• |
ide | kryesore

Maqedoni: Kriza e hipo-kriza rreth “Platformës së Tiranës”

Arkiva, Ide
Arber-zaimi-700x380.jpg



Në Maqedoni edhe disa muaj pas zgjedhjeve, nuk po mbërrin të formohet qeveria. Situata është rënduar edhe më shumë prej një deklarate të presidentit të vendit, Gjorgje Ivanov, i cili ka refuzuar t’i japë mandat për të krijuar qeveri Zoran Zaevit, kryetarit të LSDM-së, partisë që doli e dyta në zgjedhje, por që ia ka dalë të krijojë një shumicë parlamentare sajë mbështetjes së partive shqiptare. Justifikimi i Ivanovit për këtë veprim që është konsideruar anti-kushtetues nga njohësit e ligjit, ka qenë se nuk dëshironte t’i jepte mandatin një qeverie që pranon “Platformën e Tiranës”, që ai e cilësoi ndërhyrje të një vendi tjetër në punët e brendshme të Maqedonisë.

Deklarata e Ivanovit i bën jehonë një sërë opinionesh të shprehura nga simpatizantë të partisë VMRO-DPMNE, megjithëse ka pasur edhe opinione nga e majta e spektrit, madje dhe nga e majta radikale “LEVICA”, të cilat e shohin si problematike të ashtuquajturën “Platformë të Tiranës”, për arsye të ndryshme.

Përgjithësisht këto kundërshti ndaj të ashtuquajturës “Platformë e Tiranës” janë hipokrite, edhe pse hipokrizia është problemi më i vogël diskutimin publik e politik të Maqedonisë. Pse janë hipokrite? Le t’i marrim me radhë.

Së pari, pretendimi se “Platforma” është një dokument jo-transparent, dhe nuk dihet mirë se ç’ka në të, nuk qëndron. Dokumenti është publikuar në mediat shqip që para se të nënshkruhej, dhe pasi u nënshkrua u publikua në faqet e internetit të vetë subjekteve që e nënshkruan, dhe kushdo mund ta lexojë e t’i referohet. Por mjegulla është qëllim në vetvete në kohën e triumfit të lajmeve “fake”.

Së dyti, vetë emërtimi “Platformë e Tiranës” dhe pretendimi për “përzierje të Shqipërisë në punët e brendshme të Maqedonisë”, është tendencioz. Dokumenti është strategji për bashkëpunimin e partive shqiptare në Maqedoni, në lidhje me disa çështje që i përkasin specifikisht komunitetit shqiptar të Maqedonisë. Në dokument parashihet asnjë lloj roli qeverisë së Shqipërisë në Maqedoni, as si aktualitet e as si synim, me përjashtim kuptohet të rolit të nënkuptuar e të mirëpranuar që prej kohësh. Atij të përkujdesjes për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. çka e bën më qesharake insinuatën e Ivanovit dhe të tjerëve si ai, është fakti se, po t’i besosh mediave, edhe Nikolla Gruevski e kishte pranuar zbatimin e “Platformës” më përpara, kur atij iu besua mandati për të krijuar qeveri. Pra edhe Gruevski i partisë djathiste maqedonase, nuk e kishte parë kaq të rrezikshme atë platformë, e megjithatë shqiptarët kishin parë një rrezik tek ai, dhe nuk ua kishte mbushur mendjen thjesht premtimi për zbatim të “Platformës”. ç’e bëri Gruevskin dhe bashkëpartiakun e tij, Ivanovin, të shohin rrezik shtetëror te një dokument që ishin gati ta pranonin dhe vetë?

Së treti, vjen kritika mbi atë se a duhet apo jo shqipja të jetë gjuhë zyrtare në gjithë Maqedoninë, edhe aty ku nuk ka shqiptarë. Fundi i fundit, thotë dikush, ç’i intereson shqiptarëve që ta kenë gjuhën shqipe zyrtare dhe në Gjevgjeli a diku tjetër? Por pyetja e vërtetë që duhet shtruar nuk është kjo. Pyetja duhet të jetë kështu: A është Maqedonia shtëpia e përbashkët e maqedonëve dhe shqiptarëve, ku respektohen minoritetet, apo jo? Se shqiptarët në këtë shtëpi nuk mund të shihen si minoritet, kjo është e qartë. Por çështja është, a janë zotër shtëpie po aq sa maqedonët, apo janë banorë të dorës së dytë, a mysafirë të përkohshëm. Një prej shenjave të shtetit, është gjuha zyrtare, e meqenëse shqiptarët nuk janë as minoritet, as mysafirë, e as banorë të dorës së dytë, i bie që janë zotër shtëpie e autoktonë. Njohja e gjuhës së tyre si gjuhë zyrtare e Maqedonisë nuk do të ishte gjë tjetër, veçse konfirmim i faktit pra se Maqedonia është edhe vend i shqiptarëve, në çdo cep të saj, ashtu siç është edhe vend i maqedonëve në çdo cep të saj. A e rrezikon kjo dikë në Gjevgjeli? Absolutisht jo, as nuk e detyron maqedonin të mësojë shqip. Thjesht ia heq shqiptarit barrën e mësimit të detyruar të maqedonishtes, dhe ia mundëson komunikimin me administratën shtetërore kudo në vendin e vet, në gjuhën e vet.

Së katërti vijnë pretendimet se shqiptarët provokojnë me platformën e tyre kur kërkojnë njohjen e gjenocidit mbi shqiptarët në fillim të shekullit XX. Kjo kritikë është absurde, sepse shqiptarët nuk synojnë të akuzojnë shtetin maqedonas për gjenocid, kështu që s’ka pse maqedonasit të vihen në pozitë mbrojtëse. Përgjegjësitë për spastrimin e shqiptarëve në ato krahina i mbajnë qeveritë e Beogradit, qofshin ato para Luftës së Dytë Botërore, qofshin pas saj. Dokumentat janë publike, siç janë publike marrëveshjet me shtetet që i prisnin shqiptarët e shpërngulur (Turqia), apo regjistrat e popullsisë, etj. Pse duhet të ndihen të provokuar apo të sulmuar maqedonët e sotëm nga hulumtimi shkencor e zyrtar i atyre dukurive të sponsorizuara e të zbatuara nga Jugosllavia apo më saktësisht nga faktori serb? Pse duhet të ketë frikë dikush nga hedhja e dritës mbi to?

Së pesti thuhet se shqiptarët ndoshta edhe kanë të drejtë, por nuk është momenti i duhur për të sjellë kërkesat e tyre, pasi Maqedonia qenka në krizë. Çështja është se Maqedonia, për sa e njohim si të tillë, është vazhdimisht në krizë. Ajo ka probleme diplomatike me fqinjët e vet (përjashto Kosovën e Serbinë), e po ashtu me fuqitë rajonale e ndërkombëtare (përjashto Rusinë e Turqinë). Diskriminimi i shqiptarëve në Maqedoni e ka prodhuar aty një konflikt të armatosur të përmasave të mëdha, dhe shumë konflikte të vogla. Zhvillimi ekonomik e pasqyron diskriminimin etnik, investimet në infrastrukturë, prodhim e punësim janë shumë më të vogla në vendet e banuara nga shqiptarët. Ndaj për shqiptarët, kjo krizë nuk përbën ndonjë moment shumë “special” që do t’i bënte ata të tërhiqnin kërkesat e tyre. Pse? Sepse shqiptarët, në shumicë jetojnë në krizë, kuptohet duke përjashtuar këtu një mikroborgjezi qytetare shqiptare të integruar në gjirin e asaj maqedonase, si dhe një mafia e cila mbërrin të punojë fare mirë edhe përtej kufijve etnikë e kulturorë.

Si përfundim, po, një pjesë e mirë e kritikave ndaj “Platformës së Tiranës” janë rrena të pastra dhe manipulim me emocionet ndëretnike.

Mirëpo një kritikë kësaj “Platforme” edhe mund t’i bëhet. Sado fisnike synimet e saj, si njohja e gjuhës apo e gjenocidit, në radhë të parë ato nuk garantohen prej askujt, dhe as Shqipëria që merr përsipër rolin e përkujdesjes për shqiptarët, nuk duket se ka investuar apo se ka ndërmend të investojë për të ndërtuar kapacitete që vërtet të përkujdeset për shqiptarët në rajon. Së dyti, edhe po të zbatohet “Platforma” kriza në Maqedoni nuk zgjidhet.

Çdo krizë është edhe një hapje për mundësi të reja, mirëpo në Maqedoni nuk po shohim të lindin subjekte me shqisë e me intuitë politike, që prej këtyre krizave që po e përcjellin Maqedoninë pa u ndalur, të nxjerrin diçka të re. Askush prej politikanëve maqedonas apo shqiptarë nuk po guxon ta shtrojë pyetjen: “mos vallë Maqedonia, kështu si është sot, është e projektuar pikërisht për të qenë një prej burimeve të krizave e të tensionit në Ballkanin Perëndimor?”

*shkruar per Lapsi.al