• |
ide | kryesore

Holanda refuzon populizmin duke ndihmuar BE-në të marrë frymë lirisht

Arkiva, Planet
populistet.JPG



Në Holandë sondazhet duket se kishin parashikuar saktë. “Partia Popullore për Liri dhe Demokraci” e Mark Rutte fitoi zgjedhjet, edhe pse më e dobët nga ç’ishte në mandatin që mbylli, kurse “Partia për Liri” e Geert Wilders iu afrua për t’u bërë partia e dytë në vend.

Partia Popullore për Liri mori 33 deputetë, duke humbur 8 karrige në Parlament krahasuar me mandatin e kaluar, ndërsa Partia për Liri e Wilders u ngrit me 5 deputetë për të arritur një total prej 20 deputetësh në Parlament.

Partia e Rutte me 33-deputetët e saj nuk plotëson dot numrat për të formuar qeverinë dhe detyrimisht i duhet të formojë një koalicion, por Rutte është zotuar para zgjedhjeve se nuk do të bashkohet me Geert Wilders për të formuar kabinetin, pikërisht prej deklaratave të ashpra të Wilders për një Holandë pa myslimanë dhe emigrantë.

“Jo 0.1 por 0 shance ka që partia ime të formojë koalicion me Geert Wilders”,- tha Mark Rutte një muaj para zgjedhjeve, dhe deri tani duket se po i qëndron fjalës së dhënë, pasi po zhvillon bisedime me disa parti për të formuar koalicionin, përveç Partisë për Liri të Geert Wilders.

Zgjedhjet parlamentare të Hollandës të para dy ditëve do të tregonin nëse, një valë e djathtë populiste, sikurse Trump në SHBA apo Brexit në Mbretërinë e Bashkuar, ishte në prag të përfshirjes së globit.

Edhe pse partia e Geert Wilders  pa një rënie në sondazhe, pas përmbysjes që ndodhi në zgjedhjet amerikane, askush nuk do të habitej nëse edhe Wilders , me deklarata të ngjashme si të Trump, kundër myslimanizmit dhe pro kufinjve të mbyllur, do të fitonte zgjedhjet.

Kryeministri Mark Rutte para zgjedhjeve ishte shprehur se “kjo lëvizje populiste e djathtë është e gabuar dhe nuk duhet të mbështetet”. Rutte duket se e dha mesazhin, dhe një përmbysje e sondazheve si ajo që ndodhi në SHBA ndodh vetëm atje, në SHBA.

Nga ana tjetër, në Francë partia e ekstremit të djathtë e Marie Le Pen gjithashtu po pëson rënie në sondazhe, rënie e cila reflektohet edhe në deklaratat jo aq të forta që Le Pen po bën, ndryshe nga si e nisi. Kujtojmë që në Francë u zhvilluan edhe protesta të dhunshme kundër propozimeve kundër BE që Le Pen propozon.

Edhe Theresa May në Britani nuk po kalon një periudhë të lehtë në aplikimin e Brexit. House of Lords ka kundërshtuar disa praktika të Brexit dy javët e fundit.

Duke marrë parasysh humbjen e Geert Wilders  në Hollandë, rënien nga “favorit” të Le Pen në Francë dhe vështirësitë që lordët po i krijojnë Theresa May-t në Britani, kjo valë populiste e djathtë nuk mori efektin “domino” që pritej të merrte, pikërisht nëse Wilders  në Hollandë fitonte zgjedhjet duke i hapur kështu rrugën edhe mbështetësve të kësaj lëvizje nëpër Europë. /LAPSI.AL/