• |
ide | kryesore

Pesë pyetje/ A ështe e majtë qeveria e rilindjes?

Arkiva, Blog
FB_IMG_1483779347247.jpg



Nga Sokol Shameti/Sipas ministrit tonë të ekonomisë: “një sërë sektorësh, për herë të parë, siç është bujqësia, shëndetësia apo regjistrimi i pasurive të paluajtshme, siguria ushqimore, shërbimi spitalor që në traditë kanë qenë natyrshëm në kurriz të buxhetit të shtetit, sot fillojnë të shihen ndryshe, duke i afruar nëpërmjet kontraktimeve publike-private në favor të qytetarëve, me shërbime më cilësore”. (Gazeta “Shqip”).

Por në këtë pikë janë disa pyetje që duhet t’u pergjigjet ky “socialist” dhe qeveria e tij që thotë se është “e majtë”:

Pyetja 1 – Pse e quan “mbajtje në kurriz” administrimin e pronës së shqiptarëve? Qeveria është e shqiptarëve, prona publike gjithashtu e shqiptarëve. Detyra e qeverisë së shqiptarëve është që të administrojë të mirat e krijuara nga puna e shqiptarëve dhe jo t’i delegojë këto punë për t’u bërë nga privatët (kundrejt pagesës, sigurisht). Qeveria prandaj paguhet. Nëse nuk është në gjendje ta meritojë pagën dhe i duket puna e vet barrë, të hapë krahun se ka të tjerë që dinë ta bëjnë. Kur një qeveri nuk administron dot mallin që i ka lëne populli në administrim, largohet qeveria, jo malli e gjëja e njerëzve.

Pyetja 2 – Si u shihkan ndryshe pronat dhe shërbimet publike tani? Deri tani që Shqipëria drejtohej nga qeveri të djathta, këto prona shikoheshin si mjet për të pasuruar të pasurit, si copa shpërblimesh për ta. Por sidomos si justifikime për të nxjerrë më shumë para nga buxheti i shtetit gjasme për të paguar kompani kontraktore (si ato që duhet të pastronin rrugët nga bora). Cila është e reja dhe e ndryshmja që kjo qeveri “e majtë” po sjell?

Pyetja 3 – Pse mundohet të fshehë me termin “kontraktim publik-privat” atë që në të vërtetë është thjesht HEQJE E SHERBIMEVE PUBLIKE NGA PUBLIKU dhe dhënie e tyre kundrejt pagesës, privatëve?

Pyetja 4 – Pse quhet “afrim” tek publiku heqja e shërbimeve publike nga publiku? Cila është logjika dhe si funksionon kjo? Nëse në një familje, pazarin e bën babai, sipas qeverisë, heqja e babait nga ky rol dhe dhënia e këtij roli komshiut (kundrejt pagesës shtesë, vec parave të vetë blerjeve në pazar) është “afrim” i bërjes së pazarit tek familja dhe në favor të familjes.

Pyetja 5 – Pse quhen automatikisht “më cilësore” shërbimet që kryen privati? A nuk ishte shërbim i privatit ai “cilësori” që shpërtheu Gërdecin? A nuk ishte shërbim i privatit ai i CEZ-it që dështoi në mënyre skandaloze duke futur vendin në kolaps dhe pa sjellë asnjë “cilësi”? A nuk ishte shërbim i privatit ai polici frikacak që pa me sy vrasjen e bankierit që ai duhej të ruante dhe vetë u fsheh si lepur? A nuk janë “shërbime” të privatëve ato që shkatërruan industrinë tonë? S’janë privatë ata që hodhën rrugëve mijëra shqiptarë? Ata që ndërtojnë rrugë vdekjeje pa asnjë standard? Etj etj etj. 

Kompanitë private që falimentojnë me qindra duke sjellë krize konstante, hemoragji shqiptaresh drejt kurbetit, vrasje, kriminalitet, vetëvrasje, shkatërrim familjesh etj? Pse pavarësisht këtyre, sistemi që bazohet mbi marrdhënien diskriminuese në favor të privatëve nuk konsiderohet i dështuar por mbahet me dhunë më këmbë? Kush përfiton nga kjo? Pse shtetit nuk i falet asnjë gabim në administrim, ndërsa privatëve po? Këto janë zgjidhjet e kollajshme që na ofron kjo qeveri që vetëquhet “e majtë” por që majtizmin e ka vetëm një gënjeshtër për t’u marrë votat shqiptarëve të majtë që presin nga të dy krahët një shpresë, teksa të gjithë ata që kanë pushtet funksionojne sipas të njëjtit mekanizëm: Rripe publiken, majme privaten, shkatërroje shtetin dhe maskoje këtë me fjalë të bukura.

Sigurisht, ata “majtistët” ish-revolucionarë që premtonin se po hynin brenda sistemit për ta luftuar atë më mirë, po hanë fara luledielli tani që janë pjesë ndihmëse e kësaj që po ndodh. Nuk u vë faj. Po e luftojnë sistemin. Po e luftojnë duke i marrë atij pagat, duke i vjelë dietat, postet, favorizimet në tendera apo projekte, etj. Nesër kur të vijnë përsëri duke na u shtirur si revolucionarë me tapi, që u pikon në zemër për “proletariatin”, ta kenë të qartë se nuk kemi harruar. Ishin aty, ndihmuan dhe mundësuan që kjo të ndodhte, përfituan prej saj.



6 Comments

  1. Rilindja eshte MAFIA ne

    Rilindja eshte MAFIA ne pushtet e ardhur me votat e fshataresise injorante te ketij vendi…..a eshte e majte apo e djathte kete nuk e di sepse nuk di se cilit krah politik i perket MAFIA…..

  2. po ik o fmi bythe do me dhen

    po ik o fmi bythe do me dhen mend ti loqe gjirokastre

  3. Pergjigje Anonymous

    Që nga niveli i lartë kulturor i komentit tënd dhe thellësia në nivel enciklopedik të njohjes së njerëzve duke u bazuar nga prejardhja e tyre, pa ofruar për diskutim asnjë këndvështrim tjetër mbi cështjen në fjalë, merret vesh lloji i njeriut që je, o elokuent i fjalëve të bulevardit. 

    Në vijim të temës, ky shqetësim ka ekzistuar dhe vazhdon të jetë real prej vitesh. Këto praktika të ndjekura nga qeveria pa dallim flamuri, ngjyre apo emri të partisë e personave që kanë qeverisur dhe vazhdojnë të qeverisin, janë qartazi mënyrat e tyre profesionale për të garantuar marrjen "në pronësi'' të pronës publike apo shërbimeve publike. Ndërsa tenderimet janë një metodë e shpejtë dhe e shkurtër e përfitimit, praktika e ''partneritetit'' me privatin garanton atë privat(pushtetar) të vazhdojë vjeljen gradualisht të fondeve publike, si një shushunjë e ngulur pas trupit të njeriut fatkeq. Dhe ky popull fatkeq pjesë e të cilës jemi ne vetë, ka plot shushunja në trup, për të mos folur për nishanet e vockla që e shëmtojnë, si komentatori më sipër.

  4. paska shkruar prape ky ish

    paska shkruar prape ky ish Mjaftisti i inatosur

  5. Nje pyetje te vetme per kete

    Nje pyetje te vetme per kete majtistin apo mjaftistin Shameti :

     A nuk do te ishte me mire qe pas 5 dekadave te qeverisjes "se majte" qe dihet se ku e cuan Shqiperine, sepaku nja pese dekada te tjera te mos flitet fare per te majte  ?

  6. Sot 8 persona kane pasuri sa

    Sot 8 persona kane pasuri sa gjysma e popullesise se botes!!!? Ne Shqiperi po ndodh e njejta gje. Pasuria publike dhe sherbimet publike, qe nuk kane konkurence,  po dhjamosin nje grusht njerezish. Kesaj nuk i thone as politike e majte as e djathte por KAPITALIZEM FEUDAL. Nje kapitalizem modern nenkupton KONKURENCEN, mungesa e konkurences sjelle vetem varferi per masen dhe pasuri per nje grup njerezish te veshur tashme edhe me pushtet. Demi me i madh qe po i behet vendit nga klasa politike aktuale dhe e korruptuar e qe shikon vetem xhepat e saj,  eshte humbja e pavaresise se plote ne qeverisjen e vendit, ne ruajtjen e ambjentit jetik dhe ne mbrojtjen e pasurive te tij si naften, mineralet energjine, kursimet e popullesise, valuten etj.