastrukturuar prej marrëdhënieve shoqërore, është kurdoherë gati të bëjë “përshesh”, pra të pretendojë se nuk ka struktura apo se studentët janë të lirë të zgjedhin kë të duan. Thënë këto, si ta kuptojmë atëherë këtë çiltërsi nga ana e tij, për të na zbuluar fytyrën e vërtetë të pushtetit në Shqipëri? Në fakt ai nuk është i vetmi në këtë drejtim. Kryeministri Rama kur u bën thirrje bizneseve të huaja ejani në Shqipëri se këtu nuk ka sindikata, apo kur mburret se në Shqipëri nuk ka konflikt midis biznesit dhe shtetit dhe se partneriteti publik-privat është në themel të filozofisë së qeverisjes së tij, ashtu si Çili, zbulon hapur gjendjen aktuale të marrëdhënieve shoqërore dhe pushtetit politik. Në këtë drejtim, do të ishte më e shëndetshme ta shihnim zbulimin e kontradiktave që na ofron Çili dhe qeveria e Ramës në një aspekt strukturor, si krizën e hegjemonisë neoliberale në Shqipëri. Një nga treguesit se hegjemonia – si një formë qeverisjeje e bazuar te pëlqimi i klasës që qeveriset – ka hyrë në krizë është fakti se shteti detyrohet të mbështetet më tepër te aparatet represive dhe të radikalizojë aparatet ideologjike si media, intelektualet organike, UET-ja etj. që kanë për funksion edhe riprodhimin e ideologjisë, për të ruajtur pushtetin. Prandaj në analizën e fundit, ajo çka na tregoi Çili me mbrojtjen e pushtetit politik dhe politikave neoliberale është një mësim aktual: pushteti i sotëm shtetëror në Shqipëri, ashtu si dikur ai në Perëndimin e kohës së Manifestit, “s’është gjë tjetër veçse një komitet që administron punët e përbashkëta të gjithë klasës së borgjezisë” shqiptare nga njëra anë dhe elitës transnacionale nga ana tjetër. Por kjo e fundit është temë për një diskutim tjetër.  

 


*Kërkues shkencor vizitues pranë Universitetit Hacettepe, ne Ankara.



5 Comments

  1. Ka nje trajtim naiv ideja e

    Ka nje trajtim naiv ideja e arsimit falas si dukuri majtiste. Nuk ka sherbime shteterore falas ne asnje vend e asnje sistem politik. Ne sistemin diktatorial komunist, Enveri rrihte gjoksin se kishte bere arsimin e shendetesine falas. Nje genjeshter e trashe. E ku i merte ai keto para per te investuar ne "arsimin e shendetesine" falas ?  Paguante punen e cilitdo, njeqind here me pak se cmimi i produktit te punes.  Bie fjala, nese puntori prodhonte nje produkt me vleren dhjete mije dollare ne muaj, si page puntorit i jepte 10 deri maksimumi 25 dollare ne muaj. Nuk ishte vetem paga e ulte qe e mbante konsumin ne vlerat minimale, por ishte edhe mungesa e madhe e produkteve ne treg, qe shqiptaret ishin mesuar te mbijetonin me me pak se nje dollar ne dite. Me tepricen e vleres se produktit te punes, mund te ishin ndertuar ne Shqiperi spitalet e shkollat me moderne te botes, e sherbimin e tyre e kishin paguar me punen e tyre. Pra nuk e kishin falas. Ne sistemin kapitalist, ka vertete sherbime mjeksore e te arsimit qe duket sikur jana falas per nje shtrese te varfer e per pensionet e ulta, por edhe keto nuk jane para te falura nga shteti, por jane para te kthyera nga shteti nga mbledhjet e sigurimeve shendetsore e taksat per te gjithe popullsine.

  2. ky qenka vertet “kerkues shkencor” hahaha………..

    O Lapsi, nuk e di perse keni futur keto shkarravitje te ketij Kolasit. Por ne ato cfare thote, ky Kolasi, vetem emrin i ka vene vetes "kerkues shkencor" se cdo gje tjeter eshte rremuje!!!

    Rama neoliberal????? Ha-ha-ha-ha!!!! Po si mund te jete Rama neo-liberal kur te gjithe "reformat" i ka bere me fryme etatiste dhe jo tregu?!?!?!?!? 

    Si mund te quash Ramen neo-liberal, dhe ti etiketosh reformat e tija si "neo-liberale" kur as vete Henri Cili nuk mund ti thuash "neoliberal" sepse tezat e neoliberalizmit i artikulon vetem me fjale ndersa ne realitet vepron ne nje menyre qe vetem neoliberale nuk eshte!!! 

    Neo-liberalizmi na qenka dominimi absolut i tregut dhe konkurences?!?!? Edhe mundet!!! Them "edhe mundet" se sot kartat ideologjike jane shkartisur keq! Por le ta marrim si te vertete qe Henri Cili dhe Edira Ram jane safi neo-liberale! Do te doja qe ky Kolasi te me shpjegonte:

    1) perse Henri Cili nuk e bazon mbijetesen e UET tek "vlerat e UET", vleresimi i UET nga tregu dhe klientet dhe konkurrueshmeria e tij me cilesi por na can bythen dite-nate ne cdo ekran duke i kerkuar qeverise te "nderhyje"? Nje neoliberal i vertete, nuk e fton qeverine ti garantoje mbijetese vetes! Nje neoliberal safi thote "mbijetoj ne tregun e lire se jam vertet i mire, cilesor; konkurroj te tjeret se ofroj nje produkt me te mire se ta!!! O Kolas! Beson ti se Cili dhe UET-i i tij jane cilesia me e mire ne Shqiperi???  Jo mor jo!!! Henri Cili nuk eshte ideologu neoliberal me i palekundeshmi! Eshte pordhaci dhe bythelepiresi me i madh!!! UET i tij mund te ndryshoje nga universitetet e tjera ne ambjente dhe reklamen qe i ben vetes! Por UET NUK ofron cilesi me te mire se universitetet e tjera!!! Henri Cili e ngriti UET me klientelizem politik, dhe e ka klientelzimin politik instrumentin e vet te preferuar per ta mbajtur ne kembe!! Prandaj per keto arsye as UET-i  nuk eshte universiteti "ekselent" dhe as Henri Cili nuk eshte neo-liberal!!! Dhe per ta mbyllur me Henri Cilin: nga e gjeti mendesine neoliberale Henri Cili? Ne Francen e etatizmit tradicional ku dhe ka mbaruar??? Aman o Kolas mos me bej te nxjerr zorret!! Henri Cili duhet demaskuar por jo si neoliberal por si kriptoetatist!!!

    2. pyetja e dyte qe te bej ty Kolas ka te beje me "gjetjen" tende se Rama eshte po as neoliberal. Cila reforme e Rames te tingellon neoliberale??? Reformat neoliberale nuk i ben qeveria por tregu, haptesiar e konkurrences!!! Qeveria mund te krijoje kushte per konkurrence te ndershme, por kurrsesi nuk mund te ndermarre hapa neoliberale! Dhe meqe ke shkruar ne fushen e Arsimit, si mund ti quash ti "praktika neolioberale" mbylljen nga Rama te universitetetve private?!?!? Ne shoqeri dhe qeverisje me fryme safi neoliberale hapjen apo mbylljen e veprimtarive e percakton tregu, jo qeveria! Si mund ti thuash "neoliberale" politikave te Rames ne arsimin e larte dhe perballe universiteteve shqiptare kur te gjithe "hapat" e ndermarra i ka marre qeveria dhe jo universitetetet??? Kur si universitetet publik dhe ato private por trajtohen me "nje kut" – termi i preferuar nga ministrja injorante Lindita Nikolla??????? 

    Kolas, 

    rrofsh per vete….. se per te tjeret…..me duke se je tamam produkt i Cilit. Dhe jo vetem kaq! Por ben edhe gabimin me te keq – te "luftuarit dhe diskredituarit e Cilit dhe Rames me arsyet me te gabuara!!!! 

     

     

      

          

     

     

  3. Puna është që Çili po bën

    Puna është që Çili po bën lekë siç ka thene edhe vete: Se më do trapi. Keshtu qe keto lloj artikujsh thjesht jane bere shtyrje kohe ne kete vend. Sa per Ramen: edhe atij i do trapi! Ndaj, s'na mbetet gje tjeter vetem te marrim ndonje kredi me kismet nga marsi, kur rriten rrotat, rrogat – lapsus ,..

  4. bashkia tirane

    Po ku dallon Henry-eta Cilja nga cingiet kercimtare qe i uleshin ne preher bejlereve dikur? Edhe Henry-eta sot ate ben, i ulet ne preher gjithe pushteteve. Pasi perdredh bythet me pare per t'ja ngrehur…Ptu rrace katunari i pretenduar se eshte bere qytetar vetem se ka nderru emrin!

  5. kot

    Rama nuk eshte neoliberal, as ka qene kurre. Rama eshte klientelist…