• |
ide | kryesore

Rozana Radi, një fitore si himn për nënshtrimin e grave

Arkiva, Blog
roz1.jpg



Me  fitoren në këngën magjike, Rozana Radi mund të ketë korrur votat e kolegëve dhe duartrokitjet e sallës, por ndoshta ajo do të marrë njëherë e përgjithnjë mërinë dhe urrejtjen e grave të lira, të pavaruara dhe me integritet. Kënga e saj "Ma thuaj ti" ishte fatkeqësisht një himn për nënshtrimin e femrës, për rolin e saj dytësor në një raport, për qarjet dhe përuljen e saj ndaj "burrit" që nuk e do më.

Shpesh, në tekstin e kënduar nga Radi, zbuloje me habi portretin e një gruaje që kërkon fajin tek vetja nëse nuk ndihet ende e dashuruar, e një partnereje që, pas humbjes së ndjenjës, nuk gjen më as forcën për të jetuar dhe as guximin për t'u çuar.  I gjithë ky ngashërim bëhet në emër të një të dashure që mburrej se e kishte duruar "mungesën" e partnerit të saj, por që tani pas ikjes së tij, kish humbur kuptimin e jetës.

Është e panevojshme të thuash se sa përkon ky imazh i kësaj gruaje të nënshtruar me realitetin e grave të lira të këtij vendi, që gjithashtu mund të jenë vulnerabël nga çdo humbje dashurie, nga çdo divorc që prish familjen, nga çdo traumë që ndarja shkakton tek fëmijët, por që megjithatë, dinë të gjejnë forcën për t'u çuar, dinë të gjejnë motivin për të jetuar, sepse dinë të ngrihen mbi dhimbjen, të jetojnë si femra të pavarura dhe të lira dhe mbi të gjitha nuk e kanë lidhjen me një partner, të vetmin dimension të jetës së tyre.

Por "mëkati" i këngës fituese "Ma thuaj ti", nuk qëndronte vetëm tek skalitja e imazhit të një gruaje që ka rol dytësor në çift dhe që nuk ekziston dot pa praninë e mashkullit të saj.

Ajo shkonte përtej, ajo justifikonte qëndrimin absurd dhe të pashëndetëshëm të shumë nënave që e barazojnë dashurinë e partnerit për to me dashurinë që ai ka për fëmijët. Dhe, si rrjedhim i kësaj, kuptohet që kur një burrë largohet nga çifti, bashkë me dashurinë për të dashurën e tij, ai ka braktisur edhe dashurinë për fëmijën (foto poshtë).

Ky qëndrim tipik i nënave dhe grave pa integritet shkëlqente më shumë se kudo në vargun absurd: "Thuaja ti fëmijës sonë që nuk ju dua!".

Ky mentalitet tipik për gratë pa identitet që e barazojnë fundin e dashurisë për to, edhe me fundin e dashurisë për frytin e përbashkët të saj, nuk dukej vetëm me fjalë, por edhe me inskenimin aspak magjik të këngës fituese. Teksa Rozana Radi këndonte e qurravitej për mashkullin që e kish braktisur, në sintoni me të edhe vajza e vogël që ndodhej në skenë, përsëriste të njëjtin refren për mashkullin që i kishte braktisur të dyja. Edhe ajo në mënyrën e saj përligjte faktin se një nënë e dobët duhet të përdorë edhe fëmijën për të akuzuar burrin që i ka braktisur.  

Shkurt, megjithëse fituesja e "Kënga magjike", mund të ketë marrë vlerësimet e kolëgëve, megjithëse interpretimi i saj mund të ketë "prekur" ato nëna të ndara që kanë qenë gati të përgjunjen për të dorëzuar fatin e tyre në duart e mashkullit që kanë zgjedhur, ajo nuk është asgjë më shumë sesa një himn për nënshtrimin e grave. Sepse ajo, aq më tepër tani që mori edhe vizibilitetin e fitores së një festivali të rëndësishëm, nuk shkon më larg se vizatimi i një femre që nuk e gjen dot forcën për t'u çuar dhe motivin për të jetuar, pasi ka marrë lajmin se nuk është më një grua "in Love". /T. Çela, Lapsi.al/