• |
ide | kryesore

Londër, ndërron jetë e plagosura në sulmin me makinë në Westminster

Arkiva, Planet
1491584639vajza.jpg



Vajza rumune që ra në lumin Tamiz gjatë atentatit terrorist të muajit të kaluar në Londër është ndarë nga jeta.

Andreea Cristea ishte shtruar në spital që ditën e sulmit, më 22 Mars. Me vdekjen e 31-vjeçares, numri i të vdekurve nga ai sulm shkoi 5.

Cristea ishte arkitekte dhe kishte shkuar në Londër sëbashku me të fejuarin e saj Andre Burnaz. Mësohet se Burnaz kishte në plan që ditën e sulmit t’i propozonte rumunes për martesë.

Familja e Andreea Cristea njoftoi vdekjen e saj, që ndodhi të enjten në mbrëmje.

“Pasi luftoi me vdekjen për dy javë rresht, shumë e dashura dhe e pazëvendësueshmja jonë Andreea u rrëmbye nga jeta e saj në mënyrën më mizore, më brutale e më të pashpirt”- deklaruan familjarët e 31-vjeçares.

Pas familjes reagoi edhe Kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, i cili tha se ndihej “thellësisht i keqardhur”, kur mori vesh për vdekjen e Andreea Cristeas.

22 Marsi ishte një ditë e përgjakshme për kryeqytetin britanik, Londrën. Atentatori Khalid Masood iu drejtua një turme njerëzish me makinën e tij, duke shtypur 3 prej tyre, para se të qëllohej për vdekie nga policia.

Gjatë sulmit gjeti vdekjen edhe një polic, i cili u sulmua me thikë nga Masood. /LAPSI.AL/