• |
ide | kryesore

Si filluan protestat në Rumani?

Arkiva, Ide
Vlad fellowship.JPG



Pas një muaji protestash në Bukuresht, turmat e mbledhura përpara selisë së qeverisë po fillojnë të pakësohen. Gjatë kësaj jave, silueta të errëta me pankarta u endën nëpër qendrën e sheshit natën, të përmbytur nga lumenj makinash, duke bërtitur “dorëheqje!” ndaj qeverisë.

Kur u takova me 30-vjeçarin Bogdan Rusanescu në stacionin qendror të metros Piata Victoriei më 16 shkurt, ai tha se shkonte në shesh çdo natë. Për të, përfundimi nuk ishte i rëndësishëm. Gjëja kryesore ishte të mbahej gjallë lëvizja deri të dielën tjetër, kur turma më të mëdha pritej të mblidheshin.

“Ne jemi fortesa e fundit kundër prapambetjes së Rumanisë. Është “ne” ose “ata”. Duhet të forcojmë sistemin gjyqësor, që të goditen hajdutët. Nëse nuk veprojmë dhe ata bëhen të aftë të kalojnë ligje që legjitimojnë vjedhjen, nuk shoh të ardhme të mirë për Rumaninë,” tha Rusanescu.

Më 31 janar, ministri i atëhershëm i drejtësisë Florin Iordache lajmëroi se qeveria ka miratuar një udhër që do të përditësonte kodin penal për të dekriminalizuar abuzimin me pushtetin për dëme poshtë 44,000 euro. Vendimi u bë në mënyrë sekrete dhe u lajmërua me kast vonë – rreth 10 të mbrëmjes.

Masa nënkuptonte se zyrtarët që hetoheshin apo ishin në gjyq poshtë kësaj shifre, do të liroheshin. Dhjetëra politikanë, përfshirë liderin e partisë kryesore në qeveri dhe kryetarin e një prej dhomave parlamentare, Liviu Dragnea, do të përfitonte nga urdhri. Dragnea po hetohet aktualisht për shkelje me detyrën dhe nëse ligji hyn në fuqi, akuzat kundër tij bien.

Protestuesit kërkojnë që qeveria të anulojë ligjet – ose t’i bëjë ato subjekt të një periudhe të pranueshme shqyrtimi, përfshirë debatet në parlament. Lëvizja erdhi si shok për shumë rumunë.

Për 36-vjeçare Madalina Bucsa, një menaxhere e të drejtave në një shtëpi botuese lokale, lëvizja e qeverisë ishte si të kapje dikë me duart në xhepat e tua në tren. “Duhej të reagonim. Ishte grabitje e vendit,” tha ajo. Përpjekja afatgjatë e Rumanisë për të luftuar korrupsionin është në lojë, vërejti ajo.

Pasi rrëzoi dekretin, kryeministri Sorin Grindeanu tha se nuk do të dorëhiqej, ngaqë kishte fituar zgjedhjet parlamentare të dhjetorit 2016 me miliona vota. Ditë më pas, një votë mosbesimi nga opozita dështoi.

Emilia Mitroi, 34 vjeçe, që punon si vullnetare në Bibliotekën Ion Creanga në Bukuresht, beson se vetëm një qeveri e re mund të vërë në lëvizje reformat për pastrimin e Rumanisë nga korrupsioni. “Për mua, Social Demokratët janë kompromentuar”, tha Mitroi, duke iu referuar partisë politike të Grindeanut.

Sa e korruptuar është Rumania?

Rumania renditet e 57 nga 176 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI) 2016, publikuar nga Transparency International në janar 2017. Rezultati i saj është përmirësuar në vitet e fundit dhe aktualisht vendi është në përmirësim në këtë drejtim krahasuar me shumicën e vendeve në rajon.

Para se Rumania të anëtarësohej në Bashkimin Europian në vitin 2007, Brukseli i kërkoi vendit të forconte sistemin juridik. Në vitin 2002, autoritetet rumune krijuan Drejtorinë Anti-Korrupsion, DNA, një institucion plotësisht i dedikuar luftës kundër korrupsionit.

Dënimi i ish-kryeministrit Adrian Nastase për shpërdorim të detyrës në vitin 2012 ishte një pikë kthese, thotë Elena Calistru, bashkëthemeluese e OJQ Funky Citizens. “Në mendimin kolektiv, ky ishte një moment “uau, kjo ndodh vërtet, nuk është vetëm një lojë,” tha ajo. DNA ka shënuar suksese të konsiderueshme që atëherë.

Në dy vitet e fundit, prokurorët e DNA morën dënime për rreth 90 për qind të zyrtarëve që ata ndoqën penalisht. Lista e 2,000 zyrtarëve të dënuar për vitin 2015-2016 përfshin ministra, parlamentarë kombëtarë dhe europianë, si dhe kryebashkiakë, sipas raporteve vjetore të agjencisë.

Zemërimi kundër korrupsionit u ndez edhe më shumë në tetor të vitit 2015, pas një zjarri në klubin e natës Colectiv në Bukuresht ku u vranë 64 persona. U shfaqën raporte që pretendonin se klubi e mori licencën e punës nëpërmjet kanaleve të dyshimta dhe se më shumë persona do të kishin mbijetuar nëse spitalet vendase do të ishin pajisur në përputhje me ligjin. Portesta masive shpërthyen kundër qeverisë.

“Njerëzit mendonin ‘korrupsioni ekziston, por nëse punoj në sektorin privat, nuk më prek, ndaj s’ka ç’më duhet’”, tha Calistru. “Kjo ndryshoi me rastin Colectiv. Njerëzit ndjenë se korrupsioni mund të nënkuptojë vdekje të një miku, siç e panë”.

Kryeministri i atëhershëm Victor Ponta – të cilin protestuesit e panë si një manifestim të klasës së korruptuar politike në vend – dha dorëheqjen pas zjarrit. Për arsye të tjera, prokurorët e DNA e akuzuan atë me përdorim të padrejtë të ndikimit për t’i dhënë avantazhe një biznesmeni dhe për pjesëmarrje në pastrim parash. Të dyja çështjet janë ende në gjykatë.

Emocione të mëdha

Bogdan Rusanescu (30 vjeç) ishte në shtëpi duke luajtur një videolojë kur zbuloi se qeveria e re kishte miratuar një urdhër emergjent për dekriminalizimin e korrupsionit. Ai nuk mund ta përmbante zemërimin. Hipi në makinë dhe shkoi te selia e qeverisë. Ai priti aty pranë që semafori të bëhej jeshil, kur dëgjoi një bori të zemëruar dhe pastaj një tjetër. Dikush shpalosi një flamur. Kryengritja filloi kudo.

Në mesnatë, rreth 15,000 njerëz ishin mbledhur në sheshin pranë qeverisë, në përpjekje për të parandaluar largimin e ndonjë makine nga oborri. “[E bëtë] natën, si hajdutë”, shkruhej në një slogan atë mbrëmje.

Ditën tjetër, protesta u dhjetëfishua. Më 4 shkurt, kryeministri Sorin Grindeanu lajmëroi tërheqjen e urdhrit të kontestuar. Megjithatë protestat vazhduan, ku njerëzit kërkonin dorëheqjen e qeverisë. Një ditë më pas, 300,000 u mbodhën në Bukuresht, në protestën më të madhe që nga rrëzimi i komunizmit në 1989. Në orën 9:00 të darkës, turma ndezi dritat e celularëve për të simbolizuar hedhjen dritë ndaj korrupsionit. Atë natë, rreth 600,000 njerëz protestuan në Rumani.

Ndërsa ish-ministri i drejtësisë Florin Iordache lajmëroi dorëheqjen, rumunë vazhduan të mblidheshin. Më 12 shkurt, rreth 50,000 njerëz u mblodhën për të krijuar një flamur rumun gjigant me dritat e telefonave dhe disa letra me ngjyra. Mediat ndërkombëtare publikuan imazhet spektakolare dhe folën për Rumaninë si një fener shprese në kohë destabiliteti. Protestat në Rumani frymëzuan një lëvizje anti-korrupsion në Paris. Më 26 shkurt, rreth 5000 rumunë krijuan një flamur të BE-së me copa letrash dhe telefona.

Historia e re e protestave në Rumani

Si u bë ky vend i Europës Lindore një model i pagjasë rezistence? Përgjatë viteve të fundit, Rumania zhvilloi një kulturë të fortë lëvizjesh në rrugë bazuar te vlerat e të drejtave të njeriut.

Ato filluan në shkallë të vogël në janar 2012, pas përpjekjeve për reformim të sistemit të shëndetësisë. Në atë kohë, qeveria, udhëhequr nga Partia Demokratike Liberale e qendrës së djathtë me kryeministër Emil Boc, dha dorëheqjen. Në shtator 2013, dhjetëramijëra qytetarë protestuan kundër një projekti minerar kanadez në Malin Rosia, projekt që mund të shkatërronte trashëgiminë kulturore vendore. Muaj më vonë, projekti u braktis.

Numri i njerëzve të gatshëm për të protestuar është më i lartë se sa një dekadë më parë, tha sociologu Barbu Mateescu. Ata mund të gjejnë njëri-tjetrin në Facebook dhe dinë nga shembujt e mëparshëm se ata kanë mjaftueshëm fuqi për të ndikuar mbi politikat.

Protestat e fundit krijuan një atmosferë të re solidariteti, gjë që qe zhdukur gjatë kohës së komunizmit, tha Mateescu.

“Rumania ka një marrëdhënie të komplikuar me solidaritetin. Ne kaluam përmes komunizmit, i cili na detyroi të ishim ‘të bashkuar në mendime dhe ndjenja,’ por në të vërtetë nuk ishim të bashkuar. Demonstratat formale [të imponuara nga regjimi] eventualisht e zbrazën bashkësinë nga çdo kuptim, ata u bënë punë e detyruar,” tha Mateescu. Kjo gjë solli fragmentarizim ekstrem në epokën post-komuniste: grupet u disintegruan deri sa nuk mbeti asgjë përtej një grupi shokësh apo kushërinjsh të afërt.

Për një drejtor krijues 46 vjeçar si Serban Alexandrescu, një nga arsyet për të qenë pjesë e protestës qe që “Rumunët duhet të rimësojnë se çfarë do të thotë të ‘jesh bashkë’ – pas një kohe kaq të gjatë të qenit të mënjanuar dhe duke u përpjekur të lulëzosh ‘secili për vete’”.

Sfidat e Rumanisë

Pavarësisht protestave të mëdha të javëve të kaluara, solidariteti i gjerë duket sërish një detyrë e vështirë për një shoqëri të atomatizuar si Rumania. Vendi është vazhdimisht i ndarë mes mbetjeve të të shkuarës komuniste dhe premtimeve të parealizuara për një të ardhme më të mirë.

“Pjesë të shoqërisë janë përshtatur mirë [ndaj realitetit të ri], njerëzit kanë filluar të udhëtojnë, të bëjnë para, të shohin gjëra që mund të ndodhin në mënyra të ndryshme nga sa ndodhin më parë. Por një grup tjetër, ndoshta më i madh, nuk ka parë ndonjë përfitim. Kështu ata kanë filluar të akuzojnë forca të huaja në mbajtjen e fëmijëve apo nipërve të tyre pengje,” shpjegon Elena Calistru.

Me PBB për frymë prej 22,300 dollarësh në vit, dhe një të katërtën e popullsisë të punësuar në bujqësi, Rumania mbetet një nga vendet më të varfra në BE. Ndërsa reformat ekonomike përgjatë dekadave të fundit kanë qenë thelbësore, disa grupime janë neglizhuar. Aktualisht, dy modele kundërshtare civilizuese mbijetojnë, tha Barbu Mateescu.

I vjetri është tolerant ndaj korrupsionit, për sa kohë ata në pushtet bëjnë minimalen për të ruajtur një standard jetese për shumicën. Gjithsesi, një mendim i ri “post-industrial” është jotolerant ndaj praktikave të tilla dhe kërkon transparencë.

Modeli i civilizimit post-industrial duket se po fiton por rezistenca ndaj tij është shumë e fortë. Pas protestave të para kundër qeverisë, disa qindra rumunë filluan të mblidhen para selisë së Presidentit, duke kërkuar dorëheqjen e Presidentit Klaus Iohannis, të cilin ata e konsiderojnë përgjegjës për krizën politike. Lëvizja pro-qeveritare përdor më së shumti diskurs nacionalist, duke akuzuar kompanitë shumëkombëshe apo miliarderin George Soros për mbështetjen e protestave rivale.

Gjashtëdhjetë e gjashtë vjeçari Mihai Dumitrascu ka munguar vetëm një ditë në protestën kundër Iohannis. Ai ka vvënë një kapele të rëndë lëkure me mbulesë për veshët dhe një xhaketë të vjetër dimri. “Mund të them se demokracia ma ka vështirësuar jetën. Unë nuk kam përfituar pas revolucionit.”

Në kohën e komunizmit, ai puno0i për një kompani oqeanike peshkimi nën pronësi shtetërore dhe shijoi periudha të gjata pushimi në një qytezë me banja termale. Kompania u shpërbë në vitet 1990. Dumitrascu ka bërë shumë punë që nga ajo kohë, por ka nostalgji për sigurinë që ndjente në kohën e komunizmit.

Integrimi në Bashkimin Europian nuk e ka ndihmuar, thotë Dumitrascu. “BE-ja na ka dhënë ne ca para dhe na ka thënë të bëjmë ndonjë gjë, por ndonjë gjë që nuk na lejon ne të konkurrojmë me ta. Ata kërkuan nga ne të bëhemi një treg për shitjen e mallrave të tyre.” Ai nuk beson se sistemi i drejtësisë është aktualisht i reformuar, por beson se ai është një mjet në duart e Presidentit Iohannis.

Për njerëz të tillë si Dumitrascu “praktikisht nuk ka zgjidhje,”‘ tha Mateescu. “Nëse je një njeri i lindur në mes të viteve 1940, ke punuar në një fabrikë dhe pas kësaj ke dalë në pension, praktikisht nuk ka shumë zgjidhje.”

Rumunët e zakonshëm mund të kuptojnë se ata mund ta përmirësojnë vendin e tyre, komentoi Andrei Fantana, një muzikant 40-vjeçar, i cili merr pjesë rregullisht nëpër protesta. “Edhe nëse ne nuk e marrim atë që duam tani, ne po gjenerojmë pjesëmarrje shoqërore dhe po zgjojmë njerëzit,” tha ai. “Njerëzit janë bërë më aktivë dhe më të kujdesshëm.”

Për të riun Bogdan Rusanescu një betejë e vazhdueshme për drejtësi është zgjidhja e vetme. “Ne jemi ngritur për disa vlera të cilat të tjerët nuk i vlerësojnë. Nga njëra anë, ne patëm fatin e keq të katër dekadave komunizëm. Nga ana tjetër, për shkak se këto kohë nuk janë shumë të largëta, ne kuptojmë se çfarë do të thotë të mos i kesh këto vlera.”