"/> Pesë mite për Turqinë - Lapsi.al
  • |
ide | kryesore

Pesë mite për Turqinë

Arkiva, Planet
zotnia.jpg



 

A ka qenë Turqia shtet demokratik që nga themelimi më 1923? Përse Erdoan ishte i suksesshëm që nga ardhja në pushtet më 2002? Çfarë roli ka luajtur ushtria në të kaluarën? Cilat janë veçoritë e problemit kurd? Steven A. Cook përgjigjet në «Washington Post».

Turqia dhe Holanda u kapën sertë javën e kaluar – duke i dëbuar diplomatët – për shkak se zyrtarëve turq nuk iu lejua të bënin fushatë me bashkatdhetarët turq për kushtetutën e re joliberale. Turqia ngaherë ka qenë aleate e rëndësishme e Perëndimit, por pavarësisht prej lidhjeve ushtarake, politike dhe diplomatike, amerikanët nuk marrin vesh në raportet e tyre. Por ata duket se asnjëherë nuk e kanë marrë vesh se çfarë është e vërtetë dhe të mos bien kohë pas kohe në kurthin e akuzave të rrejshme. Dhe ja cilat janë pesë mitet më të mëdha.

Miti i parë: Turqia ka qenë demokraci

Është bërë tashmë shprehi të besohet se Turqia e presidentit Rexhep Taip Erdoan është shndërruar në vend autoritar. Më 2015, autori turk, Mustafa Akyol nxori dufin kundër devijimit «drejt autoritarizmit» në një shkrim autorial botuar në «New York Times». Disa muaj më vonë, studiuesi i shkencave shoqërore, Jason Brownlee shkruante në këtë gazetë për «tatëpjetën autoritare të Turqisë».

Sidoqoftë, është e vërtetë se vendi asnjëherë nuk ka qenë demokraci, ani pse vazhdimisht mbante zgjedhje të lira dhe të drejta shumëpartiake prej vitit 1946. Ndërmjet viteve 1960 dhe 1997, komanda ushtarake e ushtrisë turke rrëzoi katër prej qeverive të zgjedhura. Shtabi i përgjithshëm mbikëqyrte ndryshimet kushtetuese antidemokratike, përfshirë edhe përpjekjen kushtetuese më 1982 që më fort kishte për qëllim ta mbronte shtetin turk se të garantonte të drejtat dhe liritë civile. Më 1997, ushtria rrëzoi qeverinë e parë të zgjedhur islamike për shkak se kryeministri refuzoi të zbatonte rregullat që vinin në dyshim lirinë e shprehjes, dobësonin pavarësinë e shtypit dhe kriminalizonte mendimin ndryshe.

Kur Partia e Drejtësisë dhe e Zhvillimit (AKP) e Erdoanit erdhi në pushtet më 2002, reduktoi rolin e ushtrisë në politikë, duke iu premtuar turqve liritë personale dhe e vështirësoi lehtësinë e dikurshme për ndalimin e partive politike dhe aktivitetit politik të politikanëve. Por krerët turq shumë shpejt ua kthyen shpinën reformave, dhe gjatë dekadës së kaluar, Erdoani përdori burokracinë për të minuar kundërshtarët politikë dhe nxiti njëfarë gatishmërie për të çuar rastet nëpër gjykata, gjë që qeveria e mëparshme nuk e kishte bërë.

Miti i dytë: Presidenti i Turqisë nuk është diktator

Prej dështimit të grushtit të shtetit në korrik, Erdoani ka mbikëqyrur një fushatë të jashtëzakonshme spastrimi të më shumë se 200 mijë personave, prej oficerëve të policisë deri te akademikët e burokratët. Gazeta të fuqishme si «Der Spiegel», «Independent», «Guardian», «Telegraph», «Newsweek», «Huffington Post» dhe «New Yorker», të gjitha e kanë quajtur Erdoanin diktator. Madje ai ka shkuar edhe më larg, duke deklaruar: «Nëse Perëndimi e quan dikë diktator», theksonte ai, atëherë, «sipas mendimit tim, kjo është punë e mirë».

Megjithatë Erdoani – që ka shërbyer si kryeministër prej vitit 2003 deri më 2014, kur u zgjodh në krye të shtetit – ka marrëdhënie më të ndërlikuara me qytetarët turq se diktatorët e mëparshëm, si puna e presidentit tunizian, Zine el-Abidine Ben Ali, ose se presidenti sirian, Bashar al-Assad. AKP-ja ia ka dalë t’i fitojë dhjetë palë zgjedhje me radhë, sepse Erdogani ia kishte dalë me sukses të qeveriste. Turqit janë më të pasur, më të shëndetshëm dhe aktivë se më parë. Erdogani e ka bërë të mundshme që turqit të eksplorojnë identitetet fetare në shtigje që nuk u ishin lejuar nën qeveritë e mëparshme turke. Për mbështetësit e tij, koha e tij në qeverisje paraqet revolucion në fushën e të drejtave personale dhe universale. Gratë turke tani janë të lira të veshin hixhabe në vende publike, ku më parë ishte e ndaluar: siç është më lehtë edhe për to që të bëhen pjesë e politikës. Dhe nëse rezultati i zgjedhjeve është njëfarë treguesi, rreth gjysma e votuesve turq nuk e pëlqejnë Erdoanin për shkak të aferave të tij korruptive, arrogancës dhe fuqizimit të pushtetit, ndërkaq pjesa tjetër mendojnë se ai meriton votën për shkak të lirive që ua garanton.

Miti i tretë: Turqia është sekulare

Komentuesit shpesh kujtojnë shprehje «Turqia sekulare» ose tjetrën për ushtrinë «vendosmërisht sekulare» turke, kur japin një mori faktesh që mund të çojnë në qorrsokak.

Turqia asnjëherë nuk ka qenë sekulare sipas bindjes qysh amerikanët e mendojnë sekularizmin të mishëruar në fjalitë e ngërthyera në amendamentin e parë të kushtetutës amerikane, ku thuhet se Kongresi nuk ka të drejtë të merret me çështje të lirisë dhe praktikave fetare të qytetarëve. Në Turqi, Qeveria ngaherë ka kontrolluar shprehjen e bindjeve fetare në sferën publike. Ka një aparat të tërë qeveritar të përkushtuar ndaj prodhimit të interpretimeve fetare të sanksionuara nga shteti. Krerët turq madje e përdorin fenë për përparimin e agjendave të tyre politike. AKP-ja është parti islamike. Kur grupet opozitare u munduan t’ia merrnin anën me rekrutimin e ish-kreut të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në zgjedhje kundër Erdoanit më 2014, dështuan, pjesërisht për shkak se Erdoani aktualisht shihet si njeriu më autentik për këtë punë.

Madje edhe ushtria turke, që mendohet bastion i sekularizmit, është e lidhur rrënjësisht me islamin. Pas grusht shtetit të vitit 1980, junta që sundonte vendin shkoi me qejf në vënien e një gurthemeli xhamie dhe e vendosi lëndën fetare në kuadër të programit arsimor të vendit. Kreu i ndërhyrjes ushtarake, gjenerali Kenan Evren, shpesh kujtonte si e dinte përmendsh Kuranin. Kjo po bëhet kastile me bindjen se feja do ta depolitizonte shoqërinë pas një dekada të polarizimit të tensionuar politik.

Miti i katërt: Turqia ka problemin kurd

Është e zorshme të lexosh diçka për Turqinë pa e pasur ndonjë referencë me «problemin kurd» të turqve. Kurdët janë pakica që nuk i ndanë mitet etnonacionaliste të grupit dominues etnik turk. Lufta e gjatë me dekada ndërmjet qeverisë dhe Partisë Punëtore Kurde (PKK) vetëm e fuqizon më shumë idenë se ka një problem me kurdët.

Por derisa njëzetë për qind e popullsisë së vendit përbëhet prej kurdëve etnikë, megjithatë shumica e tyre e konsiderojnë veten turq. Halli i Ankarasë lidhet me PKK-në dhe një grup që ka dalë prej saj, Fajkonjtë e Lirisë së Kurdistanit (TAK). PKK-ja i kishte rrënjët në bindje marksiste me afinitete kah Bashkimi i dikurshëm Sovjetik; nisi luftën kundër Turqisë më 1984. Gjatë atyre 33 viteve, diku prej 30 mijë deri në 40 mijë njerëz janë vrarë. TAK-u gjithashtu ka qenë së fundi përgjegjës për një mori sulmesh në Ankara dhe Stamboll. Si kundërpërgjigje, qeveria turke ka përdorur të gjithë arsenalin ushtarak dhe policor për ta shtypur kryengritjen në juglindje të vendit. Dhuna e tmerrshme ende nuk e ka fundosur tërë popullsinë kurde në zonën kufitare.

Nuk ka dyshim se kurdët kanë vuajtur më së shumti. Për vite me radhë, etnia, gjuha dhe kultura e tyre janë mohuar. Megjithëkëtë, shumë prej 15 milionë kurdëve janë integruar shumë mirë në jetën kulturore, ekonomike dhe politike të vendit. Turgut Özal, kryeministër turk në vitet tetëdhjetë dhe president në fillim të nëntëdhjetave, kishte rrënjë kurde, siç është rasti edhe me zëvendëskryeministrin aktual, Mehmet Simsek. Votuesit kurdë kanë qenë pjesë e rëndësishme e AKP-së, dhe nuk ishte fjala vetëm për votues të përkushtuar ndaj fesë. AKP-ja kishte investuar në rajonin juglindor kurd, dhe vënia partiake e theksit te vlerat fetare dhe solidariteti mysliman ka ndihmuar të merrej përkrahja e mbështetësve të PKK-së. Nuk mund të thuhet në mënyrë shprehimore se ai grup i përfaqëson kurdët.

Miti i pestë: Turqia është fuqi antike

Kur analistët shkruajnë për Lindjen e Mesme, shpesh e përfshijnë edhe Turqinë krahas Egjiptit dhe Iranit si shtete me histori parakoloniale. Mbi të gjitha këto shtete janë pasardhës të civilizimeve të mrekullueshme, ndryshe prej disa shpikjeve të pas Luftës së Parë Botërore, si puna e Jordanit, Sirisë ose Irakut.

Është e vërtetë se europianët nuk e futën në një thes kur e vizatuan në hartë. Por shteti është produkt i një njeriu të vetëm: Mustafa Kemalit, i njohur botërisht si Ataturku, ose babai i turqve. Ai krijoi një shtet etno-kombëtar ku nuk kishte ekzistuar asnjëherë më parë në qendër të asaj që njihej si Perandoria Osmane multikulturore dhe multietnike. Që të kishte sukses, Ataturku dhe besnikët e tij duhet të ndryshonin vlerat dhe aleancat e banorëve të Anadollit. Në një vend që më parë dominohej prej bashkësisë myslimane besnike ndaj krerëve që kishin dalë prej legjitimitetit të tyre fetar dhe politik nga islami, Ataturku e ngarkoi shtetndërtiin e ri me mite për etninë, gjuhën dhe lidhjet turke ndërmjet turqve dhe territorit.

Kësisoj, prej kohës së themelimit të republikës më 1923, populli i Anadollit ishin turq, të përkushtuar ndaj shtetit kombëtar, prestigji dhe autoriteti i të cilit buronin në turqizëm dhe lidhjeve me idealet dhe shkencën përparimtare, që i prinë reformave të epokës nismëtare të republikës, përfshirë ndalimin e alfabetit osman, dhe duke ua diktuar turqve të visheshin ndryshe e ta nënvlerësonin fenë si burim autoriteti. Megjithatë, shumë prej këtyre masave nuk ia dolën të mishëroheshin në mendjet dhe zemrat e të gjithë turqve, kështu që suksesi i tyre varej prej përdorimit të forcës dhe shantazhit.

Gjatë nëntë dekadave të kaluara, turqit kanë zhvilluar njëfarë sensi të turqizmit. Por kjo ndjenjë nuk është e mirëqenë dhe është e ekspozuar ndaj destabilizimit dhe fragmentarizmit ngjashëm me vendet në pjesët tjera të Lindjes së Mesme. Kjo është pikërisht arsyeja pse ideja e autonomisë kulturore kurde dhe njohja e vrasjes së 1,5 milionë armenëve në Anadoll më 1915 si gjenocid është e ndjeshme në diskursin politik të Turqisë.

(Autori është hulumtues në «Eni Enrico Mattei» i studimeve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës në Këshillin për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe është autor i «False Dawn: Protest, Democracy, and Violence in the New Middle East». («Agu i rrejshëm: Protesta, demokracia dhe dhuna në Lindjen e Mesme të re»). dialogplus.ch