• |
ide | kryesore

Akuza e fortë e peshëngritëses për presidentin Elez Gjoza: Më ka dhunuar në zyrën e tij

Arkiva, Sport
shqiponja-brahja.jpg



Një tjetër akuzë e rëndë ngrihet në drejtim të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, sportistja Shqiponja Brahja pretendon se është dhunuar fizikisht nga kreu i FSHP-së.

“Është e vërtetë që ndaj meje është ushtruar dhunë fizike prej Elez Gjozës. Ka ndodhur edhe në zyrën e tij te Njësia 2, pasi unë jam edhe banore e kësaj Njësie. Madje, më ka thirrur edhe policinë, ndonëse unë isha larguar më herët. Kjo ka ndodhur në praninë e bashkëshortit tim. Përveç kësaj, është ushtruar dhunë fizike parvjet në kampionatin europian në Tbilis të Gjeorgjisë.

Kam qenë e vetme si sportiste së bashku me Elez Gjozën dhe sekretarin e përgjithshëm Agron Haxhihysenin. Kjo ka ndodhur 2-3 ditë përpara se të rikthehesha në Tiranë”, deklaroi Brahja. Gjithashtu ajo shpreh keqardhjen se nuk është trajtuar financiarisht. “Që në momentin që ka ardhur ky president jam paguar 3-4 muaj dhe më pas asgjë. As shpërblime, as trajtime, as palestër.

Më kërcënonte se duhet të ikësh nga palestra duke më përmendur edhe moshën se qenkërsha e madhe. Këtu po flasim për rezultate, për sportiste elitarë, pjesëmarrëse në mjaft aktivitete ndërkombëtare. Do apo nuk do ai, unë jam një nga sportistet më të mira për momentin. Përpos kësaj, edhe më ka fyer në prani edhe të sekretarit e sportistëve të tjerë. Janë dëshmitarë të gjithë sportistët.

Arsyet nuk i di. Me atë person nuk gjen arsye. Përveç kësaj, ka inkurajuar edhe sekretarin. Ai nuk ka qenë i tillë. Unë jam e gatshme të ballafaqohem edhe në gjyq me atë, jo në media. Jo vetëm kaq, por edhe në aktivitetet kombëtare i jep kupë atje ku i do qejfi. Zhvillon kampionate të pandershme, tallet me sportistë. Kjo është shkelje e të drejtave të njeriut. Nuk e di çfarë ligjesh ka ky shtet. Unë jam e detyruar të bëj garë pasi më duhet të ushqehem, nuk e kam për argëtim”, e mbylli denoncimin e saj peshëngritësja Shqiponja Brahja.