• |
ide | kryesore

A mund të na shërbejë Shkupi si model?

Arkiva, Blog
patozi-300x257.jpeg



Nga Astrit Patozi

Maqedonia nuk mund të shërbejë për askënd si model. Sepse është ikonë e krizave ciklike, që sjellin sëmundjet më të rënda të pushtetit, në rajon dhe më gjerë. Dhe këtu nuk përjashtohet as Shqipëria, megjithëse ajo, për nga hallet e sipërcituara, fatkeqësisht, nuk është shumë larg fqinjes së vet lindore. 
Por kam frikë se në një aspekt ne duhet ta ta marrim si shembull Shkupin, dhe ai nuk është i parëndësishëm. Maqedonia, aq problematike, me korrupsionin, arbitraritetin dhe abuzimet e rënda me pushtetin, bën zgjedhje më të mira se ne. Të paktën, këto të fundit, por ndoshta jo vetëm ato.
Mjafton të shikosh se rezultati përfundimtar ka dalë vetëm disa orë, pasi është hedhur vota e fundit, dhe asnjë nga aktorët nuk po flet për parregullsi serioze në procesin e së dielës. Kujtoni për një cast kalvarin e numurimit tonë, që nuk mbaron kurrë, për të mos thënë se në cfarë labirintesh kalojmë ne për të mbërritur deri aty. 
Dhe të mos harrojmë se jemi vetëm 6 muaj larg zgjedhjeve tona politike. Të cilat, sipas të gjitha gjasave, do të jenë edhe më të këqija sesa pararendëset, sepse janë dhënë ndërkohë të gjitha "garancitë" nga qeveria. Që nga zgjedhjet e pjesshme në Korcë, disa muaj pasi Edi Rama mori detyrën, më pas në ato lokalet një vit më parë, e së fundi në Dibër, para pak kohësh.
Sot që po flasim mund të shpallim pa frikë falimentimin e reformës elektorale, që do të thotë se qeveria nuk është e gatshme as ta shkruajë në letër se ka ndërmend të bëjë zgjedhje të mira vitin e ardhshëm. Sepse Kodi Elektoral është vetëm hapi formal për të shkuar drejt një procesi zgjedhor korrekt dhe të pakontensuar. Por, gjithësesi, tmerrësisht i pamjaftueshëm, sepse përvoja na ka treguar që ne gjëmat më të mëdha këtij vendi ia kemi bërë, kur i kemi kapërcyer dhe shpërfillur si lecka ligjet. Që do të thotë se në kohën që ka mbetur asgjë thelbësore nuk pritet të ndryshojë për mirë as në kornizën ligjore që shtron rrugën për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Dhe mendoj se ky është një prelud ogurzi për 18 qershorin.
E di që sot mund të jem në kundërrjedhë, pasi të gjithë kanë mprehur lapsat dhe po analizojnë skenarët e krijimit të qeverisë së re në Shkup dhe mbi të gjitha "humbjen" numerike të faktorit shqiptar atje. Natyrisht, që edhe unë kam opinionet e mia për sa po ndodh në vendin fqinjë, madje edhe për "tradhtarët" tanë, të cilët, megjithëse kanë humbur, janë bërë më përcaktues në Maqedoni. Sa që të kujtojnë jo pak LSI-në tonë të lavdishme, gjatë viteve të fundit, por nuk jam shumë i sigurt, nëse do të kenë fatin e saj.
Por preferoj të mos merrem me këtë temë, sepse mendoj se ajo është, sa produkt, aq edhe problem, që i takon ta zgjidhin faktorët politikë atje, maqedonë dhe shqiptarë, sigurisht. Ne nuk kemi as tagrin, por nuk jemi as në pozitën për ta trajtuar me përcmim atë që ndodh në Maqedoni. Sepse shumë prej problemeve të saj, që e zhytën vendin prej vitesh në kaos dhe destabilitet, janë ulur këmbëkryq edhe në Shqipëri.
Zgjedhjet e djeshme në Maqedoni mund të kenë shërbyer për të dhënë shumë mesazhe, të cilat natyrisht kanë vlerë në radhë të parë për qytetarët e saj. Por nuk mund të përjashtohet edhe rrezatimi rajonal i këtij evenimenti të rëndësishëm politik për Ballkanin. Nëse ne do të dinim të lexonim sic duhet, duhet ta nisnim nga leksioni i zgjedhjeve të së dielës.
Maqedonia u tregoi dje të gjithëve, por sidomos neve këtu, se vjen patjetër një pikë, kur votën e refuzimit dhe të zemërimit të qytetarëve nuk e ndal dot askush. Nuk mjaftojnë as dhuna dhe shantazhet, as paratë e pista, as blerja e votës dhe as manipulimet për të mbajtur në këmbë një pushtet të paligjshëm, që lind dhe rritet nga deformimi i votës. Vjen gjithmonë dita. Pavarësisht se mund të vonojë pak.

/LAPSI.AL/