• |
ide | kryesore

Jezusi vdiq dhe jetoi, por kush e provon se ai jetoi dhe vdiq?

Arkiva, Planet
maxresdefault.jpg



Nga Simon Gathercole

Sot, disa pretendojnë se Jezu Krishti është një ide, dhe jo një figurë e vërtetë historike, por ka shumë prova të shkruara për ekzistencën e tij, 2000 vjet më parë

Sa të bindur mund të jemi, që Jezu Krishti ka ekzistuar?

Provat historike për Jezusin e Nazaretit janë të kahershme dhe shumë të përhapura. Brenda pak dekadash nga jeta e tij, ai përmendet prej historianëve hebrenj dhe romakë, si dhe nga dhjetëra shkrime të krishtera. Krahasojeni këtë, për shembull me Mbretin Artur, që supozohet se ka jetuar rreth vitit 500. Burimi më i madh historik për ngjarjet e asaj kohe as nuk e përmend Arturin, dhe ai përmendet për herë të parë 300 apo 400 vjet, pasi supozohet të ketë jetuar. Provat për Jezusin nuk janë të kufizuara tek folklori i mëvonshëm, si rrëfimet për Arturin.

Çfarë na thonë shkrimet e krishtera?

Vlera e këtyre provave është se janë edhe më të hershme, edhe më të detajuara. Shkrimet e para të krishtera që kanë folur në lidhje me Jezusin janë Letrat e Shën Palit, dhe dijetarët bien dakord se më të hershmet e atyre letrave, janë shkruar brenda 25 vjetësh pas vdekjes së Jezusit, ndërsa dëshmitë e detajuara biografike të Jezusit në ungjijtë e Dhjatës së Re datojnë rreth 40 vjet pas vdekjes së tij. Këto të gjitha u shfaqën gjatë jetës së dëshmitarëve të shumtë okularë, dhe ofrojnë përshkrime që përputhen me kulturën dhe gjeografinë e Palestinës së shekullit të parë. Eshtë gjithashtu e vështirë të imagjinohet se pse shkrimtarët e krishterë do të shpiknin një figurë të tillë, një shpëtimtar tërësish hebre në një kohë dhe vend – nën patronazhin e perandorisë romake – ku kishte dyshime të forta ndaj Judaizmit.

Çfarë thoshin për Jezusin, autorët jo të krishterë?

Me aq sa dimë ne, i pari autor jashtë kishës që ka përmendur Jezusin është historiani hebre, Flavio Jozefi, i cili shkruajti një histori të Judaizmit rreth vitit 93 pas Krishtit. Ai ka dy referenca për Jezusin. Një prej tyre është kontradiktore, pasi mendohet që të jetë prishur prej shkruesve të krishterë (ndoshta duke e kthyer rrëfimin negativ të Jozefit, në një më pozitiv), por tjetri nuk është i dyshimtë – përmend Xhejmsin, vëllanë “e Jezusit të ashtuquajtur Krisht”.

Afro 20 vite pas Jozefit, kemi politikanët romakë Plini dhe Taciti, që kishin disa prej detyrave më të larta shtetërore në fillim të shekullit të dytë. Nga Taciti mësojmë se Jezusi ishte ekzekutuar, ndërkohë që Ponc Pilati ishte prefekti romak në Jude dhe Tiberi ishte perandor – të dhëna këto që përkojnë me kohën për të cilën shkruajnë ungjijtë. Plini kontribuon me informacionin që, kur ai ishte guvernator në veri të Turqisë, të krishterët adhuronin Krishtin si perëndi. Asnjërit prej tyre nuk i pëlqenin të krishterët – Plini shkruan për “kokëfortësinë kokëderr” dhe Taciti e quan fenë e tyre një supersticion shkatërrimtar.

A diskutonin shkrimtarët e lashtë ekzistencën e Jezusit?

Çuditërisht, nuk ka pasur kurrë ndonjë debat në botën e lashtë, në lidhje me atë, nëse Jezusi i Nazaretit ishte një figurë historike. Në literaturën më të hershme të rabinëve hebrenj, Jezusi u denoncua si fëmijë i paligjshëm i Marisë dhe si magjistar. Në mesin e paganëve, satiristi Lucian dhe filozofi Celsus e hidhnin poshtë Jezuin si një faqezi, por nuk kemi informacion për asnjë në botën e lashtë, që të ketë vënë në pyetje faktin që Jezusi jetoi.

Sa e debatueshme është ekzistenca e Jezusit sot?

Në një libër të kohëve të fundit, filozofi francez Michel Onfray flet për Jezusin si një hipotezë të thjeshtë, dhe ekzistencën e tij, më shumë si ide, sesa si një figurë historike. Rreth 10 vjet më parë, në SHBA u ngrit Projekti Jezusi; një nga pyetjet kryesore për diskutim ishte, nëse Jezusi kish ekzistuar ose jo. Disa autorë kanë argumentuar edhe se Jezusi i Nazaretit ishte dyfish jo-ekzistent, duke thënë se, edhe Jezusi dhe Nazareti, janë shpikje të krishtera. Vlen të përmendet, megjithatë, se dy historianët kryesorë që kanë shkruar kundër këtyre argumenteve shumë skeptike janë ateistë: Maurice Casey (më parë në Universitetin e Nottinghamit) dhe Bart Ehrman (Universiti i Karolinës së Veriut). Ata kanë lëshuar kritika thumbuese kundër qasjes së “Jezusit legjendë”. Megjithatë, një studim i kohëve të fundit zbuloi se 40% e të rriturve në Angli nuk besonin se Jezusi ishte një figurë e vërtetë historike.

A ka prova arkeologjike për Jezusin?

Një pjesë e konfuzionit popullor rreth vërtetësisë historike të Jezusit mund të shkaktohet nga argumente të caktuara arkeologjike, të ngritura në lidhje me të. Kohët e fundit ka pasur pretendime se Jezusi ishte një stërnip i Kleopatrës, plotësuar me monedha të lashta që gjoja tregojnë Jezusin, i cili mban kurorën e tij me gjemba. Në disa qarqe, ka ende interes për qefinin e Torinos, gjoja qefini i varrimit të Jezusit. Papa Benedikti XVI ka deklaruar se kjo ishte diçka që “asnjë njeri nuk ishte në gjendje ta krijonte” dhe një “ikonë e të Shtunës së Shenjtë”.

Megjithatë, është e vështirë që të gjesh historianë të cilët e konsiderojnë këtë material si të dhënë serioze arkeologjike. Dokumentet e prodhuara nga të krishterët, hebrenjtë dhe shkrimtarët romakë përbëjnë dëshmitë më të rëndësishme.

Këto referenca të bollshme historike na lënë me shumë pak dyshime të arsyeshme në lidhje me faktin, që Jezusi jetoi dhe vdiq. Pyetja më interesante – e cila shkon përtej historisë dhe fakteve objektive – është nëse Jezusi vdiq dhe jetoi./bota.al/