• |
ide | kryesore

Serbët: Trump na konsideron një popull të zgjedhur

Arkiva, Planet
trumpvuc.jpg



A është presidenti i ri amerikan Donald Trump një proserb? Kjo është një nga tezat që ka filluar të përhapet me shpejtësi në qarqet nacionaliste të këtij vendi. Afërsia e manjatit të ndërtimit me presidentin rus Vladimir Putin i ka dhënë hov disa lëvizjeve të ektremistëve si në Mirtovicë po ashtu edhe në Bosnjë apo në Mal të Zi. Kësaj pandehme po i fryjnë edhe mediat bulevardeske të Beogradit.

Gazeta “Kurir” pasi kishte njoftuar pak ditë më parë se Putin dhe Trump kishin zgjedhur kryeqytetin serb për tu takuar mes tyre (!!!), sot ka zbuluar se Donald Trump ka shfaqur dëshirë që të takohet me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq. Gazeta i vë këto deklarata në gojën e ambasadorit të Serbisë në ëashington Gjergj Matkoviq. Matkoviq, në bisedën për “Kurir”in ka theksuar se presidenti i SHBA Donald Trump u ka dërguar një mesazh serbëve : “Ju jeni popull i mrekullueshëm“! Po sipas të njëjtit burim shefi i Shtëpisë së Bardhë ka shtuar se “është i mrekulluar me popullaritetin që e ka në Serbi” dhe njëkohësish ka shfaqur shpresën e dëshirën për një takim me kryetarin e Qeverisë serbe Aleksandar Vuçiq. 

Natyrisht është shumë e vështirë të vërtetohen këto pretendime aq më tepër që ato vijnë nga një diplomat i shquar për servilizmin ndaj kryeministrit Vuçiç dhe nga një gazetë pranë qeverisë së Beogradit. Por ajo që është e sigurtë është se ato i shërbejnë një fryme që po kërkon të nxisë nacionalizmin serb dhe që ka kapluar edhe shumë politikanë të tjerë në rajon (Lapsi.al).