• |
ide | kryesore

Letër Ali Ahmetit nga një mik i kohës së ilegalitetit: “mos i jep dorën Gruevskit”

Arkiva, Blog
bed-1475398066-1913957.PNG



Pothuajse 24 vite na ndajnë nga ditët kur u bëmë miq. E kam njohur për shumë kohë si “Abazi”, si e thërrsinin të gjithë në Lëvizjen Ilegale Çlirimtare, ndërsa nga ai mora emrin “Bacaloku”.

E kam njohur në kohë të ndryshme, kur sapo ngriheshin strukturat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur ende askush nuk e besonte se qershori i vitit 1999 do të kishte një Kosovë të lirë e më pas, ngjarjet do të vazhdonin më tej në trojet shqiptare në Maqedoni.

Së bashku me Fehmi Lladrovcin ishte njeriu që i besoja më shumë, që e ndjeja më afër nga gjithë të tjerët; nga të paktë që më shumë fliste për librin se sa për punët e tjera; me të cilin kam qëndrar aq shumë netë të gjata diskutimesh pa fund, dhe ishim sëbashku ne Kryesinë e Lëvizjes Popullore të Kosovës, strukturës politike që themeloi, udhëhoqi dhe e përfaqësoi politikisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Kam besuar gjithnjë tek ai, pavarësisht rrjedhave të ndara, besoj ende, pasi, në aq shumë vite në lëvizjen klandestine, asnjëherë nuk gjeta tek ai diçka që nuk ishte e shpirtit dhe e ndershme.

Mund t’ia dërgoja mendimin tim edhe privatisht, shpesh herë kemi dialoguar kështu; mund të kërkoja gjithëfarë rrugësh për të folur mes dy miqve të vjetër, por, kur mendova të bëj publik mendimin tim, më tepër se gjithçka tjetër, ishte një grishje, për të gjithë ne, shokët e miqtë e vjetër, për të qenë të pranishëm, në këtë kohë që as nuk qetësohet e as ecën në atë rrugë që është menduar.

Zgjedhjet përfunduan. Mbaroi edhe numërimi i votave. BDI do të ketë 9 deputetë më pak në parlamentin e ardhshëm maqedonas, megjithëse do të jetë përsëri partia kryesore shqiptare. Ajo do të ketë të njëjtin numër deputetësh sa do të kenë të gjithë partitë e tjera shqiptare së bashku. Pra, me gjithë tronditjen, mbetet partia kryesore dhe asnjë parti politike maqedonase, qoftë ajo ultranacionaliste dhe proruse e Gruevskit, qoftë LSDM, nuk mund të bëjnë qeverinë e ardhshme, nëse nuk do të jetë edhe BDI.

Partia tjetër tradicionale shqiptare PDSH, e Menduh Thaçit, nga 7 deputetë që kishte në sesionin e kaluar, tani do të ketë vetëm dy. Asnjëherë ajo nuk ka qenë më e shpartalluar se sa tani dhe kjo është e gjitha rrjedha e mendimit politik dhe veprimit aventurier të një politikani mafioz si ai që e drejton këtë forcë politike.

Rezultati i tanishëm i jep shansin e madh shqiptarëve që, megjithë bjerrjen e votave dhe të deputetëve, të jenë faktor vendimtar në shumë aspekte të rëndësishme të jetës politike.

Në parlamentet e shkuara, cilado forcë politike që do të ishte në qeverisje nuk mund të bënte asgjë: Gruevski për vite me radhë kishte më shumë se gjysmën parlamentare.

Në fakt ai erdhi në pushtet duke luajtur me kartën e nacionalizmit. Ai erdhi në pushtet pas luftës së zhvilluar në Maqedoni, e cila përfundoi, si dihet, me Marrëveshjen e Ohrit. Hyrja në qeveri e BDI ishte më shumë dëshmi e pranisë dhe e  përfitimit politik, përmes së cilit mund të bëheshin disa risi në jetën shqiptare.

Karta nacionaliste e Gruevskit dhe fakti që në kohën e luftës qeveriste LSDM-ja, që e humbi luftën, e mbajti atë në pushtet. Karta nacionaliste, të cilën ai e luajti fuqishëm, duke ngërthyer në politikë nacionalizmin sllav, ishte e dobishme deri kur u vetëdijësua popullsia maqedonase.

Ndryshimi i madh nuk ndodhi se humbën partitë shqiptare, por sepse opozita u bë vërtet opozitë dhe shpresë për ndryshim.

Çfarë do të ndodhë tani? Do të përkrahin shqiptarët forcat nacionaliste të Gruevskit apo do të jenë faktor tek LSDM-ja?

Kjo është njëra ndër enigmat e vështira, por nuk ka pse të jetë e tillë. Koha e Gruevskit ka përfunduar. Në të vërtetë nuk duhej të kishte një kohë të tillë, por kjo nuk varej nga shqiptarët.  Maqedonasit e sollën, maqedonasit po bëhen gati ta heqin. Shtysën e fundit, më të rëndën, duhet t’ia japin shqiptaët. Pa dhimbje, pa mëdyshje, pa ngurrim.

Ka disa shkaqe madhore për këtë:

Regjimi i tij ishte thellësisht autokrat, antievropian dhe njëkohësisht, antishqiptar. Njeriu që vendosi dhunën politike, ngriti në sietem përgjimin dhe grabitjen, që burgosi gazetarë dhe mashtroi, që ndërtoi skemën e vrasjeve në Kumanovë, që nëpërkëmbi dhunshëm popullsinë shqiptare, që vendosi gjithë Maqedoninë nën dhunën politike, që u përtall me Marrëveshjen e Ohrit, edhe 15 vite pas nënshkrimit të saj, duhet të ikë.

Ikjen e tij e keni në dorë ju, miq të dashur.

Pavarësisht se jeni në katër forca të ndryshme politike, ju mund të ndërtoni një koalicion, brenda koalicionit, i cili, edhe pse do të ketë diferenca, do të jetë i qëndrueshëm deri në atë masë sa që mendimi i njerëzve do të kthehet edhe një herë tek politika shqiptare.

Unë që e njoh prej më shumë se dy dekada Ali Ahmetin, në fakt jemi miq të ngushtë, e di se pavarësisht nga ujërat që kanë rrjedhur nën të nga bashkëveprimtarët e tij, ai mbetet njeriu i duhur për të ndërmarrë këtë bashkësi të mendimit politik shqiptar.

Është e vërtetë se edhe në vitet 2000 dhe 2001, kur ishte lufta në Maqedoni, LSDM-ja që qeveriste asaj kohe, nuk ishte më pak nacionaliste se Gruevski i sotëm.

Por kohërat kanë ndryshuar.

Mes dy të këqijave, duhet zgjedhur ajo që mund të ndreqet dhe këtë mund ta ndreqni bashkarisht.

Fakti që ende pa u mbyllur kutitë e votimit, disa filluan anatemimin brenda shqiptar, nuk është e njëjtë me atë aë duan shqiptarët në Maqedoni.

Shqiptarët votuan për të rrëzuar Gruevskin. Duke mos besuar si dikur tek partitë politike shqiptare, e përplasën kokën tek LSDM-ja. Ndoshta edhe për “kafshatën” e gojës.

Paritë politike shqiptare morën gjithsejt në këto votime 212.095 vota.

LSDM-ja mori votat e më shumë se 50 mijë shqiptarëve dhe ky fakt duhet ta shpjerë koalicionin e vogël, brenda shqiptar, drejt një koalicioni të madh me opozitën, për të përmbysur linjën nacionaliste, pro ruse dhe antishqiptare të Gruevskit.

Këtë e kanë bërë tani një e katërta e votuesve potenciale shqiptarë.

Ali Ahmeti duhet të bëjë këtë përbashkim. Ai duhet të prijë në këtë përbashkim. Është jo vetëm detyra e tij, por edhe ëndrra e tij.

Karta nacionaliste e Gruevskit duhet të digjet.

Një frymë e re duhet të nisë në mendimin politik shqiptar; e të përbashktës dhe jo e hasmërisë.

Ali Ahmeti nuk ka qenë kurrë hasmi i shqiptarëve.

Unë ende e besoj atë. Si e kam besuar gjithnjë.

 

Bedri Islami – DITA