• |
ide | kryesore

Mashtrimi me koncertin e Vjenës në Tiranë

Arkiva, Blog
Ard_Vehbiu_400x400.jpg



Nga Ardian Vehbiu/ Lajmi në fillim ishte: “Do vijë Koncerti i Vjenës në Tiranë”; çfarë më pas u sqarua se ishte fjala për një koncert të Ansamblit Filharmonik të Shkëlzen Dolit, “të nesërmen e Koncertit të Vjenës”; dhe ndërkohë u shpërnda për publikun një video promocionale, ku sërish hiqeshin paralele të forta, në mos dramatike, me të famshmin Koncert të Vitit të Ri në kryeqytetin austriak.

Nuk po doja të besoj në një përsëritje të gjysmë-ngatërresës së dy vjetëve që shkoi, sërish me Shkëlzen Dolin, i cili duket se i tërheq pa dashur këto keqkuptime, për shkak të shoqërimit të tij me Orkestrën e famshme, ku luan si violinë e dytë; prandaj u ula të shoh videon dhe të dëgjoj tekstin emfatik (dhe patetik), të cilin po e riprodhoj më poshtë:

Vjena në Tiranë

Një ditë pas koncertit të Filharmonisë së Vjenës, ndjekur në mbarë botën prej më shumë se një miliard teleshikuesish, violinisti Shkëlzen Doli me Ansamblin e Filharmonisë së Vjenës performojnë para publikut shqiptar me një spektakël multidimensional. Një koncert unikal, një event i jashtëzakonshëm që shtohet në kalendarin artistik të shqiptarëve për herë të parë dhe si asnjëherë tjetër. Në Pallatin e Kongreseve më 2 janar 2017 në Tiranë.

OK, pra: Shkëlzen Doli dhe grupi i tij vikan për një Koncert në Tiranë. Që e bëjnë këtë “një ditë pas koncertit të Filharmonisë së Vjenës, ndjekur në mbarë botën prej më shumë se një miliard teleshikuesish,” është krejtësisht pa lidhje; në një kohë që shprehja “spektakël multidimensional” nuk kuptohet: çfarë do të ndodhë në skenë pikërisht? Më tej, eventi quhet “i jashtëzakonshëm” – po pse? Çfarë e bën të jashtëzakonshëm, ose më mirë, çfarë e dallon nga koncerte të tjera të ngjashme që mbahen në Tiranë? Sërish nuk kemi përgjigje. Por na thuhet se ky koncert i shtohet “kalendarit artistik të shqiptarëve për herë të parë”: vini re klishenë tashmë lemeritëse, “për herë të parë”, e cila e anulon sakaq traditën sado modeste që ekziston për shfaqje të tilla, pa përmendur pastaj që Doli ka dhënë shfaqje edhe më parë në Tiranë; vini re edhe referimin pak implicit ndaj “shqiptarëve”, i cili aludon për një përmasë mbarëkombëtare të kulturës – ndoshta në harmoni me konceptimin “multidimensional” të shfaqjes vetë. Madje jo vetëm “për herë të parë” por edhe “si asnjëherë tjetër”; por si asnjëherë tjetër çfarë? Nëse koncerti mbahet për herë të parë, ose është premierë, siç i kemi pasë thënë qëmoti, krahasimi me herë të tjera nuk ka kuptim; atëherë nuk na mbetet veç të mendojmë se kjo herë e parë ndryshon nga herët e tjera të para. Nuk po vazhdoj më, sepse po më merren mendtë.



2 Comments

  1. interesant

    Faleminderit Ardian Vehbiu qe na hap syte per mashtrimet edhe ne fushen e artit, qe te mos marrim udhen per ne Tirane per "Koncertin e Vjenes". Por ne mashtrimet e medha qe ndodhin ne Shqiperi, ky lloj mashtrimi nuk perben ndonje çudi! Sa turp!

  2. lo

    qelbesira gjatosh si te gjithe qelbesirat e botes per nenshtrim perdor te gjitha menyrat kriminelat taksat mashtrimin por menyra me poshter e qe i ekzaltom qelbesirat eshte poshterimi  e sidomos poshterini i gjoja artisteve  duke reklamuar nje koncert te madh e shume naiva kur ta shohin veten perpara ca sazexhinjeve gabela do te justifikohen qe mire na i beri se ne jemi kaqola po nuk jane kaqola si ju solistat apo instrumentistat e vijenes